Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar një qasje të re për integrimin europian, duke theksuar se Ukraina duhet të marrë një rol të drejtpërdrejtë brenda strukturave të Bashkimit Evropian si hap i përkohshëm drejt anëtarësimit të plotë. Sipas idesë së tij, ky proces i përshkallëzuar synon edhe të lehtësojë arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Propozimi i Merz vjen në një letër drejtuar liderëve të BE-së, e siguruar nga Reuters. Në këtë dokument, ai propozon krijimin e një statusi të ri për Ukrainën, të quajtur “anëtare e asociuar”. Ky status, sipas planit, do t’i lejonte zyrtarët ukrainas të merrnin pjesë në samitet e BE-së dhe në takimet ministrore, por pa të drejtë vote, duke mbajtur kështu një distancë nga mekanizmi formal i vendimmarrjes.
Në letrën e tij, Merz argumenton se BE-ja nuk duhet të vonojë më tej. “Nuk kemi më kohë për vonesa të tjera”, ka shkruar ai, duke e adresuar mesazhin presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Qipros, Nikos Christodoulides. Ai shton më tej se “tani është koha” që integrimi i Ukrainës në BE të ecë përpara me guxim përmes zgjidhjeve “inovative”, duke e trajtuar këtë si hapa “të menjëhershëm përpara”.
Ideja nuk u propozua papritur: Merzi ka zhvilluar diskutime për këto skema me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe me liderë të tjerë europianë gjatë një samiti joformal në Qipro në muajin prill. Në letër, ai shprehet se qëllimi i tij është që të arrihet “së shpejti” një marrëveshje, ndërsa thekson se kjo nuk do të jetë vetëm një formë e lehtësuar anëtarësimi.
Ukraina “anëtare e asociuar”, Ballkani Perëndimor si vëzhgues
Sipas planit gjerman, modeli i ri do t’i mundësonte Ukrainës të ketë një komisioner evropian pa portofol dhe pa të drejtë vote. Po ashtu, Ukraina do të kishte përfaqësues të asociuar në Parlamentin Evropian, por edhe ata pa të drejtë vote. Propozimi përfshin edhe të drejtën që përfaqësuesit ukrainas t’i drejtohen mbledhjeve të rëndësishme të BE-së, duke synuar një përfshirje më aktive në diskutime institucionale, pa u shndërruar ende në anëtar me fuqi të plotë vendimmarrëse.
Paralelisht, në dokument përmendet se Ukraina do të vijojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë duke zbatuar reforma të brendshme. Fokus i veçantë, sipas përshkrimit në letër, është në sundimin e ligjit dhe në të drejtat e pakicave. Ndërkohë, qasja ndaj vendeve të tjera të interesuara në rajon do të jetë e ndryshme: sipas planit, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të marrin statusin e anëtarit të asociuar, por vetëm një status më të ulët, si “vëzhguese” në institucionet e BE-së.
Një zyrtar gjerman ka dhënë edhe një shembull praktik për mënyrën si mund të funksionojë ky status: “Mund të imagjinojmë seanca të rregullta të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Në këtë mënyrë, rajoni – ku përfshihet edhe Kosova – do të ketë një formë të pjesëmarrjes, por në një nivel më të ulët krahasuar me Ukrainën, që sipas propozimit do të ketë një kornizë më të drejtpërdrejtë përmes strukturave dhe të drejtave të specifikuara pa të drejtë vote.
Botuar fillimisht në Koha.net
