PISA dhe epoka e IA: çfarë zbulojnë rezultatet

Rezultatet e PISA-s nuk duhet të lexohen vetëm si një listë renditjesh mes vendeve, sepse në thelb ato flasin për një problem më të thellë: mënyrën si është konceptuar procesi i të nxënit dhe rolin që arsimi luan në shoqëri. Kur shikohet vetëm “kush renditet më lart e kush më poshtë”, humbet kuptimi i vërtetë i asaj që testet po matin realisht dhe çfarë sinjali japin për sistemin arsimor.

Në shumë raste, sistemi ynë arsimor është ndërtuar kryesisht mbi transmetimin dhe riprodhimin e informacionit. Në këtë qasje, nxënësi dëgjon, mban mend dhe më pas, në testime, dëshmon se është në gjendje ta riprodhojë atë që ka mësuar. Për pasojë, aftësia që vlerësohet shpesh lidhet ngushtë me memorien, jo me përdorimin e dijes në situata të reja.

Këtu shfaqet një kontradiktë që del qartë nga PISA. Në një sistem ku hulumtimi, analiza, diskutimi dhe zgjidhja e problemeve mbeten në periferi të procesit mësimor ose nuk trajtohen fare, rezultatet që fokusohen te aplikimi i dijes në rrethana konkrete nuk mund të dalin ndryshe. PISA kërkon të masë se sa mirë nxënësit janë në gjendje ta përdorin dijen për të arsyetuar dhe për të zgjidhur probleme, pra jo thjesht për ta rikthyer informacionin në formë të njëjtë.

Kjo është arsyeja pse rezultatet e dobëta nuk shpjegohen vetëm me mungesë të mjeteve, infrastrukturë të pamjaftueshme apo numrin e orëve mësimore. Ato lidhen kryesisht me vetë filozofinë pedagogjike mbi të cilën funksionon sistemi. Nëse mësimdhënia dhe vlerësimi mbeten kryesisht te riprodhimi, atëherë nxënësit nuk po zhvillojnë në mënyrë të mjaftueshme aftësitë që kërkohen kur testet dalin përtej memorjes.

PISA kërkon të matet përdorimi i dijes, jo vetëm mbajtja mend

Për më tepër, situata është duke ndryshuar shpejt, sepse tashmë jemi në kohën e Inteligjencës Artificiale. Nëse deri dje sistemi arsimor mund të justifikonte deri në një masë fokusin në mbledhjen e informacionit, sot një pjesë e madhe e atij informacioni është e qasshme pothuajse menjëherë. Veglat e IA mund të shpjegojnë, përmbledhin, përkthejnë, krahasojnë dhe prodhojnë përmbajtje në sekonda, me një cilësi që bie në sy.

Në këtë realitet të ri, vlera e arsimit nuk mund të qëndrojë më vetëm te aftësia për të mbajtur mend. Detyrë e arsimit bëhet zhvillimi i aftësive që i japin kuptim dijes: të kuptuarit, arsyetimi, interpretimi, analizimi dhe zgjidhja e problemeve. Kur informacioni bëhet i lehtë për t’u marrë, diferenca mes nxënësve dhe mes sistemeve vjen gjithnjë e më shumë nga mënyra si e përdorin dijen, si e verifikojnë, si e lidhin me kontekste të reja dhe si munden të marrin vendime.

Prandaj, leximi i rezultateve të PISA-s duhet të çojë në reflektim përtej renditjes dhe në përmirësim të qasjes pedagogjike. Nëse sistemi mbetet i përqendruar te riprodhimi, ai bie ndesh me drejtimin që kërkon PISA. Ndërsa me epokën e IA, urgjenca për ta zhvendosur peshën drejt aftësive reale për të arsyetuar dhe për të zgjidhur probleme bëhet edhe më e qartë. Kjo do të thotë që arsimi duhet të përgatitë nxënësit jo vetëm për testet, por për situata ku dijen duhet ta kthejnë në veprim.

Botuar fillimisht në Koha.net

Exit mobile version