Nju Jork-u feston Brazil–Marok dhe shpall Knicks kampionë

Nju Jork-u ka arritur një natë që vështirë se përshkruhet me fjalë, ku emocionet e sportit u përzien me një atmosferë të vërtetë feste. Mbrëmë, pas magjisë së Kupës së Botës, kryeqyteti i imagjinatës sportive kaloi menjëherë te një tjetër kulm: kur u kurorëzuan zyrtarisht New York Knicks, pas pritjes prej gjysmë shekulli.

Në Group C të Kupës së Botës u luajt ndeshja e madhe Brazil – Marok. Pesë herë kampionët e botës u përballën me “Brazilin e Afrikës”, skuadrën surprizë të Kupës së Botës FIFA 2022. Atmosfera nisi herët: që nga orët e mesdrekës, mijëra tifozë brazilianë dhe marokenë filluan të mblidheshin në Times Square dhe Midtown Manhattan, në sheshin ikonë që këto ditë ka pritur rreth 1.5 milion turistë të huaj nga e gjithë bota.

Ngjyrat jeshile-verdhë të Brazilit mbushën çdo cep të Times Square. Flamuj të mëdhenj valëviteshin pa pushim, daullet braziliane dhe këngët ritmike e kthyen zonën në një karnaval tropikal. Në qendër të Midtown-it, festa u ndez rreth orës 11:00, kur tifozët nisën të demostrojnë ngjyrat dhe simbolet kombëtare. Nga mëngjesi herët, sheshi u shndërrua në një det të verdhë-jeshil, me tifozë që këndonin “Brasil, Brasil!”, kërcenin samba dhe festonin siç dinë vetëm ata.

Edhe tifozët marokenë ishin të pranishëm në numër të madh, të mbështetur edhe nga marokenët që jetojnë në Amerikë dhe e kanë New Yorkun/New Jersey si shtëpinë e dytë. Ata krijuan atmosferë po aq intensive në Times Square, me ngjyra të kuqe e jeshile, këngë tradicionale dhe një pasion që nuk u shua deri në përfundim. Maroku erdhi në këtë ndeshje si surprizë, pas gjysmëfinales historike në 2022, ku tifozët e tij janë njohur ndër më të zëshmit dhe më entuziastët në botë.

Një natë ku sporti bashkon Nju Jork-un

Në stadiumin Metlife, rivaliteti mes dy tifozërive u shfaq si garë e gjallë, por pa humbur frymën miqësore. Brazilianët u përballën pa Neymarin e lënduar, ndërsa në fushë u shfaqën yje si Vinícius Jr, Raphinha dhe sulmues të rinj si Endrick. Maroku, me Hakimi dhe lojtarë të talentuar që synojnë surprizën, ia doli të bëjë një ndeshje të fortë dhe plot ritëm. Takimi përfundoi në barazim 1:1, ndërsa festa vazhdoi në rrugë: brazilianët me samba dhe parti rrugore, marokenët me këngë që mbanin simbole patriotike dhe fetare dhe me flamuj kombëtarë që valëviteshin kudo.

Qyteti i Nju Jorkut u kthye në një oqean njerëzish, ndërkohë që NYPD tregonte kujdes për sigurinë dhe qetësinë në këtë festë të paparë sportive. Ishte një fillim i mrekullueshëm i natës së Kupës së Botës FIFA 2026 në New York dhe një demonstrim i qartë se sporti ka fuqinë të bashkojë njerëz nga kultura të ndryshme, duke i bërë të përjetojnë të njëjtin ritëm dhe të njëjtin gëzim.

Pak më vonë, në qendër të qytetit erdhi kulmi i natës afër mesnatës. Pas gjysmë shekulli pritjeje, New York Knicks u kurorëzuan zyrtarisht kampionë të NBA-së. Më 13 qershor 2026, në Game 5, Knicks mundën San Antonio Spurs 94-90. Kthimi u cilësua historik, pasi ekipi u rikthye pas 16 pikësh disavantazh, i udhëhequr nga kapiteni Jalen Brunson, i cili shënoi 45 pikë dhe u shpall basketbollisti më i mirë MVP i Finaleve në NBA 2025/2026.

Festimet në New York u shndërruan në një çmenduri totale pozitive. Rreth Madison Square Garden-it, mijëra tifozë të “tërbuar” bllokuan plotësisht Sixth dhe Seventh Avenue dhe stacionin e trenit 34 street si dhe Pensilvenia Station. Disa u ngjitën mbi autobusë, mbi semaforë dhe mbi taksi, ndërsa këndonin me zë të lartë “Empire State of Mind” dhe “Gooo! New York Gooo!”. Times Square u ndez si në natën e Vitit të Ri: dritat u dukën më të forta se kurrë, ndërsa të rinjtë “shpërthyen” në rrugë dhe sheshe me brohoritje dhe fishekzjarre, pothuajse deri në mëngjes.

Kamerat fiksuan edhe momentet në Wach Party në baret dhe klubet e qytetit, ku njerëzit qanin nga gëzimi, përqafonin njëri-tjetrin dhe vallëzonin në mes të rrugës. Ky “kaos i bukur” tregoi se New Yorku di si të festojë, edhe pas 53 vitesh pritjeje. Kryetari i Bashkisë njoftoi paradën e madhe me tickertape më 18 qershor. Për Knicks, ajo që ndodhi më 13 qershor në metropolin e botës u lidh direkt me idenë se sporti bashkon njerëzit, ndërsa emocionet rikthejnë besimin se ëndrrat mund të realizohen edhe pas gjysmë shekulli.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version