Protestat në Tiranë dhe në Beograd po zhvillohen në një mënyrë që i ngjan shumë njëra-tjetrës. Edhe pse Shqipëria dhe Serbia kanë histori të ndryshme, këto ditë rrugët e dy kryeqyteteve po shërbejnë si skenë për një betejë të përbashkët qytetare. Në qendër të kësaj vale pakënaqësie nuk po qëndrojnë më etnitë apo llogaritë gjeopolitike, por një kërkesë e qartë: një qeverisje më demokratike, më e përgjegjshme dhe më e bazuar në sundimin e ligjit.
Në të dyja vendet lëvizjet kanë nisur nga një dështim i shtetit, i perceptuar nga qytetarët si i plotë. Në Serbi, rasti që ndezi protestat lidhet me rënien e një pjese të stacionit të trenit në Novi Sad, një ngjarje ku humbën jetën 16 qytetarë serbë. Tronditja që solli kjo ngjarje u shndërrua shpejt në zemërim publik dhe në një thirrje për përgjegjësi ndaj atyre që, sipas protestuesve, nuk garantuan sigurinë dhe funksionimin e duhur të institucioneve.
Në Shqipëri, ndryshe nga natyra e lajmit dhe mënyra si u transmetua, thelbi i alarmit qytetar ishte i ngjashëm: shthurje dhe pafuqia e institucioneve përballë dhunës. Protestat nisën pas asaj që u shfaq në transmetim live, kur para organeve të shtetit bandat terrorizuan dhe tërhoqën zvarrë qytetarët e pafajshëm në Zvërnec. Kjo ngjarje, e parë drejtpërdrejt nga publiku, u kthye në simbol të një gjendjeje ku siguria dhe ligji duken se nuk po funksionojnë si duhet.
“Një Ballkan i ri” del në pah kur protestat, fillimisht të lidhura me dy raste të veçanta, bëhen shumë shpejt një lëvizje e gjerë për ndryshim. Në të dyja kryeqytetet, qytetarët nuk u mjaftuan vetëm me reagimin fillestar. Protestat morën drejtim më të qartë kur u kuptua se ajo që ndodhi nuk ishte thjesht rastësi, por lidhej me mënyrën si qeverisja po menaxhon pushtetin dhe interesat publike.
Qytetarët kërkojnë sundimin e ligjit dhe qeverisje të përgjegjshme
Një nga elementët që i bashkon kërkesat e protestuesve në Tiranë dhe në Beograd lidhet me pretendimet për keqpërdorim të pronave publike. Në të dyja vendet, protestat u ndezën kur qytetarët vunë re se qeveritë, sipas tyre, po bëjnë “allish verishe” me prona publike, duke i kamufluar ato si investime të huaja direkte. Me këtë, lëvizjet u shndërruan nga reagim ndaj një ngjarjeje konkrete në kundërshtim ndaj një modeli qeverisjeje që, sipas protestuesve, nuk respekton transparencën, interesin publik dhe parimet bazë të shtetit ligjor.
Në të dyja rastet, protestat po udhëhiqen nga të rinjtë. Pavarësisht se në kryeqytete vërehen diferenca në kontekst dhe në rrjedhën e ngjarjeve, mekanika sociale e protestës shfaqet e ngjashme: organizimi po vjen nga vetë qytetarët, në mënyrë organike, pa një plan të imponuar nga jashtë. Organizimi i të rinjve po i jep protestës një ritëm të caktuar dhe një orientim të qartë, duke e mbajtur fokusin te ndryshimi i klasës politike dhe i modelit qeverisës.
Kërkesat që përmenden në të dyja vendet janë po thuaj se identike. Në qendër qëndron sundimi i ligjit, i cili për protestuesit lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë e institucioneve dhe me garantimin e sigurisë dhe drejtësisë. Në këtë kuptim, protestat në Tiranë dhe Beograd nuk paraqiten si lëvizje me pretendime vetëm për të kaluarën, por si një thirrje për një standard të ri të qeverisjes. Beteja, siç po e shohin qytetarët që marrin pjesë, është mes gjeneratës së re të të rinjve evropianë dhe politikanëve të asaj që po konsiderohet si epoka e kaluar.
Ndërkohë, konteksti i këtyre lëvizjeve ka treguar se tensioni publik mund të ndryshojë shpejt format. Nga dy ngjarje nisëse—rënia e pjesës së stacionit të trenit në Novi Sad me 16 viktima dhe dhuna e bandave në Zvërnec e shfaqur në transmetim live—protestat u shndërruan në lëvizje për ndryshim më të thellë. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht dallimeve historike midis Shqipërisë dhe Serbisë, qytetarët po kërkojnë një të përbashkët: qeverisje të përgjegjshme dhe demokratike.
Botuar fillimisht në Koha.net




