Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka komentuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë në veri, duke iu referuar asaj që ai e quajti një prej parimeve më të rralla që, sipas tij, nuk lejohet në praktikën juridike: “pishmani”. Sipas Qorrollit, kur një person heq dorë nga pozita, veçanërisht në mënyrë publike, ky gjest duhet të trajtohet si akt individual juridikisht i pastër, pa hapësirë për kthim pas vendimit.
Ai ka folur lidhur me faktin se të premten Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të shqyrtojë tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë, të cilët kishin paraqitur dorëheqjet e tyre në vitin 2022. Dorëheqjet erdhën si shenjë revolte ndaj zhvillimeve në veri të Kosovës, ndërsa procesi i trajtimit të tyre ka vazhduar me ritëm të ndryshëm për kategori të ndryshme të institucioneve.
Qorrolli tha se kolegët e tij deputetë të VV-së kanë të drejtë të japin mendimin e lirë për një çështje të ndjeshme. Ai i komentoi edhe reagimet e Bashkimit Evropian, i cili kishte bërë thirrje që partitë politike të përmbahen nga ndikimi në vendimmarrjen e anëtarëve të KGJK-së. Reagimi i BE-së erdhi pas disa postimeve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pishmani” nuk lejohet kur dorëheqja jepet
Në argumentimin e tij, Qorrolli u ndal te një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2010, në rastin ndaj ish-kryetarit të Rahovecit, Qazim Qeska. Ai kujtoi se në atë rast, Qeska kishte dhënë dorëheqje publike, por pas disa javësh i ra pishman dhe u kthye në zyrë. Sipas Qorrollit, çështja përfundoi në Kushtetuese pas dërgimit të rastit nga presidenti i asaj kohe, Fatmir Sejdiu, i cili kishte kërkuar vlerësim nëse duhet të shpalleshin zgjedhje të reja lokale apo të lejohej rikthimi në punë të Qazim Qeskës.
Qorrolli theksoi se Gjykata Kushtetuese kishte arritur në përfundimin se instituti i dorëheqjes, në momentin kur jepet, është i parevokueshëm dhe i pakthyeshëm. Ai e lidh këtë logjikë edhe me situatën aktuale: “Në jurispudencë, gjëja e vetme apo ndër të rrallat që nuk lejohet është ‘pishmani’”. Sipas tij, nëse dikush heq dorë nga pozita në mënyrë vullnetare, sidomos kur akti është publik, atëherë bëhet fjalë për akt individual juridikisht të pastër.
Deputeti i VV-së shprehu edhe kritika ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe ndaj Këshillit Gjyqësor, duke thënë se këto institucione nuk i kanë trajtuar me kohë çështjet e dorëheqjeve dhe se nuk i kanë pranuar ato. Po ashtu, ai përmendi edhe ish-presidenten Vjosa Osmani, duke e vënë në kontekst të reagimeve për mënyrën se si janë përcjellë zhvillimet. Lidhur me kritikën e BE-së, Qorrolli tha se në asnjë vend të Bashkimit Evropian nuk do të lejohej rikthimi i një grupi personash që kanë dhënë dorëheqje.
Sipas tij, nëse do të lejohej kthimi i gjyqtarëve pas dorëheqjeve, atëherë, siç u shpreh ai, do të shkelej Kushtetuta e Kosovës. Në fund të vitit 2022, prokurorë, gjyqtarë, policë dhe kryetarë komunash në veri kanë dhënë dorëheqje si shenjë revolte. Ndërkohë, dorëheqjet e policëve janë pranuar, ndërsa ato të prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë mbetur pezull deri më tani. Qorrolli theksoi se vendimi për prokurorë është marrë vetëm në fillim të javës, dhe të premten është paraparë shqyrtimi i tërheqjeve për gjyqtarët.
Botuar fillimisht në Koha.net
