Kushtetuesja në Bosnje ndalon financimin e lobimit për Republikën Sërpska

Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës ka vendosur të premten të ndalojë pagesat nga buxheti i Republikës Sërpska për lobim, përfshirë edhe fondet që shërbejnë për financimin e kontratave të lobimit që lidhen me avokimin e shkëputjes së entitetit serb nga shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës.

Vendimi lidhet me zërin buxhetor “Transferet për përfaqësitë e Republikës Sërpska jashtë vendit”, i paraparë në buxhetin e këtij entiteti për vitin 2026 në vlerën prej rreth tetë milionë eurosh. E njëjta çështje lidhet edhe me të njëjtin zë në rishikimin e dytë të buxhetit për vitin 2025, ku ishin paraparë rreth 25 milionë euro.

Gjykata Kushtetuese i shpalli antikushtetuese fondet prej miliona eurosh të ndara nga Republika Sërpska për lobim jashtë vendit. Në këtë kuadër përfshihet edhe një kontratë që Përfaqësia e Republikës Sërpska në Vjenë kishte lidhur me kompaninë kanadeze “Dickens & Madson”.

Pas këtij vendimi, Gjykata ndaloi njëkohësisht të gjitha pagesat nga buxheti i Republikës Sërpska që bazoheshin në atë kontratë, si dhe financimin e angazhimeve të tjera për lobim. Sipas arsyetimit të Gjykatës, qëllimet e këtyre angazhimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe me institucionet shtetërore të vendit.

Gjykata Kushtetuese ndalon fondet e lobimit për shkëputje

Vendimi i Gjykatës u mor pas kërkesës së Denis Zvizdiqit, nënkryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës. Në kërkesën e tij, Zvizdiqi kërkoi që Gjykata Kushtetuese të zgjidhte një mosmarrëveshje mes Bosnje dhe Hercegovinës dhe entitetit të saj, Republikës Sërpska, lidhur me miliona euro të ndara për përfaqësitë e këtij entiteti jashtë vendit. Këto fonde, sipas kërkesës, përfshinin edhe shuma të përdorura për financimin e kontratave të lobimit që lidhen me promovimin e pavarësimit të Republikës Sërpska.

Zvizdiqi e kishte dorëzuar kërkesën në prill të këtij viti. Në argumentimin e tij, ai kërkoi ndalimin e pagesave buxhetore nga të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnje për lobim, kur ato synojnë qëllime antikushtetuese dhe të paligjshme. Po ashtu, ai paralajmëroi se shpenzimi i parave të buxhetit nuk duhet të orientohet drejt cenimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.

Sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë, Republika Sërpska ka paguar katër milionë dollarë nga buxheti i saj për lobistë në Uashington për të promovuar pavarësimin e këtij entiteti. Po ashtu, të dhëna nga një bazë amerikane, të analizuara nga REL-i, tregojnë se kontrata e fundit me kompaninë izraelito-kanadeze “Dickens & Madson” është pjesë e një fushate shumëvjeçare lobimi të autoriteteve të Republikës Sërpska në Shtetet e Bashkuara. Për atë fushatë, që nga viti 2015, janë ndarë të paktën 8.3 milionë dollarë, ndër synimet e së cilës kanë qenë heqja e sanksioneve amerikane ndaj ish-presidentit dhe kryeministrit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, si dhe kundërshtimi i legjitimitetit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.

Sipas të njëjtit material, Shtetet e Bashkuara i hoqën sanksionet ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij në vitin 2025, ndërsa Schmidt dha dorëheqje nga posti në maj të këtij viti. Ndërkohë, autoritetet e këtij entiteti kishin paraparë edhe 54.9 milionë marka, që janë rreth 28 milionë euro, për aktivitetet e lobimit në rishikimin e buxhetit për vitin 2025. Fondet për lobim ishin miratuar nga shumica qeverisëse në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska, e udhëhequr nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur dhe Dodikut.

Vendimi prek edhe një çështje parimore: sipas kuadrit kushtetues në fuqi, entitetet e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kanë të drejtë të shkëputen nga shteti dhe as të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme integritetin e tij territorial. Në një vendim të mëhershëm, të vitit 2008, Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës kishte vlerësuar se Republika Sërpska mund të angazhonte lobistë për promovimin e interesave të veta. Në atë rast, Gjykata hodhi poshtë pretendimet se një veprim i tillë cenonte kompetencat ekskluzive të shtetit në fushën e politikës së jashtme. Por Zvizdiq argumentoi se rasti aktual dallon, pasi fondet e buxhetit përdoren për aktivitete që lidhen drejtpërdrejt me promovimin e pavarësimit të Republikës Sërpska, gjë që, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe me vendimet e mëhershme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version