Rama sqaron “Paketën e Maleve”: si funksionon zhbllokimi i tokës

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një shpjegim të gjerë lidhur me të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”. Në postimin e tij, Rama i është përgjigjur akuzave se ky ligj do të ishte hartuar për investitorë të mëdhenj, të huaj apo “oligarkë”, duke argumentuar se synimi real është formalizimi i pronës për banorët e zonave malore që prej vitesh posedojnë toka, por nuk kanë dokumentacion pronësie.

Sipas shpjegimit të kryeministrit, një nga elementet qendrore të ligjit është verifikimi i posedimit faktik të tokës për të paktën 10 vite. Rama thekson se “Paketa e Maleve” synon të ndihmojë familjet që kanë trashëguar objekte dhe pasuri të tilla si kulla, stane, ferma apo troje, por që nuk kanë arritur t’i formalizojnë ato në mënyrë ligjore për shkak të historisë së ndërlikuar të regjimit komunist, tranzicionit dhe legjislacionit ekzistues të tokës.

Në postim, kryeministri i lidh këto situata me realitete konkrete të zonave malore, duke përmendur Thethin, Vermoshin, Zagorin, Lunxhërinë dhe Mokërn. Ai shprehet se në këto zona familje që kanë punuar tokën e trashëguar prej brezash, por që nuk kanë një titull pronësie, i përballen pengesave ligjore kur duan të ndërtojnë, të marrin kredi ose të zhvillojnë aktivitete ekonomike në pronat e tyre.

“Paketa e Maleve” kërkon posedim 10-vjeçar, jo favorizim për të mëdhenjtë

Rama argumenton se logjika e kritkave, sipas të cilave ligji do të krijonte një rrugë për investitorë të mëdhenj, nuk përputhet me mekanizmin që vendos ligji. Ai thekson se një investitor i huaj që vjen sot në Shqipëri nuk mund të plotësojë kushtin kryesor prej 10 vitesh posedim faktik të tokës. Në këtë mënyrë, sipas tij, investitorët e huaj nuk hyjnë në mekanizmin kryesor të “Paketës së Maleve”, sepse ky mekanizëm mbështetet pikërisht te prova shumëvjeçare e posedimit.

Po kështu, kryeministri nënvizon se ligji nuk krijon një kanal automatik për ata që kanë kapital të madh. Sipas shpjegimit, ata mund të investojnë edhe pa “Paketën e Maleve”. Ndërkohë, familjet që kanë një kullë malesh, një stan, një fermë apo një truall të trashëguar, por nuk kanë arritur t’i formalizojnë, në mungesë të këtij ligji, e kanë të vështirë të marrin kredi, të kryejnë ndërtim në mënyrë të ligjshme, të zhvillojnë agroturizëm dhe bujtina, si dhe shpesh nuk arrijnë t’u ofrojnë fëmijëve të tyre garanci juridike mbi pronën.

Rama shpjegon edhe si funksionon procesi, duke theksuar se toka nuk jepet automatikisht vetëm sepse dikush aplikon. Në postim thuhet se aplikuesit duhet të plotësojnë disa kushte, duke përfshirë verifikimin e posedimit, miratimin e projekteve dhe realizimin e investimit. Ai shton se, nëse këto etapa nuk përmbushen, mekanizmat ligjorë parashikojnë pasoja sipas kontratës dhe legjislacionit përkatës, ndërsa toka mbetet shtet.

Në vijim, kryeministri thekson se “Paketa e Maleve” lidhet me zhvillimin e ekonomisë lokale dhe jo vetëm me investimin e madh. Ai sqaron se ligji nuk shpronëson pronën private të regjistruar, por operon mbi prona shtetërore me posedues faktik, ose mbi situata ku nuk ekziston një titull i formalizuar pronësie dhe ku legjislacioni i mëparshëm nuk ka dhënë zgjidhje për trashëgimtarët. Sipas tij, çdo konflikt pronësie vazhdon të trajtohet sipas mekanizmave ligjorë përkatës. Rama përmend edhe se modeli i përdorur synon të zhbllokojë një situatë të ngjashme me zona të braktisura, duke i dhënë mundësi poseduesit të realizojë ndërtimin dhe më pas ta hipotekojë pronën, përmes kontratës ligjore.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version