Në udhëkryqin e fshatit Opterushë të Rahovecit u mbajt një përkujtim kushtuar 28 vjetorit të dëshmorëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ngjarje morën pjesë familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, përfaqësues të institucioneve dhe mysafirë, të cilët u bashkuan për të nderuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Gjatë ceremonisë u përmendën emrat e dëshmorëve: Xhelal Hajda – “Toni”, Selajdin Mullabazi – “Mici”, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri. Përkushtimi i të pranishmëve dhe kujtimet e ndara gjatë përkujtimit shërbyen për të rikujtuar se lufta e viteve të saj mbetet pjesë e historisë që nuk duhet harruar.
Me këtë rast, u theksua vlera e sakrificës së dëshmorëve për lirinë e Kosovës. Bashkëluftëtarët e pranishëm theksuan se figurat e tyre vazhdojnë të mbeten udhërrëfyes në përpjekjet për liri dhe se emri i tyre lidhet me përballjen e vështirësive gjatë rrugëtimit drejt pavarësisë.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, foli për përballjen e luftëtarëve të UÇK-së me forcat e motorizuara serbe, ku ranë dëshmorët. Ai kujtoi se ngjarja nuk ishte e rastësishme, por një moment kur luftëtarët u gjendën përballë një force më të madhe. “Gjatë rrugëtimit të lirisë, pikërisht këtu, u ndeshën me forcat e motorizuara serbe. Përballja ishte e pabarabartë, e në fushën e nderit ranë shokët tanë më të shquar, duke lënë pas nder, lavdi e krenari”, tha Latifi.
Ndërkohë, bashkëluftëtari Daut Haradinaj u ndal në një çështje që lidhet me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai foli për atë që e quajti padrejtësi ndaj tyre dhe bëri thirrje për bashkim rreth flamurit kombëtar dhe emblemës së UÇK-së. Sipas fjalës së tij, respekti për sakrificën e luftëtarëve duhet të reflektohet edhe në qëndrime e përkushtim qytetar.
Ruajtja e së vërtetës dhe dinjitetit të luftëtarëve, amanet i përkujtimit
Gëzim Saraqi – Vushtrria theksoi rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës dhe dinjitetit të luftëtarëve. Ai nënvizoi se kujdesi ndaj historisë dhe mënyra se si ajo tregohet, lidhet drejtpërdrejt me respektin për ata që dhanë jetën. “Amanetin e dëshmorëve e jetësojmë vetëm atëherë kur ne e mbrojmë të vërtetën, e ruajmë dinjitetin e luftëtarëve, si dhe nuk lejojmë përpjekjet për ta shtrembëruar historinë tonë”, tha Saraqi.
Kujtime nga koha e luftës ndau edhe bashkëluftëtari nga Istogu, Azem Zeka, duke sjellë rrëfime që lidhin përkujtimin me përjetimet e asaj periudhe. Përfaqësuesi i familjarëve të dëshmorëve, Ermal Mullabazi, tha se dëshmorët mbeten frymëzim për vazhdimin e rrugës drejt unitetit kombëtar. Ai përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për të cilët tha se shpreson që së shpejti të kthehen në Kosovë.
Në kuadër të përvjetorit, u prezantua për herë të parë edhe kënga kushtuar dëshmorëve të rënë më 6 nëntor. Kënga u këndua nga artisti Vullnet Zhuniqi, duke i dhënë ceremonisë një dimension shtesë emocional e përkujtimor. Përkujtimi në Opterushë mbylli kështu një program të plotë, ku nderimi i dëshmorëve u shoqërua me kujtime, mesazhe uniteti dhe angazhime për të ruajtur të vërtetën e historisë.
Botuar fillimisht në Telegrafi
