Kosova “e bllokuar” në integrimet evropiane: pse po ndodh

Integrimi i Ballkanit PerëndimorBashkimin Evropian po diskutohet përsëri, këtë herë me propozime që synojnë të ndryshojnë mënyrën se si BE-ja i trajton vendet në rrugën drejt anëtarësimit. Diskutimet u zhvilluan javën e kaluar në takimin e udhëheqësve të BE-së dhe të gjashtë vendeve të rajonit në qytetin malazez Tivat, ndërsa disa ditë më pas erdhi edhe një vëzhgim shtesë mbi këtë çështje.

Që nga viti 2008, statusi i Kosovës në kontekstin evropian vazhdon të mbetet më i ndërlikuar se ai i vendeve të tjera. Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, por shtetësia e saj nuk njihet nga pesë prej 27 shteteve anëtare të BE-së: Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja. Në këtë sfond, BE-ja ka pasur qasje të ndryshme për vendet e përfshira në proceset e zgjerimit, ndërsa Kosova ende nuk ka statusin që gëzojnë partnerët e tjerë.

Një proces me meritë, por Kosova mund të mbetet jashtë

Pas këtyre zhvillimeve, është vënë re se brenda BE-së po punohet për të përshtatur strategjinë aktuale të zgjerimit. Për më pak se një muaj, nga kryeqytete të rëndësishme evropiane u shfaqën tre dokumente të dedikuara për këtë çështje. Propozimi i parë lidhet me një non-paper, ku shtete si Franca, Gjermania dhe tri vendet e Beneluksit (Luksemburgu, Holanda dhe Belgjika) propozojnë anëtarësim me të drejta më të kufizuara krahasuar me ato që kanë aktualisht 27 shtetet anëtare.

Ndërsa dy dokumentet e para fokusohen në periudhën para anëtarësimit dhe në përfitimet që vendet në proces mund të kenë, i treti lidhet me periudhën pas pranimit dhe me kufizimet që anëtarët e rinj mund të përballen. Të gjitha këto dokumente kanë të bëjnë me shtetet që synojnë anëtarësim të plotë. Në këtë kuadër, lind pyetja kyçe: ku qëndron Kosova në raport me proceset e reja dhe a mund të përfshihet realisht, apo do të mbetet “e bllokuar”.

Për statusin e kandidatit, kërkohet një vendim unanim i të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Kosova dorëzoi aplikim për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por që nga atëherë nuk është zhvilluar asnjë diskutim formal në institucionet e BE-së lidhur me këtë kërkesë. Qeveria e Kosovës u bën thirrje rregullisht institucioneve evropiane që të trajtojnë kërkesën prej gati katër vjetësh dhe të mundësojnë nisjen e procedurave që mund të çojnë drejt një vendimi për statusin e kandidatit.

Një propozim i përmendur gjatë kësaj periudhe është ai i kancelarit gjerman, Friedrich Merz, i cili në maj propozoi që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia të merrnin statusin e vëzhguesit në BE, ndërsa Ukraina do të fitonte statusin e anëtarit të asociuar, pa të drejtë vote. Më pak se dy javë më vonë u shfaq edhe një propozim franko-gjerman për integrim gradual për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë. Dokumenti u publikua në prag të samitit në Tivat dhe u shndërrua në një nga temat kryesore të atij takimi.

Në të njëjtën kohë, pas samitit doli edhe non-paper i tretë, i nënshkruar nga Franca, Gjermania dhe vendet e Beneluksit. Në këtë kuadër, disa elementë vlerësohen si “me hapësirë procedurale”, por jo domosdoshmërisht që heqin pengesat politike. Non-paper-i franko-gjerman, si kusht për shfrytëzimin e përfitimeve para anëtarësimit, përmend shprehimisht dorëzimin e kërkesës për anëtarësim, çka teorikisht ia hap derën Kosovës për përfshirje në mekanizmat e rinj. Megjithatë, pavarësisht përmendjes së një qasjeje graduale dhe kufizimeve që mund të prekin të drejtat e mundshme të anëtarëve të ardhshëm, kufizimi i të drejtës së votës ose i vetos nuk do të vlente për vetë shtetet aktuale anëtare të BE-së, të cilat do të ruanin kompetencat ekzistuese.

Edhe roli i presidencës së Këshillit të BE-së është trajtuar në këtë kontekst. Që nga 1 janari i këtij viti, presidencën gjashtëmujore e ka marrë Qiproja, një nga pesë shtetet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Në fillim të mandatit, një zyrtar qipriot ka theksuar se, pavarësisht qëndrimit kombëtar të Qipros ndaj statusit të Kosovës, presidenca qipriote është e obliguar të respektojë plotësisht rolin institucional dhe të mbajë një qasje të paanshme ndaj të gjithë partnerëve, përfshirë Kosovën. Sipas rregullave, shteti anëtar që mban presidencën nuk ka të drejtë të imponojë qëndrimin e vet kombëtar lidhur me vendimet që merren gjatë mandatit.

Ndonëse për disa diplomatë kjo u pa si një mundësi për ta shqyrtuar aplikimin e Kosovës në rend dite, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim. Ndërkohë, për të ndryshuar situatën e përshkruar si “bllokim” për Kosovën, kërkohet gjetja e një formule që të përfshijë edhe Kosovën në procesin që Brukseli e quan të bazuar në merita. Pa një zgjidhje të tillë, rreziku që Kosova të mos trajtohet njësoj si partnerët e tjerë mbetet i hapur.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version