Prokuroria kërkon dënim për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është mbajtur seanca e fjalëve përfundimtare në rastin e vrasjes së 19-vjeçarit Ardit Zymeri. Në këtë proces gjyqësor, i pandehuri Bleon Dibrani akuzohet se më 23 mars 2025 e ka privuar nga jeta viktimën.

Gjatë seancës, ekspertët përkatës kanë dhënë edhe njëherë shpjegimet e tyre lidhur me gjetjet nga ekspertizat mjekoligjore, forenzike dhe vlerësimin psikiatrik. Në këtë drejtim, u dëgjuan eksperti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka, eksperti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Fejsal Lutfiu, si dhe eksperti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, Arsim Gashi.

Eksperti Naim Uka u ndal te konstatimet mjekoligjore në trupin e viktimës. Ai bëri të ditur se, në regjionin e shpinës së gishtit të parë të dorës së majtë, me besueshmëri është konstatuar se aty ka qenë plaga e parë gjatë incidentit. Sipas tij, prania e faktorëve plotësues të qitjes në atë regjion lidhet me faktin se ajo plagë ka ndodhur si plagë e parë gjatë ngjarjes.

Uka shtoi gjithashtu se në plagën me numër pesë ka vazhduar gjakderdhja edhe gjatë ekzaminimit të jashtëm kufomor. Ai përshkroi pozicionin dhe përmasat e plagës: plaga me numër pesë është e evidentuar në regjionin e majtë të jashtëm të shpinës, rreth 9.5 cm nën plagën paraprake me numër katër. Uka e lidh këtë edhe me distancën nga shputa e këmbës dhe me matjet pranë nënsqetullës së majtë, duke theksuar përmasat rreth 1.7 me 1.7 cm, me formë të çrregullt dhe ngjyrim të kuqe, e cila sipas tij ka vazhduar të tregojë shenja gjakderdhjeje edhe gjatë ekzaminimit të jashtëm kufomor.

Ndërsa, doktor Arsim Gashi nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës deklaroi se tek i ekzaminuari nuk janë gjetur elemente të natyrës psikike që do të ndikonin në uljen e aftësisë mendore. Në shpjegimin e dhënë në seancë, Gashi tha se në konstatimin e ekspertizës, në faqen e fundit, në paragrafi i dytë theksohet se në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, tek i ekzaminuari nuk janë gjetur elemente psikike që do të ndikonin në zvogëlimin e aftësisë mendore për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet. Ai sqaroi se, nëse do të ishin gjetur elemente që do të ndikonin në uljen e aftësisë mendore, ato do të specifikoheshin në ekspertizë.

Ekspertët dhanë detaje për plagët dhe distancën e qitjes në rastin Zymeri

Në pjesën tjetër të seancës, eksperti Fejsal Lutfiu nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë u ndal në mënyrën se si është kryer qitja. Ai tha se qitja ishte bërë nga distanca mbi një metër. Lutfiu shpjegoi se plumbi ka temperaturë që mund të shkaktojë djegie të lëkurës, por kur kalon në një distancë të caktuar dhe përballet me rezistencë, siç janë rroba të thjeshta, temperatura bie në rezistencën e parë. Sipas tij, temperatura zvogëlohet duke vazhduar drejt trupit dhe si rrjedhojë mund të mos shkaktojë djegie në lëkurë.

Lutfiu shtoi se distanca mbi 1 metër është vlerësuar edhe duke marrë parasysh mekanizmin e armës pas qitjes. Ai përmendi se, gjatë supozimeve, është bazuar në eksperimentimin me një armë të kalibrit të njëjtë, të konvertuar, ku janë regjistruar të dhënat pas një qitjeje normale në kënd drejt. Lutfiu theksoi se arma, në një qitje të tillë, hedh gëzhojat në anën e djathtë, në një lartësi prej 2 deri në 3 metra dhe në kënde të caktuara, nga rreth 30 gradë deri në 270 gradë. Ai e ilustroi edhe më lehtë duke e lidhur me orientimin e akrepave të orës, nga ora 2 drejt akrepave të orës 4-5.

Ndërkohë, avokatja e të pandehurit, Fatmire Braha, gjatë fjalës përfundimtare e pyeti sërish Bleon Dibranin lidhur me raportin që kishte pasur me viktimën, kërcënimet e pretenduara dhe ngjarjet e natës kritike. Dibrani deklaroi se e kishte njohur viktimën përmes rrjeteve sociale dhe se kishte marrë kërcënime vazhdimisht në rrjetet sociale. Ai tha se nuk e kishte raportuar rastin dhe shtoi se para se të ndodhte incidenti kishte qenë duke punuar. Sipas Dibranit, pasi kishte përfunduar punën ka dalë, ka shkuar te lokali “Mersi”, ku ka takuar shokun e tij Valonin dhe kanë pirë kafe bashkë. Dibrani pohoi se gjatë asaj kohe i kishte ardhur edhe një mesazh nga kolegu i punës, ku i thuhej “ruaju se Arditi është duke të kërkuar, ke edhe te puna”.

Po ashtu, Dibrani përmendi se atë natë, kur kishte dalë nga lokali dhe kishte pirë kafe, e kishte parë viktimën, si dhe kishte parë atë me shokët e tij në veturë. Mbrojtja ngriti më pas edhe çështjen e momentit kur, sipas të pandehurit, viktima kishte dorën në xhep, duke pyetur nëse kjo i kishte shkaktuar frikë atij. Dibrani u shpreh se nuk ka qenë e planifikuar dhe se nuk ka pasur ndërmend ta privojë nga jeta viktimën apo ta gjuante. Ai tha se armën e kishte mbajtur vetëm nëse i del përpara për ta frikësuar, ndërsa po atë natë, kur e kishte parë duke vrapuar drejt tij me njërën dorë në xhep, kishte menduar se mund të kishte armë dhe se ishte ndier i frikësuar.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version