Novosella për takimin e Stambollit: s’kishte tension, ja ç’mbeti

Sabri Novosella ka folur për takimin e tetorit 1981 në Stamboll dhe raportet mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës, duke e vendosur theksin te dallimet ideologjike që, sipas tij, nuk u zbutën pavarësisht përpjekjeve për bashkim. Në emisionin “Dosje” të RTV Dukagjinit, të udhëhequr nga Ermal Panduri, Novosella u pyet për atë se a ishte tensionuar situata gjatë takimit ku ishin të pranishme edhe figura të tjera, ndërsa ai ka mohuar se të ketë pasur një “tensionim” të vërtetë siç përshkruhet në versionin e njërës prej palëve.

Panduri e vuri në pah se Saime Isufi, gruaja e Kadri Zekës, kishte folur për një takim aq të tensionuar sa që, sipas deklarimeve të saj, kjo kishte ndikuar edhe në raportet mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës. Novosella tha se nuk mund të flitet për tensionim dhe se ajo çfarë mbeti ishte te qëndrimet e kundërta. “Nuk mundem të them se është tensionuar, por mbetëm para qëndrimeve tona”, ka deklaruar ai, duke u distancuar nga narrativa se takimi kishte prodhuar përplasje të menjëhershme emocionale.

Ai shtoi më tej se versionin e Isufit e kundërshton, duke e lidhur këtë me atë që ai e ka njohur nga afër. Novosella u shpreh se pas të gjitha viteve nuk i duket i saktë pretendimi se aty “u prishën” raportet. “Po tash më vjen keq me thënë para publikut, por ajo rren ngapak, e njoh. Edhe nuk është e vërtetë. Ato punë kanë qenë krejt normale”, ka thënë ai, duke theksuar se zhvillimet gjatë takimit, të paktën sipas kujtesës së tij, nuk kishin qenë të tilla siç përshkruhen.

“Pa Amerikën çlirim nuk ka” – ky ishte mesazhi i Novosellës për dallimet

Novosella e ka shpjeguar logjikën e takimit duke thënë se takimet mes Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës ishin organizuar në funksion të përpjekjeve për bashkimin e organizatave. Megjithatë, ai thotë se dallimet mes tyre ishin të mëdha në planin ideologjik dhe pikërisht aty, sipas tij, qëndron çelësi i moskuptimit. Ai ka theksuar se Jusufi dhe Kadriu ishin në një linjë që lidhej me bashkimin e organizatave me orientim tjetër, ndërsa grupi i tij e shihte synimin për një organizatë kombëtare dhe çlirimtare. “Takimi i Jusuf Gërvallës me Kadri Zekën ka qenë në vijën e bashkimit të organizatave. Ne kemi qenë për një organizatë kombëtare, çlirimtare. Ata kanë qenë për një organizatë marksiste-leniniste. Dallimi ka qenë shumë i madh”, ka deklaruar Novosella.

Gjatë bisedës, Panduri e solli në vëmendje edhe çështjen e letrës së Jusuf Gërvallës nën presionin e UDB-së. Novosella u pyet nëse, pavarësisht dallimeve ideologjike, qëllimi përfundimtar ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës. Ai është pajtuar se objektivi kishte qenë i përbashkët, por ka theksuar se mënyra dhe kalkulimet politike nuk ishin të njëjta, sidomos për rolin e mbështetjes amerikane. Novosella e ka lidhur këtë me atë që, sipas tij, pa përfshirjen e SHBA-së nuk arrihet çlirimi. “Qëllimi ka qenë i njëjtë, por është puna që ka qenë e paralexueshme. Se kështu krahu jonë me Metush Krasniqin dhe të tjerë, ne kemi qenë të përcaktuar, një dhe një bëjnë dy, pa Amerikën çlirim nuk ka, pa Amerikë absolutisht”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Novosella ka përsëritur këtë qëndrim edhe kur biseda është kthyer në kohën aktuale. Ai ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e krahasuar diskursin e tij me një narrativë që, sipas Novosellës, nuk e ka peshën e duhur gjeopolitike. Ai përmendi një formulë të vetën për rolin e SHBA-së, duke thënë se “Zoti në qiell, Amerika në tokë” dhe se për të “Amerika” ka qenë faktor real. “Edhe sot po them, përrallat e Albin Kurtit që i tregon janë shumë të dobëta. Zoti në qiell, Amerika në tokë. Qe shiko këtu amerikanët ku i kam, këtu gjeneralin e Amerikës, i kam pasë amerikanët këtu në bibliotekë. Kështu që ne e kemi ditë, si një dhe një që bëjnë dy, që pa Amerikën çlirim nuk ka pasë”, ka deklaruar Novosella.

Për ta mbyllur pjesën e çështjes së raportit mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës, Panduri e pyeti drejtpërdrejt nëse ai përjashton mundësinë që pas takimit të Stambollit të ketë pasur “ftohje” mes tyre. Novosella u përgjigj prerë, duke thënë se nuk ka pasur asnjë ndryshim të qëndrimeve të përhershme. “Absolutisht, jo. Jusufi qato qëndrime i ka pasë të përhershme, qëllimet kanë qenë të përbashkëta”, tha ai. Panduri më pas rikujtoi se Kadri Zeka kishte ardhur me synimin për bashkimin e organizatave, por që bashkimi, sipas procesverbaleve të takimit, nuk kishte ndodhur dhe kjo kishte sjellë irritim e një periudhë ftohjeje. Përgjigjja e Novosellës ishte se dallimi kryesor ka qenë në qëndrimet ideologjike: “Qëndrimi jonë në ballë me Metush Krasniqin, Metush Krasniqi udhëheqës i organizatës, ka qenë i qartë: pa Amerikën populli shqiptar asgjë nuk mund të bëjë. Zot mos na le pa Amerikën, kurse ata kanë pasë qëndrimin marksist-leninist”, përfundoi Novosella./TV Dukagjini

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version