Zënkat mes prindërve janë pjesë e jetës së përbashkët, por kur ato shndërrohen në konflikte të shpeshta dhe të zhurmshme, fëmijët bëhen dëshmitarë dhe e ndiejnë menjëherë. Pyetja kryesore nuk është nëse do të ketë ndonjëherë mosmarrëveshje, sepse lidhjet pa asnjë mosmendim janë pothuajse të pamundura, por si i menaxhojnë prindërit këto situata.
Psikologët theksojnë se mënyra se si trajtohen konfliktet ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve. Kur zënkat janë destruktive, pasojat mund të zgjasin me vite, jo vetëm në formë emocionesh të momentit, por edhe si ndikim afatgjatë në zhvillimin e tyre. Konfliktet që shoqërohen me britma, fyerje të rënda, kërcënime për largim apo agresion fizik krijojnë një atmosferë ku fëmija nuk ndihet i sigurt. Përveç kësaj, ka edhe forma pasive-agresive që lënë po aq gjurmë: injorimi i zgjatur apo heshtja për ditë të tëra.
Edhe foshnjat shumë të vogla, vetëm gjashtëmuajshe, mund të shfaqin shenja stresi kur prindërit janë në konflikt. Kjo tregon se tensioni në shtëpi e tejkalon kuptimin verbal; ai transmetohet përmes toneve, lëvizjeve dhe atmosferës. Në planin afatgjatë, fëmijët që rriten në ambiente me konflikte të mëdha dhe të vazhdueshme kanë rrezik më të lartë të zhvillimit të ankthit, depresionit dhe problemeve në sjellje.
Si t’i menaxhoni konfliktet, që të mos dëmtohen fëmijët
Fëmijët shpesh e shprehin shqetësimin e tyre në mënyra të ndryshme: agresivitet, mosbindje, tërheqje në vetvete, trishtim dhe vetëbesim i ulët. Përtej anës emocionale, stresi kronik mund të ndikojë edhe në funksionet njohëse. Kjo shfaqet te vështirësitë me përqendrimin dhe te rënia e suksesit në shkollë. Në disa raste, ndikimi bëhet edhe më i rëndë kur zënkat lidhen drejtpërdrejt me vetë fëmijën—sjelljen e tij, notat, apo obligimet. Atëherë fëmijët mund të fajësojnë veten dhe të mbajnë një barrë emocionale për të cilën nuk janë përgjegjës dhe as të gatshëm ta përballojnë.
Pavarësisht kësaj, jo çdo mosmarrëveshje është domosdoshmërisht e keqe. Edhe pse më e mira është të shmangen, realiteti është se konfliktet mund të ndodhin. Kur prindërit arrijnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me qetësi dhe në mënyrë konstruktive, ata i japin fëmijës një model që mund ta shoqërojë për shumë kohë. Në sy të tij, fëmija sheh që prindërit nuk pajtohen për një çështje, por bisedojnë me respekt, dëgjojnë njëri-tjetrin dhe në fund gjejnë një kompromis. Kjo i transmeton disa mesazhe thelbësore: konflikti nuk do të thotë fund i dashurisë dhe është normale që njerëzit të kenë mendime të ndryshme.
Po ashtu, fëmija mëson aftësi që do t’i përdorë edhe më vonë në marrëdhëniet miqësore dhe dashurore: komunikim i shëndetshëm, negocim dhe zgjidhje problemesh. Kur ai sheh pajtimin—qoftë me një përqafim, një puthje apo një aktivitet të përbashkët—forcohet edhe ndjenja e sigurisë. Familja perceptohet si stabile dhe jo si një ambient ku gjithçka mund të prishet sa herë shfaqet tension.
Për ta mbajtur një zënkë brenda kufijve konstruktivë, prindërit duhet të mendojnë edhe për rregullat gjatë momentit të konfliktit. Të jesh shembull i mirë nuk do të thotë të jesh i përsosur, por të jesh i vetëdijshëm për mënyrën se si reagon. Nëse debati nis para fëmijëve, hapi i parë është kontrolli i tonit të zërit: britmat dhe zëri i zemëruar perceptohen si kërcënim. Ndërkohë, biseda duhet të zhvillohet me empati dhe respekt. Prindi duhet t’i bëjë të qartë partnerit që e dëgjon dhe e kupton anën e tij, edhe kur nuk pajtohet.
Çfarë ndodh pasi konflikti mbyllet? Nëse debati është bërë më i ashpër se sa ishte planifikuar, është e rëndësishme t’i drejtoheni fëmijës. Nuk kërkohet të hyhet në detaje, por mund të jepet një shpjegim i qartë që e qetëson. Për shembull: “Babi dhe mami u grindën pak sepse nuk u pajtuam për një gjë, por mos u shqetëso, e zgjidhëm. Ne ende e duam njëri-tjetrin dhe ti nuk ke asnjë faj.” Një formulim i tillë ndihmon që fëmija të mos e marrë konfliktin si përgjegjësi personale. Më pas, është mirë të tregohet qartë se konflikti ka përfunduar dhe se harmonia familjare është rikthyer.
Qëllimi nuk është të fshihen konfliktet—kjo është pothuajse e pamundur—por të mësohet mënyra se si përballohen ato. Në këtë mënyrë mbrohet shëndeti mendor i fëmijëve dhe njëkohësisht ata fitojnë aftësi të vlefshme për marrëdhënie të shëndetshme e të lumtura në të ardhmen.
Botuar fillimisht në Telegrafi
