Serbia i jep leje për gurore kompanive të Veselinoviqit

Segmentet e fundit të autostradës që pritet ta lidhin Serbinë me Malin e Zi janë shpallur si prioritete të Qeverisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, pavarësisht premtimeve që zgjasin prej vitesh, punimet në jugperëndim të Serbisë nuk kanë nisur ende, ndërsa autorizimet për projekte të tjera në të njëjtën hapësirë gjeografike kanë avancuar.

Në zonën e Sjenicës, ndonëse autostrada mbetet ende pa nisje konkrete, gërmimet në terren kanë filluar. Në afërsi të fshatrave përgjatë rrugës së planifikuar të autostradës, gjatë dy viteve të fundit, dy gurore në pronësi kryesisht të kompanive të Zvonko Veselinoviqit kanë marrë leje shtetërore, çka del nga një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Dokumentet e siguruara nga REL tregojnë se Ministria e Minierave e Serbisë u ka dhënë këtyre kompanive leje shfrytëzimi. Po ashtu, në dy lokacione të tjera rreth Sjenicës, firmat e Veselinoviqit kanë marrë edhe leje për kërkime gjeologjike, me qëllim gjetjen e rezervave të reja të gurit gëlqeror. Kjo do të thotë se, përveç nxjerrjes ekzistuese, në terren planifikohen edhe faza të reja të kërkimit për materiale ndërtimi.

Lejet për gurore vazhdojnë, ndërsa autostrada mbetet pezull

Veselinoviq paraqitet në publik si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe si ish-partner biznesi i Millan Radoiçiqit, i cili dyshohet se ka organizuar sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në vitin 2023. Ndërkohë, të dy janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për më shumë se katër vjet, për akuza që lidhen me krim të organizuar dhe korrupsion. Pavarësisht kësaj, Serbia nuk i ka ndalur marrëdhëniet kontraktore me kompanitë që lidhen me Veselinoviqin.

Ministritë përkatëse dhe vetë kompanitë e Veselinoviqit nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë i kualifikon këto firma për të marrë punë të tilla. Megjithatë, të dhënat financiare të analizuara nga REL tregojnë se kompania ndërtimore “Inkop”, së bashku me dy kompanitë e saj bijë “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka Aleksinac”, në fund të vitit 2025 ka fituar rreth 9.8 milionë euro. Të ardhurat e këtyre kompanive vijnë, mes tjerash, nga punë të financuara nga buxheti i shtetit të Serbisë.

Lejet dhe angazhimet lidhen edhe me ndërtimin e segmenteve rrugore. Ministria e Ndërtimit u ka lejuar kompanive të Veselinoviqit të jenë nënkontraktore në ndërtimin e disa segmenteve rrugore. Për punë të tilla, sipas dokumenteve, angazhimin e kanë dhënë edhe ndërmarrja publike “Putevi Srbije” dhe disa komuna. Ndërsa fitimet rriten, aktiviteti i biznesit të këtyre kompanive shfaqet edhe në zgjerim të shpejtë përtej guroreve.

Segmenti përfundimtar i autostradës drejt Detit Adriatik, përmes jugperëndimit të Serbisë, do të jetë rreth 100 kilometra i gjatë. Afatet për mbylljen e kësaj traseje janë shtyrë prej vitesh, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se partnerët kryesorë do të jenë sërish kompanitë kineze, përmes marrëveshjeve direkte, pa tender. Deri më tani, në mesin e nënkontraktorëve të kompanive kineze, me miratimin e shtetit serb, kanë qenë edhe kompanitë e Veselinoviqit: “Inkop” nga Quprija dhe “Novi Pazar-put”.

Gjatë viteve 2025 dhe 2026, “Novi Pazar-put” lidhi më shumë se dhjetë kontrata me institucione lokale në disa komuna në Serbinë qendrore dhe jugperëndimore. Kompania u angazhua në asfaltimin e rrugëve dhe në blerjen e materialeve të ndërtimit. Në të njëjtën kohë, në zonën e shfrytëzimit, me sipërfaqe rreth 13 hektarë, është planifikuar nxjerrja e rreth 50 mijë metrave kub (135 mijë tonë) gëlqerore në vit.

“Novi Pazar-put” ka kërkuar lejen në shtator të vitit 2023, ndërsa ministria ka deklaruar se i është dorëzuar gjithë dokumentacioni i nevojshëm për miratimin e shfrytëzimit. Në këtë lokacion, sipas vendimit të Ministrisë së Minierave, edhe më herët ishte lejuar shfrytëzimi. Leja e re është kërkuar në bazë të një projekti minerar të hartuar në vitin 2023, ndërsa satelitët dhe pamjet ajrore, gjatë viteve, tregojnë punime intensive në këtë gurore. Një pjesë e terrenit midis fshatrave Bugjevo dhe Bioc pranë Sjenicës përfshihet në vendburimin Bugjevo, ku “Novi Pazar-put” ka leje për shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version