‘KFOR and Kosova +25’: ekspozitë me foto nga paslufta

Në shënim të 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u hap ekspozita fotodokumentare “KFOR and Kosova +25”. Ekspozita sjell para publikut rrëfime vizuale nga vitet e para të periudhës pasluftës, duke i kthyer vizitorët pas në kohë për të parë se si u duk jeta në terren kur vendi po rindërtohej dhe po kërkonte stabilitet.

Ekspozita është organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me organizatën Heartstone. Fotot e ekspozuara janë realizuar gjatë viteve 2000-2001 nga fotografi dokumentar britanik Nick Sidle. Përmes objektivit të tij, ndryshe nga një qasje që fokusohet vetëm te prania ushtarake, paraqiten jo vetëm aktivitetet e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, por edhe përditshmëria e qytetarëve, sfidat me të cilat po përballeshin dhe shpresat që i mbanin ata të ecin përpara në kohën e rindërtimit.

Një rol i rëndësishëm në sigurimin e qasjes dhe organizimin e ekspozitës në fillim të viteve 2000-2001, si dhe në të gjitha prezantimet gjatë periudhës së 25-vjetorit të KFOR-it në Kosovë, u pa edhe në angazhimin e Lord Robertson, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Ai u shpreh se konflikti në Kosovë mbetet i gdhendur në kujtesën e tij personale dhe politike, ndërsa për çlirimin e Kosovës dhe kthesën e asaj periudhe foli me tone emocionale.

“Çlirimi i Kosovës ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime dhe vizita ime e parë atje pas çlirimit ishte një moment i rëndësishëm… Kjo ekspozitë… së bashku me të gjithë njerëzit e identifikuar në to, përmbledhin një nga periudhat më të paharrueshme të Evropës qysh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, tha ai. Në vijim, Robertson theksoi se ekspozita është frymëzuese, edukative dhe historike, duke u ofruar vizitorëve mësime të vlefshme.

Fotografitë e Sidle sjellin kujtesë të gjallë të pasluftës

Zëvendësministrja e Kulturës dhe e Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, e vlerësoi ekspozitën si një thirrje për reflektim mbi një nga periudhat më përcaktuese të historisë së re të Kosovës. Ajo tha se është nder që ekspozita vjen në prag të shënimit të 27-vjetorit të çlirimit të vendit dhe theksoi se, kur flitet për ngjarje të mëdha politike, historia shpesh perceptohet vetëm përmes shifrave, dokumenteve zyrtare apo vendimeve politike. Sipas Arapi-Krasniqit, ekspozita ofron një perspektivë njerëzore, ku sfidat dhe shpresa e njerëzve dalin në pah përmes përjetimeve të tyre.

“Ekspozita KFOR and Kosova +25… na rikthejnë në një kohë kur vendi ynë po dilte nga plagët e luftës dhe po hidhte hapat e parë drejt rindërtimit, stabilitetit dhe zhvillimit”, u shpreh ajo. Në këtë mënyrë, Arapi-Krasniqi e paraqiti ekspozitën jo vetëm si dokumentim fotografik, por edhe si dëshmi të fillimit të një kapitulli të ri për Kosovën, të treguar përmes syrit të fotografit Nick Sidle, fotot e të cilit janë të realizuara në vitet 2000 dhe 2001.

Ndërkohë, drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, theksoi se 12 Qershori mbetet një datë historike që shënon kthesë të madhe për jetën e qytetarëve dhe të vendit. Ajo tha se pikërisht në këtë ditë, ekspozita fton publikun që të ndalet përtej narrative zyrtare dhe të shohë përjetimet e njeriut, historinë individuale dhe kujtesën e përbashkët. Sipas Rogova-Gaxhës, fotografitë e Sidle janë dokumentim i jetës së përditshme, dëshmi e shpresës, pasigurisë dhe rimëkëmbjes në një kohë kur po formësohej e ardhmja.

Rogova-Gaxha shtoi se këto fotografi u japin vizitorëve mundësinë të kuptojnë se historia nuk është gjithmonë ajo që shkruhet në libra, por edhe ajo që përjetohet në heshtje, në kthimin në shtëpi, në pritje dhe takime të vogla që bartin peshë të madhe për një kohë të tërë. Ajo vuri në dukje rëndësinë që këto rrëfime të bëhen pjesë e dialogut dhe të ekspozohen. Ekspozita, e cila u prezantua për herë të parë në vitin 2001, rikthehet tashmë në një version të restauruar dhe të zgjeruar, duke e sjellë edhe një herë në qendër rrëfimin vizual të Kosovës së pasluftës.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version