Drejtori i IEVP Rrogozhinë dhe shefi i policisë së burgut i kanë dhënë leje 5-ditore të dënuarit Alfred Hoxha, por ky i fundit nuk është kthyer në institucion në afatin e caktuar. Burri, i dënuar për “vjedhje”, është larguar nga burgu i Rrogozhinës gjatë periudhës kur përfitonte lejen.
Alfred Hoxha, i njohur edhe si Aurel Hoxha, vjen nga Shijaku dhe kishte marrë dënimin nga gjykata me 4 vite burgim për akuzën e “Vjedhjes”. Ai ka shlyer 3 vite burgim, ndërsa i mbetet edhe 1 vit për të përfunduar vuajtjen e plotë të dënimit. Ndërkohë, leja 5-ditore që i ishte miratuar i ka dhënë atij mundësinë të dilte jashtë burgut për disa ditë, por nuk është respektuar detyrimi për t’u paraqitur sërish.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazetari Elton Qyno, i dënuari nuk është vetëparaqitur në institucion e vuajtjes së dënimit brenda ditës së sotme dhe orarit të përcaktuar nga drejtoria e IEVP Rrogozhinë. Hoxha duhej të kthehej në mesditë në burgun e Rrogozhinës, pasi periudha kohore prej 5 ditësh kishte përfunduar, por një veprim i tillë nuk është kryer, duke çuar në largimin e tij.
Menjëherë, drejtoria e burgut mësohet se ka marrë kontakt me familjarët e Alfred Hoxhës dhe njëkohësisht ka njoftuar Policinë e Shtetit. Familjarët janë shprehur se nuk kishin dijeni se ku ndodhej i afërmi i tyre, ndërsa kanë premtuar se do ta njoftonin atë që të kthehej sërish në burg, me qëllim shlyerjen e dënimit të mbetur.
Leja 5-ditore përfundoi, por Alfred Hoxha nuk u rikthye në burg
Në burgun e Rrogozhinës, Alfred Hoxha vuante dënimin së bashku me vëllanë e tij, i cili po ashtu mësohet të jetë dënuar për të njëjtën vepër penale. Sipas dëshmisë së vëllait, të dhënë në policinë e burgut të Rrogozhinës, momenti i ndarjes ka qenë i ngarkuar emocionalisht. Ai ka treguar se dita kur Alfred Hoxha doli me lejë 5-ditore ishte pasuar nga një përqafim, ndërsa i vëllai i ka thënë se “…do e mari shumë malli për të…”. Megjithatë, rikthimi i premtuar në institucion nuk ka ndodhur.
Rasti pritet të ndiqet nga strukturat përgjegjëse, të cilat pritet të verifikojnë rrethanat e mosrikthimit të të dënuarit dhe të ndërmarrin procedurat përkatëse, në përputhje me parashikimet ligjore. Në paralel, është nisur edhe një hetim administrativ për të zbardhur rolin dhe përgjeshmërinë e Drejtorit të Burgut Rrogozhinë, Alban Zela, si dhe të shefit të policisë së burgut, Jonuz Brahushi, të cilët kanë miratuar lejën 5-ditore për Alfred Hoxhën nga Shijaku.
Ndërkohë, informacionet që qarkullojnë flasin për abuzime të mundshme me miratimin e kërkesave për leje të të dënuarve. Thuhet se nga 5 leje në javë, këtë radhë në burgun e Rrogozhinës janë miratuar 14 leje brenda javës, një shifër që ka ngritur dyshime për një prapavijë korruptive. Krahasuar me institucionet e tjera, burgu i Rrogozhinës rezulton me një ritëm më të lartë miratimesh, ndërkohë që burgje të tjera si ai i Fierit, Reçit dhe Drenovës, sipas të dhënave, e kanë kufirin deri në 10 leje në javë për të dënuarit, edhe pse numri i personave që vuajnë dënimin në këto burgje mësohet të jetë shumë herë më i madh se ai në Rrogozhinë.
Botuar fillimisht në Bota Sot