Organizatat kryesore botërore të kardiologjisë kanë prezantuar një përkufizim të ri universal për insuficiencën e zemrës, duke e zgjeruar mënyrën si diagnostikohet dhe menaxhohet kjo gjendje edhe kur zemra duket se po pompon “normalisht”. Rreth pesë vjet pas standardit të parë ndërkombëtar, dokumenti i ri synon që mjekët të mos mbështeten vetëm te një tregues i vetëm, por të shohin një tablo më të gjerë klinike.
Dokumenti me emërtimin “Second Universal Definition of Heart Failure” është publikuar më 29 qershor 2026. Ai është hartuar nga American Heart Association (AHA), American College of Cardiology (ACC), European Society of Cardiology (ESC) dhe World Heart Federation (WHF), në bashkëpunim edhe me organizata të tjera profesionale. Përmbajtja e tij është botuar në revistën shkencore Circulation. Sipas ekspertëve, insuficienca e zemrës nuk është një problem statik që mund të vendoset një herë e përgjithmonë, por një gjendje që ndryshon me kohën dhe kërkon vlerësim të vazhdueshëm.
Një nga pikat më të rëndësishme të ndryshimit lidhet me fraksionin e ejeksionit të ventrikulit të majtë, i njohur si LVEF. LVEF tregon përqindjen e gjakut që barkushja e majtë nxjerr gjatë tkurrjes. Ky tregues mbetet i rëndësishëm, por ekspertët po largohen nga përdorimi i kufijve numerikë tepër të ngurtë, sepse vlerat e LVEF-së mund të ndikohen nga disa faktorë si gjinia, mosha, përkatësia etnike dhe madje edhe metoda e imazherisë që përdoret për matje. Për rrjedhojë, një fraksion ejeksioni i ruajtur nuk e përjashton automatikisht diagnozën e insuficiencës së zemrës.
Përkufizimi i ri kërkon diagnozë më të saktë, jo vetëm një shifër
Korniza e re e ndan insuficiencën e zemrës në tri kategori klinike: me fraksion ejeksioni të reduktuar, të ruajtur dhe të përmirësuar. Ky ndryshim shkon përtej mënyrës së vjetër të interpretimit të rezultatit, duke e bërë vlerësimin më fleksibël dhe më të përshtatshëm për realitetin e pacientëve. Në këtë kontekst, logjika është që shifrat të mos shërbejnë si “vendim i vetëm”, por të integrohen në një interpretim më të gjerë të simptomave, shenjave dhe mekanizmave që mund të çojnë në keqfunksionim të zemrës.
Dokumenti thekson gjithashtu se insuficienca kardiake është dinamike. Për herë të parë përcaktohen më qartë dallimet ndërmjet përmirësimit, remisionit dhe rikuperimit. Mesazhi praktik për mjekët dhe pacientët është se edhe nëse funksioni i zemrës përmirësohet, kjo nuk do të thotë automatikisht se sëmundja ka përfunduar ose se rreziku është zhdukur. Përkundrazi, individët mund të vazhdojnë të kenë nevojë për mbikëqyrje dhe trajtim të përshtatur individualisht, në varësi të mënyrës se si ndryshon gjendja e tyre me kalimin e kohës.
Një tjetër risi lidhet me klasifikimin e shkaqeve të insuficiencës së zemrës, i cili tashmë bëhet më i detajuar. Në vend të ndarjeve më të përgjithshme, ekspertët propozojnë një taksonomi standarde që përfshin, ndër të tjera, sëmundjen ishemike të zemrës, hipertensionin, problemet e valvulave, sëmundjet infiltrative, infeksionet, inflamacionet, faktorët toksikë, çrregullimet trashëguese dhe metabolike, shtatzëninë, stresin ekstrem dhe sëmundjet kongjenitale. Arsyeja e këtij qasja më të strukturuar është se identifikimi i shkakut mund t’i ndihmojë mjekët të zgjedhin trajtime më të përshtatshme, të cilat i përgjigjen më mirë mekanizmit që qëndron pas gjendjes.
Përkufizimi i ri ruan sistemin me katër faza të insuficiencës së zemrës, por i jep rëndësi të veçantë fazës “pre-HF”. Kjo është një fazë kur një person mund të mos ketë ende simptoma, por mund të ketë ndryshime strukturore, funksionale ose tregues të tjerë që sinjalizojnë rrezik të shtuar. Synimi është që problemet të identifikohen herët dhe faktorët e rrezikut të trajtohen sa më shpejt, para se të zhvillohet insuficienca simptomatike. Po ashtu, mesazhi i konsensusit është i qartë: funksioni i zemrës nuk duhet vlerësuar vetëm nga një shifër. Edhe kur fraksioni i ejeksionit rezulton i ruajtur, tabloja e përgjithshme klinike mund të tregojë se zemra nuk po funksionon siç duhet. Sipas AHA-së, insuficienca e zemrës prek më shumë se 64 milionë të rritur në mbarë botën.
Botuar fillimisht në Telegrafi





