Izraeli dhe Libani vijojnë bisedimet në Uashington

Izraeli dhe Libani do të zhvillojnë një ditë të dytë bisedimesh të drejtpërdrejta në Uashington, në kuadër të raundit të tretë të negociatave. Takimi i së premtes vjen pas një raundi të diskutimeve të enjten, të cilin një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së e vlerësoi si “produktiv dhe pozitiv”.

Zyrtari amerikan tha se palët “me mezi presin ta vazhdojnë këtë nesër [të premten]” dhe shpreson që të kenë “më shumë për të ndarë atëherë”. Raundi i tretë i negociatave zhvillohet në një periudhë të ndjeshme, vetëm disa ditë para se të skadojë armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Zyrtarët libanezë shprehin pritshmëri se bisedimet dy-ditore në Uashington do të çojnë në një armëpushim të rinovuar. Përveç ruajtjes së qetësisë, në tavolinë mbeten edhe disa çështje që kanë mbetur të pazgjidhura, ndër to tërheqja e forcave izraelite nga Libani jugor dhe çarmatimi i Hezbollahut.

Bisedimet synojnë armëpushim të rinovuar dhe çështje kyçe mes palëve

Në këtë proces, grupi militant i mbështetur nga Irani nuk është pjesë e negociatave. Ai ka kundërshtuar hapur angazhimin e Libanit në bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin. Edhe pse bisedimet udhëhiqen mes palëve shtetërore, prania e Hezbollahut në terren vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në realitetin ushtarak përgjatë kufirit.

Raundi i mëparshëm i bisedimeve mes Izraelit dhe Libanit u mbajt gjithashtu në Uashington, muajin e kaluar. Atyre iu dha ndërmjetësimi i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio. Megjithatë, ai nuk arriti të ishte pjesë e raundit aktual, pasi ndodhej në Kinë, së bashku me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Ky raund shënon një hap përpara krahasuar me raundin e kaluar: në negociata po përfshihen të dërguar të nivelit më të lartë, ndërkohë që seanca e fundit u drejtua nga ambasadorët izraelitë dhe libanezë. Por, pavarësisht ritmit të bisedimeve, dyja palët kanë ende shumë për të bërë për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme.

Ndërkohë, marrëdhëniet politike mbeten po aq të rëndësishme sa edhe çështjet ushtarake. Më herët, Trump bëri thirrje për një takim mes Presidentit Libanez Joseph Aoun dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Por Aoun nuk pranoi të fliste drejtpërdrejt me Netanyahun në këtë fazë.

Sipas një zyrtari libanez, i cili foli në kushte anonimiteti, Aoun ka zhvilluar së fundmi një bisedë me Trumpin. Zyrtari tha se Aoun i ka thënë udhëheqësit amerikan se, nëse ai do të shkonte në Uashington, do të shtrëngonte duart me Netanyahun dhe bisedimet do të dështonin, kjo do të kishte pasoja të brendshme për Libanin dhe njëkohësisht do ta diskreditonte edhe Trumpin. Në të njëjtën linjë, Aoun ka përmendur se nëse të dyja palët do të arrinin një marrëveshje sigurie, ai do të vinte në Shtëpinë e Bardhë dhe do ta “inauguronte” atë, një veprim që Trump e miratoi, sipas zyrtarit.

Luftimet vazhdojnë edhe përkundër armëpushimit. Edhe pse ekziston marrëveshje e përkohshme, Izraeli dhe Hezbollahu kanë vijuar të shkëmbejnë zjarr. Të mërkurën, Izraeli goditi shtatë automjete në Liban, tre prej të cilave ndodheshin në autostradën kryesore në jug të Bejrutit. Ministria e Shëndetësisë libaneze njoftoi se sulmi vrau 12 persona, mes tyre një grua dhe dy fëmijë. Më pas, në sulmet izraelite në Libanin jugor u vranë edhe 10 persona të tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë, sipas ministrisë.

Në anën tjetër, Hezbollahu vijon të qëllojë forcat izraelite në Libanin jugor dhe përtej kufirit në Izraelin verior. Pak orë pasi bisedimet u hapën të enjten, një dron i Hezbollahut shpërtheu pranë kufirit në Rosh Hanikra, duke plagosur tre persona, sipas ushtrisë izraelite. Ky u vlerësua si rasti i parë i lëndimeve të civilëve që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.

Luftimet e reja u ndezën më 2 mars. Ato filluan menjëherë pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit dhe vranë udhëheqësin e tij suprem Ali Khamanei. Si përgjigje, Hezbollahu rifilloi sulmet me raketa ndaj Izraelit, ndërsa Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore në Liban, përfshirë edhe kryeqytetin Bejrut.

Që nga ajo datë, Ministria e Shëndetësisë në Liban bëri të ditur se 2,896 persona janë vrarë dhe 8,824 janë plagosur. Përsa i përket palës izraelite, janë raportuar edhe viktima: 18 ushtarë, dy civilë në Izrael dhe një kontraktor mbrojtës në Libanin jugor, të vrarë nga ana izraelite.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version