Identifikohet bashkëpilotja 20-vjeçare e Learjet 60 në Florida

Një bashkëpilote 20-vjeçare është identifikuar si njëra nga nëntë viktimat e avionit privat që u rrëzua të dielën në Palm Beach County të Floridës. Avioni u përfshi nga flakët në mes të një rruge brenda një lagjeje banimi, duke shkaktuar një skenë të rëndë dhe duke i dhënë fund jetës së të gjithë personave që ndodheshin në bord.

Viktima u identifikua si Nathalia Filgueiras. Ajo e kishte marrë licencën e pilotit kur ishte vetëm 17 vjeçe. Sipas informacioneve të publikuara nga mediet amerikane, Nathalia ishte njëra prej dy anëtarëve të ekuipazhit të Learjet 60. Avioni po kryente një fluturim nga Austini i Teksasit drejt ishullit Eleuthera në Bahamas, ndërsa fatkeqësia ndodhi gjatë rrugës.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 12:50 me orën lokale. Avioni ra pranë kryqëzimit të rrugës Military Trail me 10th Avenue North, në zonën Greenacres–Cresthaven. Vendi i rrëzimit ndodhet vetëm disa kilometra larg rezidencës Mar-a-Lago të presidentit Donald Trump. Një burrë që ndodhej në një veturë afër vendit të incidentit u raportua se kishte pësuar lëndime në këmbë, ndërsa të nëntë personat në bord humbën jetën.

Hetuesit lidhur me ngjarjen po analizojnë edhe sinjalet që janë regjistruar gjatë komunikimit me kontrollin e trafikut ajror. Sipas Bordit Kombëtar të Sigurisë në Transport (NTSB), ekuipazhi u raportoi kontrollorëve se po përballeshin me akull në avion dhe me turbulencë të moderuar. Më pas, pilotët kërkuan leje për t’u ngjitur në lartësinë 37 mijë këmbë. Më pak se 30 sekonda më vonë, avioni nisi të zbriste dhe ekuipazhi aktivizoi thirrjen e emergjencës “mayday”.

Akulli dhe turbulenca u raportuan pak para emergjencës “mayday”

Në regjistrimet e komunikimit me kullën e kontrollit dëgjohet një anëtar i ekuipazhit që thotë se avioni kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar dhe po binte me një ritëm prej 20 mijë këmbë në minutë. Më tej, ai paralajmëroi se avioni do të përplasej në tokë. Rreth 35 sekonda pas thirrjes së parë të emergjencës, nga kabina u dëgjuan fjalët e fundit: “Na mbaroi koha.” Pas atij transmetimi, sipas një anëtari të NTSB-së, Tom Chapman, pjesa pasuese u bë e pakuptueshme dhe fatkeqësisht të gjithë ata në bord humbën jetën.

Nëna e Nathalias, Camila Corteleti, konfirmoi për mediet amerikane se e bija kishte ndërruar jetë. Ajo i tha gazetës New York Times se Nathalia i pëlqente liria që i jepte fluturimi dhe mënyra se si e bënte atë të shihte botën nga lart. Po ashtu, në një intervistë të vitit 2023 për një televizion lokal, Nathalia ishte shprehur krenare që kishte marrë licencën e pilotit ndërkohë ishte ende në shkollë të mesme. Në atë bisedë, ajo kishte përmendur me humor se shumë njerëz habiteshin që ajo mund të fluturonte me aeroplan, por ende nuk ngiste veturë.

Ndërkohë, tetë personat e tjerë në bord nuk janë identifikuar ende. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin duke rënë pothuajse vertikalisht dhe një shpërthim të fuqishëm. Autoritetet raportuan se mbetjet e avionit u shpërndanë nëpër fusha sportive, biznese dhe shtëpi në zonë. Sipas zyrtarëve, shpërndarja mund të jetë shenjë se avioni ishte shpërbërë në ajër përpara se të binte në tokë. Në vendin e përplasjes ka mbetur një krater i madh në mes të rrugës me gjashtë korsi. Rreth 600 banorë të një komuniteti aty pranë u evakuuan, ndërsa autoritetet lokale paralajmëruan se rruga mund të mbetet e mbyllur një muaj ose më shumë.

NTSB do të hetojë se si akulli dhe turbulenca ndikuan në rrëzim, si dhe nëse pati edhe gabim njerëzor. Hetuesit po përpiqen gjithashtu të zbulojnë nëse avioni kishte regjistrues të zërit në kabinë dhe nëse ky material mund të gjendet. Në hetim marrin pjesë edhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA), përfaqësues të prodhuesit Learjet, meteorologë dhe ekspertë të kontrollit të trafikut ajror. Sipas NTSB-së, përcaktimi i shkakut të mundshëm të fatkeqësisë do të jetë një proces i gjatë.

Ndërkaq, në kohën e incidentit, presidenti Donald Trump ndodhej në Mar-a-Lago. Ai u largua me avionin presidencial Air Force One nga një aeroport aty pranë rreth një orë para rrëzimit. Ngjarja ndodhi në një periudhë kur Shtetet e Bashkuara po i afrohen ditës së fundit të fushatës para zgjedhjeve të mesmandatit të së martës, të cilat konsiderohen gjerësisht si një referendum për dy vitet e para të mandatit të dytë të presidentit Trump.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version