Marcus Rashford duket se e ka mjaft të qartë se ku do të do të vazhdojë karrierën e tij. Sulmuesi anglez, i cili momentalisht po luan i huazuar te Barcelona nga Manchester United, ka folur publikisht për preferencën e tij, duke lënë të kuptohet se dëshiron të qëndrojë në “Camp Nou”.
Rashford bëri një rrëfim të drejtpërdrejtë pas një periudhe shumë të suksesshme me skuadrën katalunase. Barcelona arriti të triumfonte në El Clasico ndaj Real Madridit dhe pikërisht ai ishte ndër protagonistët në festën e katalanasve, në një ndeshje që vendosi edhe titullin e kampionëve për ekipin e Hansi Flick.
Pas atij triumfi, iu kërkua Rashford të komentonte të ardhmen e tij dhe ai nuk e fshehu dëshirën. Sulmuesi u shpreh qartë, duke përdorur një krahasim që e bëri përgjigjen e tij më të lehtë për publikun: “Nëse do të isha magjistar, do të doja të qëndroja te Barcelona. Kështu që do të shohim”. Deklarata u bë për “BBC Sport”.
Rashford e sheh të ardhmen te Barcelona, “magjistari” do ta mbante te Camp Nou
Në të njëjtën bisedë, 28-vjeçari zbuloi edhe anën emocionale që e ka shoqëruar prej kohësh me klubin spanjoll. Ai kujtoi se në moshën 18-vjeçare kishte dëshirë të qëndronte te Manchester United, por paralelisht kishte admirim të hershëm për Barcelonën. “Kur isha 18 vjeç doja të qëndroja te Manchester United, por gjithmonë e kam admiruar Barcelonën. Ishte skuadra ime e dytë.” Kjo e bën më të kuptueshme pse ai po e shijon kaq shumë periudhën në Kataluni dhe pse flet me ton të sigurt për një vazhdim të mundshëm.
Ndërkohë, forma e Rashfordit në Spanjë po e mbështet edhe pretendimin e tij në fushë. Ai po kalon një sezon pozitiv në Barcelonë, ku ka arritur të shënojë 14 gola dhe t’i ketë dhënë po aq asistime në të gjitha kompeticionet. Me këto shifra, Rashford është kthyer në një nga armët më të rëndësishme të skuadrës së Hansi Flick, duke kontribuar si në finalizim ashtu edhe në krijimin e rasteve për shokët e tij.
Pavarësisht dëshirës së qartë, e ardhmja e tij nuk është ende e mbyllur, sepse ka edhe çështje financiare në mes. Barcelona e ka të drejtën e blerjes për rreth 30 milionë euro, por peshën e pagës së lojtarit e shohin si një problem për financat e klubit spanjoll. Pikërisht kjo mund të ndikojë në vendimmarrjen e tyre.
Drejtuesit “Blaugrana” kanë kohë deri më 15 qershor për të vendosur nëse do të aktivizojnë opsionin e blerjes. Ndërsa nga ana tjetër, Manchester United duket i vendosur ta shesë përfundimisht futbollistin, pasi Rashford nuk bën më pjesë në planet afatgjata të klubit anglez. Për këtë arsye, koha që mbetet deri në afatin e vendimit është vendimtare jo vetëm për Barcelonën, por edhe për të ardhmen e vetë lojtarit.
Në planin sportiv, Rashford nuk e fsheh se nuk po mendon për rikthim në “Old Trafford”. Ai po shijon eksperiencën në Kataluni dhe e lidh atë me objektiva afatgjatë: “Kam ardhur këtu për të fituar dhe kjo skuadër do të fitojë shumë trofe në të ardhmen. Të jem pjesë e këtij projekti do të ishte diçka speciale”, përfundoi ai.
Botuar fillimisht në Bota Sot