Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kosova sot mban zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi politika nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri. Pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe pas atyre të parakohshme të 28 dhjetorit, ky është i treti proces zgjedhor për Kuvendin e Kosovës brenda 16 muajve, duke e bërë periudhën politike jashtëzakonisht të ngjeshur për institucionet dhe qytetarët.

Në kuadër të përgatitjeve për ditën e votimit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin zgjedhor drejt Qendrave komunale të numërimit. Materiali që po dërgohet përfshin fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat. Pakoja të tilla, sipas rregullave të vendosura, do të ruhen nga ekipet policore deri mëngjesin e së dielës, kur pritet të vijojë procedura e numërimit dhe etapave pasuese.

Sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Nga ky numër, 1 milion e 605 mijë janë parashikuar për votimin në vendvotimet e rregullta. Për votimin me kusht janë shtypur 19 mijë e 450 fletëvotime, ndërsa 13 mijë e 500 janë fletëvotime rezervë. Një numër i veçantë, 3 mijë e 500 fletëvotime, është parashikuar për votimin e personave me nevoja të veçanta.

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2,092,174 votues. Kjo listë përmban 15,884 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar. Rritja e numrit të votuesve reflektohet drejtpërdrejt në planifikimin e materialit zgjedhor dhe organizimin e procesit në nivel vendvotimesh e qendrash komunale të numërimit.

Siguria dhe integriteti i procesit zgjedhor, prioritet gjatë gjithë ditës

Për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të 7 qershorit, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial. Angazhimi i tyre është planifikuar që të mbikëqyrë procesin në të gjithë vendin deri në përfundim të procesit zgjedhor. Në këtë kuadër, Prokurori i Shtetit ka bërë thirrje që qytetarët, subjekteve politike dhe organizatat të raportojnë çdo dyshim për keqpërdorim ose manipulim të votës, në mënyrë që organet kompetente të reagojnë sa më shpejt dhe në mënyrë të koordinuar.

Edhe Policia e Kosovës ka ndërmarrë përgatitje për nesër përmes urdhrit operativ dhe planifikimeve të brendshme lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës. Përmes këtij urdhri, Policia ka theksuar se parashikohet të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik. Sipas nevojës, mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që i përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë, përfshirë pajisjet e nevojshme logjistike. Qëllimi është ofrimi i sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Policia ka theksuar se synon krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. Po ashtu, objektiv është ruajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Në të njëjtën linjë, është paraparë ngritja e vigjilencës dhe sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, si pjesë e një organizimi që synon të parandalojë çdo incident gjatë fazave kyçe të procesit.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version