Shporta e konsumit po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme për qytetarët, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave. Me inflacionin që ka arritur në 6 për qind dhe me paralajmërimet për rritje të mëtejshme të çmimeve, ekspertët vlerësojnë se mungesa e përshtatjes së pagave dhe pensioneve po e dobëson fuqinë blerëse.
Një pjesë e madhe e produkteve në markete, sipas të dhënave dhe vëzhgimeve të qytetarëve, nuk mbajnë të njëjtin çmim nga muaji në muaj. Brenda një viti, çmimet kanë shënuar rritje në nivelin prej 6 për qind, duke e bërë më të vështirë planifikimin e shpenzimeve familjare dhe duke rritur presionin mbi buxhetet mujore.
Në terren, ka qytetarë që thonë se të ardhurat nuk po mjaftojnë për t’u përballur me rritjet e vazhdueshme. Një nga personat që ka bërë pazarin e ditës theksoi se pagat janë të pamjaftueshme përballë çmimeve që vazhdimisht rriten. Ai shprehu se nëse pagat do të qëndronin në të njëjtin nivel me çmimet, situata do të ishte më e pranueshme, ndërsa sipas tij, tashmë çmimet po shkojnë “në qiell” dhe kjo po e vështirëson jetesën për ata që nuk kanë punë dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, duke krijuar nevojë për më shumë ndihmë.
Inflacioni në 6% kërkon rritje të pagave dhe pensioneve
Sipas Agjencisë së Statistikave, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 për qind në muajin qershor, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2025. Në të njëjtin raportim, agjencia bën të ditur se shtrenjtimet më të mëdha janë vërejtur te transporti, ku rritja ka arritur në 13,7 për qind. Një rritje e konsiderueshme është raportuar edhe në energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse, me 11,1 për qind, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt te kostot e përditshme të konsumit.
Përtej statistikave mujore, ndikimet po ndihen edhe përmes çmimeve të produkteve energjetike. Këtë javë, çmimet e naftës kanë shënuar rritje nga dita në ditë, pas rikthimit të sulmeve në Iran. Lëvizjet në tregun e energjisë shpesh përcillen më pas te shpenzimet e transportit dhe te kostoja e mallrave, duke i bërë rritjet më të ndjeshme për qytetarët.
Eksperti i ekonomisë, Fidan Qerimi, ka thënë se krizata dhe konfliktet në Lindjen e Mesme pritet të kenë ndikim të mëtejmë në inflacion. Ai thekson se një pjesë e rëndësishme e furnizimit botëror për bujqësinë varet nga kjo pjesë e botës, dhe për këtë arsye, pret që inflacioni të mbetet më i lartë edhe në të ardhmen. Sipas tij, niveli i pagave, pensioneve dhe skemave sociale nuk janë të mjaftueshme për t’i përballuar çmimet që vazhdimisht ngrihen.
Qerimi argumenton se inflacioni prej 6% është relativisht i lartë dhe tregon se kostoja e jetesës po rritet më shpejt se sa të ardhurat e qytetarëve. Në këtë logjikë, ai paralajmëron se nëse pagat dhe pensionet nuk rriten, do të ketë rënie të fuqisë blerëse. Ai e shpjegon këtë me një shembull konkret: produktet që vitin e kaluar janë blerë me 100 euro, tash duhet të paguhen 106 euro, duke reflektuar drejtpërdrejt rritjen e çmimeve.
Botuar fillimisht në Koha.net
