Mesazhet private: shkencëtarët s’e përjashtonin origjinën nga laboratori

Shkencëtarët që luajtën rol qendror në zbehjen e debatit rreth teorisë se Covid-19 mund të ketë ardhur nga një laborator kanë pranuar në biseda private se kjo mundësi “nuk mund të përjashtohej”. Këtë e tregojnë mesazhet e publikuara së fundmi, të cilat referohen në raportim nga “The Telegraph”.

Në mars të vitit 2020, një grup virologësh me ndikim publikuan në revistën “Nature Medicine” një studim që argumentonte se pandemia kishte shumë gjasa të ishte shkaktuar nga kalimi natyror i virusit nga kafshët te njerëzit. Artikulli, i njohur si “The Proximal Origins of Covid”, shkonte më tej duke nënvizuar se studiuesit nuk besonin se ekzistonte një skenar bindës që përfshinte një laborator.

Megjithatë, në prapaskenë, mesazhet e siguruara dhe të publikuara nga senatori amerikan Rand Paul sugjerojnë se një pjesë e autorëve kishin shqetësime. Aty përmendet se Instituti i Virologjisë në Wuhan (WIV) kishte kryer eksperimente me koronaviruset në kushte të pamjaftueshme sigurie biologjike. Për më tepër, virusi u shfaq rreth 13 kilometra larg laboratorëve të WIV-së dhe dukej se ishte përshtatur tashmë për të infektuar njerëzit.

“Nuk mund ta përjashtojmë” origjinën laboratorike

Tre muaj pas publikimit të studimit në “Nature Medicine”, profesori Kristian Andersen nga Instituti “Scripps” në Kaliforni shkroi në platformën Slack se në atë fazë nuk kishte prova të forta në asnjë drejtim. Andersen theksonte se nuk ishte e mundur të përjashtohej që “dikush ta ketë vendosur” virusin në mënyrë laboratorike. Ai sqaroi se deklarata e studimit ishte “shumë e prerë” kur thoshte se nuk kishte “asnjë mundësi”, ndërsa nga këndvështrimi i tij, besimi te kjo fjali ishte dobësuar.

Në artikullin publik, autorët kishin argumentuar se manipulimi i koronaviruseve të lakuriqëve të natës kryhej në laboratorë në mbarë botën dhe se ishte e padrejtë të vihej gishti vetëm te WIV. Por në komunikimet private, Andersen pranoi se kjo nuk ishte e vërtetë: sipas tij, manipulimet ishin bërë ekskluzivisht në WIV. Ai diskutoi edhe dy argumente të tjera të përfshira në studim: se manipulimi ishte i vështirë dhe se virusi nuk mund të kishte lindur përmes eksperimenteve të evolucionit në qeliza. Në mesazhet e tij, Andersen sinjalizon se këto pretendime rezultuan të pasakta.

Vlerësimet private mbi gjasat e rrjedhjes nga laboratori shfaqen edhe me numra. Andersen e vlerësonte mundësinë rreth 30 për qind, ndërsa bashkëautori i tij, profesori Eddie Holmes nga Universiteti i Sidneit, e vendoste mes 10 dhe 20 për qind. Në këtë kuadër, Viscount Ridley, autor i librit “Viral: The Search for the Origin of Covid-19”, komentoi se mesazhet konfirmojnë vazhdimin e bindjes te autorët se rrjedhja nga laboratori ishte e mundur, duke ngritur pyetjen pse nuk u korrigjua apo u tërhoq studimi që, sipas tij, çorientoi botën.

Mesazhet tregojnë edhe se autorët kishin dijeni për shqetësimet e Dr. Shi Zhengli, shkencëtare kryesore për viruset e lakuriqëve të natës në WIV, e cila dyshohet se ishte vetë e alarmuar se Covid-19 mund të kishte ardhur nga një aksident laboratorik. Në shtator të vitit 2021, Dr. Zhengli kishte aplikuar për një grant për të futur një vend prerjeje furine (furin cleavage site – FCS) në koronaviruset e lakuriqëve të natës—element që e bëri Covid-19 shumë infektues për njerëzit. DARPA e refuzoi grantin, duke e konsideruar tepër të rrezikshëm, por mesazhet në Slack sugjerojnë se disa studiues kishin frikë se puna mund të ishte vazhduar gjithsesi.

Profesori Andrew Rambaut nga Universiteti i Edinburgut shkroi se nuk ishte e pabesueshme që dikush të kishte vazhduar dhe të kishte provuar disa nga këto eksperimente, duke u shprehur se gjithçka lidhej me nevojën për të besuar se ishte “rastësi”. Holmes u shpreh se ishte “e habitshme” që një koronavirus me origjinë nga lakuriqët e natës dhe me një vend prerjeje furine të dilte në të njëjtin qytet ku një laborator po propozonte eksperimente të ngjashme. WIV po planifikonte këtë kërkim në bashkëpunim me organizatën “EcoHealth Alliance”, të themeluar nga zoologu britanik Peter Daszak dhe virologu amerikan Dr. Ralph Baric nga Universiteti i Karolinës së Veriut.

Në komunikimet mes autorëve, Rambaut u dërgoi bashkautorëve një mesazh ku kërkonte diskutime për atë që ai e quajti “katastrofa Baric/Daszak” dhe propozoi formulimin e një strategjie “që të mos lidhemi me këta njerëz”. Ai paralajmëroi gjithashtu kolegët të “qëndronin larg email-it” ose të “përzgjidhnin me kujdes disa email-e” në rast se do të kishte kërkesa për qasje në dokumente sipas ligjeve për lirinë e informimit. Ndërsa virologët deklaronin publikisht se shumica e shkencëtarëve mbështeste teorinë e origjinës natyrore, në bisedat private u pranua se kjo nuk qëndronte. Andersen tha se ishte “mjaft i befasuar” kur mësoi se “shumica e shkencëtarëve” me të cilët fliste besonin se ekziston një lidhje e mundshme me laboratorin.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version