“Revolucioni Flamingo” drejt 41 ditëve në Tiranë

Protestat e lëvizjes “Revolucioni Flamingo” në Shqipëri kanë vijuar me intensitet edhe në ditët e fundit, duke tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Referuar raportimeve të publikuara, lëvizja ka mbërritur në 41-ën ditë radhazi të demonstrimeve në Tiranë, ku mijëra qytetarë kanë dalë në qendër të kryeqytetit për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e establishmentit politik.

Në shkrimin që i është kushtuar tubimit, theksohet se protesta ka ndryshuar kah jo vetëm në formë, por edhe në thelb. Fillimisht lëvizja u ngrit si reagim ndaj një kauze mjedisore, ndërsa tashmë është shndërruar në një revoltë më të gjerë qytetare. Sipas përshkrimit të medias, manifestimi po zhvillohet kundër qeverisë së kryeministrit Rama dhe klasës politike, me kërkesa konkrete që përfshijnë krijimin e një qeverie teknike.

Marshimi i radhës u organizua në mbrëmjen e 10 korrikut, për 41-ën ditë. Protestuesit u mblodhën pak pas orës 19:00 në Sheshin Skënderbej, të pajisur me flamuj kombëtarë dhe pankarta. Më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u zhvilluan fjalime dhe pati muzikë, daulle, bilbila dhe thirrje proteste për më shumë se dy orë. Pas kësaj, lëvizja vazhdoi në rrugët e kryeqytetit, duke ruajtur ritmin e tubimeve që janë bërë pjesë e përditshmërisë për një pjesë të konsiderueshme të pjesëmarrësve.

41 ditë protestë: “Revolucioni Flamingo” u bë revoltë kundër keqqeverisjes

Gjatë tubimit, kërkesat e protestuesve u artikuluan qartë në thirrjet e tyre. Ndër sloganet më të dëgjuara ishin “Revolucion!” dhe “Rama në burg, Berisha në burg!”, një formulim që, sipas raportimit, tregon pakënaqësinë jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës tradicionale. Shumë prej pjesëmarrësve deklarojnë se janë aty çdo mbrëmje, ndërsa të tjerë bashkohen sa herë kanë mundësi. Intensiteti i pjesëmarrjes rritet sidomos gjatë fundjavave.

Raportimi nënvizon edhe disa zëra të protestuesve. Një protestuese u shpreh për IntelliNews se është në shesh sepse “kryeministri e ka shitur vendin tonë”. Ndërsa një anëtare e diasporës shqiptare, e cila tha se ishte kthyer nga Firence së bashku me vajzën e saj, deklaroi se protesta është “hapi i parë në drejtimin e duhur” për një të ardhme më të mirë, duke shtuar se ajo beson se gjërat mund të ndryshojnë për vajzat e tyre nëse jo për ta. Në rrëfimet e tjera të përcjella, protestuesit theksuan se demonstratat kanë qenë kryesisht paqësore, duke fajësuar një numër të vogël provokatorësh të paguar për incidentet sporadike.

Lëvizja nisi më 30 maj, në afërsi të fshatit Zvërnec. Aktivistët mjedisorë u përpoqën të ndalonin punimet për një projekt turistik luksoz pranë zonës së mbrojtur të lagunës Vjosë-Nartë, e cila njihet si një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme të Mesdheut dhe habitat i qindra llojeve të shpendëve, përfshirë flamingot. Projekti, sipas raportimit, lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, përmes kompanisë së tij investuese Affinity Partners.

Pas përplasjes së parë mes protestuesve dhe rojeve private në Zvërnec, demonstratat u përhapën në Tiranë, Vlorë, Durrës, Korçë dhe qytete të tjera. Diaspora shqiptare organizoi protesta solidariteti edhe jashtë vendit. Ajo që filloi si kundërshtim ndaj një projekti të vetëm u zgjerua gradualisht në një lëvizje kundër korrupsionit, degradimit të mjedisit, pabarazisë ekonomike dhe keqqeverisjes. Në raportim përmendet edhe se protestat kanë tërhequr vëmendjen e institucioneve dhe eurodeputetëve evropianë, ndërsa organizatorët e kanë pagëzuar lëvizjen me emrin “Revolucioni Flamingo”.

Një rol në narrativën e lëvizjes përshkruhet edhe nga aktivisti mjedisor dhe guida turistike Arben Kola, i cili prej më shumë se një dekade angazhohet për mbrojtjen e natyrës dhe luftën kundër korrupsionit. Ai tha se pas disa ditësh nga nisja e protestës u kuptua se njerëzit nuk ishin në rrugë vetëm për lagunën dhe flamingot, por edhe kundër korrupsionit. Kola përdori edhe një formulim simbolik, duke thënë se “Revolucioni i flamingove është bërë revolucioni i shqiponjave”, duke argumentuar se flamingot na mësojnë të fluturojmë së bashku, ndërsa shqiponjat lidhen me nevojën për të mbrojtur Shqipërinë. Ai shtoi se protesta ka arritur të ndryshojë edhe klimën psikologjike brenda vendit, duke u dhënë shumë njerëzve guxim për të mposhtur frikën.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version