Në Prishtinë prezantohet “Ditari i një fotografi të luftës”

Qindra qytetarë u mblodhën të mërkurën mbrëma në Galerinë e Arteve në Prishtinë për të ndjekur inaugurimin e ekspozitës “Ditari i një fotografi të luftës”, të autorit Visar Kryeziu. Ceremonia solli në një vend të vetëm dëshmi vizuale të një periudhe të rëndësishme të historisë së Kosovës, të përcjella përmes fotografisë.

Ekspozita u realizua në kuadër të platformës “Liria ka Emër”, ku kuratore është artistja dhe deputetja Eliza Hoxha. Përmes serisë së fotografive, ekspozita synon të sjellë një pjesë të kujtesës së luftës së Kosovës, duke dokumentuar momente nga terreni gjatë periudhave më vendimtare për vendin.

Në inaugurim ishte i pranishëm edhe Telegrafi. Ndërsa vetë autori Visar Kryeziu foli për punën e tij dhe rëndësinë që këto fotografi kanë për publikun. Ai shprehu emocionet teksa e paraqiti ekspozitën si një formë kujtese, duke theksuar se përmes fotove synohet të përcillen momente kur pjesëtarë të guximshëm vendosën të përballen me armikun për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën.

“Ekspozita ‘Ditari i një fotografi të luftës’ ka të bëjë me një kujtesë, me një dëshmi të një periudhe të lavdishme të popullit tonë”, tha Kryeziu, duke nënvizuar se gjatë asaj kohe ka punuar për të kapur skena nga lufta. Ai tregoi se gjatë viteve 1998-1999 kishte qenë në terren, duke dokumentuar momente të ndryshme që lidhen me betejat dhe përgatitjet e tyre, por edhe me pasojat që lanë ato.

Fotografitë nxjerrin në dritë kujtesën e luftës së Kosovës

Gjatë rrëfimit, autori bëri të ditur se në fotografi paraqiten skena të larmishme: ceremoni të ndryshme, ndihma, shpërndarje dhe edhe kthimi i njerëzve në shtëpitë e tyre. Ai tha se, pavarësisht përpjekjeve, fatkeqësisht nuk është arritur që të mbijetojnë të gjithë, por ekspozita përçon edhe faktin se është parë dita e lirisë, e cila shikohet si fitore.

Kuratorja e ekspozitës, Eliza Hoxha, e vlerësoi “Ditari i një fotografi të luftës” si një projekt që shkon përtej fotografisë. Sipas saj, qëllimi është të ruhen dhe të përcillen rrëfimet e njerëzve që kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Hoxha u shpreh se ka një krenari të madhe me idenë se në këtë rrugëtim janë përfshirë “njerëzit e udhës” dhe njerëzit që kanë luftuar për të qenë të lirë, teksa theksoi se gjatë kohës së paqes nuk janë kujdesur mjaftueshëm që këto rrëfime të gjejnë vendin e tyre në institucione, në zemrat e njerëzve, në shtëpitë e tyre dhe në shoqëri apo muze.

Eliza Hoxha theksoi edhe misionin kryesor të platformës “Liria ka Emër”: mbledhjen dhe prezantimin e materialeve që lidhen me rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, si dhe ruajtjen e tyre për gjeneratat e ardhshme. Ajo tha se platforma synon të krijojë një lidhje që këto rrëfime të shkojnë te një gjeneratë tjetër në mënyrën më të plotë të mundshme, duke falënderuar edhe njerëzit që ende janë gjallë dhe e kanë mbajtur të gjallë këtë histori.

Duke iu referuar edhe procesit gjyqësor në Hagë, Hoxha tha se në vitet e fundit platforma është fokusuar më shumë edhe te sensibilizimi i opinionit publik rreth procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ajo përmendi se gjatë gjashtë viteve në procesin e Gjykatës Speciale apo Dhomave të Specializuara në Hagë, “Liria ka Emër” ka organizuar aktivitete të ndryshme me idenë e sensibilizimit dhe bashkimit. Hoxha theksoi se edhe kur të kthehen çlirimtarët në shtëpi, platforma do të vazhdojë plotësisht me misionin e saj.

Ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës” do të vazhdojë të jetë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me fotografitë dhe dëshmitë e sjella nga Visar Kryeziu. Hapja e ekspozitës vjen në një periudhë të rëndësishme edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët pritet të marrin verdiktin më 16 shtator.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version