Kallëzim penal për “vota kapilare” në BIA: tetë zyrtarë

Avokati serb Ivan Niniq ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar (TOK) kundër drejtorit të Agjencisë për Informim të Sigurisë (BIA), Vladimir Orliq, si dhe kundër shtatë zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni. Niniq pretendon se zyrtarët kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe janë përfshirë në një sistem të organizuar për sigurimin e votave për Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Kallëzimi penal përfshin tetë persona. Në listë bën pjesë drejtori i BIA-s, Vladimir Orliq, si dhe kreu i Qendrës Rajonale të BIA-s në Kragujevac, Aleksandar Petrić. Gjithashtu, kallëzimi prek zëvendësin e tij, Milorad Marinković, si dhe ndihmëskreun Raca Munjiq.

Ndërkohë, avokati ka përfshirë edhe drejtues të tjerë të strukturave territoriale: kreun e Qendrës Territoriale në Kragujevac, Milosh Ivanoviq, zëvendësin e tij, Darko Çurçiq, kreun e Qendrës Territoriale në Smederevë, Zoran Çertiq, si dhe kreun e degës në Paraçin, Aleksandar Simiq. Sipas pretendimeve të paraqitura në kallëzim, këta persona dyshohet se kanë vepruar përtej kompetencave të tyre ligjore dhe si një grup i organizuar kriminal, me synim sigurimin e votave për SNS-në.

“Vota kapilare” në BIA: kallëzim penal për tetë zyrtarë

Avokati Niniq ka theksuar se sistemi i tillë dyshohet të jetë organizuar në disa qytete, përkatësisht në Beograd, Kragujevac, Smederevë dhe Paraçin. Në kallëzim pretendohet se autoriteti dhe roli zyrtar janë përdorur për të vendosur detyrime brenda agjencisë, duke e kthyer mbledhjen e votave në një “punë” të lidhur me formularët e SNS-së.

Përveç kësaj, Niniq ka bërë thirrje edhe për punonjësit e BIA-s që, sipas tij, kanë informacione ose prova për një sistem të tillë. Ai u është drejtuar veçanërisht atyre që nuk janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke kërkuar që të dhënat t’i dorëzojnë në Prokurorinë për Krimin e Organizuar si plotësim i kallëzimit penal të tij. Avokati pretendon se ekzistojnë elemente të raportuara në lidhje me funksionimin e mekanizmit, përfshirë tabela të nënshkruara, koordinatorë, komunikime në aplikacionin Viber, si dhe detyra specifike dhe raporte pune.

Niniq ka paralajmëruar më herët se do të dorëzonte kallëzim penal edhe ndaj një ministri, një drejtori dhe personave të tjerë. Ndërkohë, ai ka ngritur edhe dyshime për presion dhe mobilizim të punonjësve të burgjeve në Serbi që të marrin pjesë në tubimet e mëdha të SNS-së. Sipas tij, drejtorët dhe punonjësit e burgjeve, nën autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë, detyroheshin të përpilonin lista të pjesëmarrësve, të vishnin bluza të caktuara dhe të bënin fotografi në grup si “dëshmi” të pjesëmarrjes dhe besnikërisë ndaj partisë në pushtet. Avokati thotë se ka publikuar fotografi që, sipas tij, tregojnë pjesëmarrjen e këtyre punonjësve në tubime, si dhe ka dorëzuar dokumentacion që lidhet me komunikimet ndërmjet drejtuesve të partisë dhe drejtorëve të burgjeve, përfshirë urdhra për angazhim shtesë.

Në të njëjtin kuadër, Niniq përmend edhe rastin e Fehim Sali, i akuzuar për spiunazh në Kosovë. Ai thotë se Sali ka qenë i përfshirë në angazhimin për sigurimin e votave për SNS-në e Vuçiqit. Sipas prokurorisë, Sali nuk ka kryer vetëm veprime informuese për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), por ka qenë i angazhuar edhe në Kosovë për qëllime elektorale. Në një audioincizim përmendet se dëgjohet se Sali i ofronte informacione zyrtarit të lartë të BIA-s, Zhelimir Matoviq, lidhur me regjistrimin e personave nga komuniteti goran në Kosovë në listën zgjedhore dhe angazhimin që ata të votojnë presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe partinë e tij në zgjedhjet e vitit 2024.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version