Futbolli i vajzave po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje Në Shqipëri, duke u kthyer në një sport me interes në rritje të vazhdueshme. Një raport i titulluar “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA dhe Nielsen, tregon se përkushtimi i publikut ndaj këtij sporti ka shënuar një rritje të madhe në vetëm disa vite. Krahasuar me vitin 2016, interesi për futbollin e vajzave është katërfishuar, duke dëshmuar progresin që po bëhet gradualisht në vend.
Sipas gjetjeve të raportit, interesi për futbollin e vajzave është rritur nga 3% në vitin 2016 në 12% aktualisht. Kjo rritje nuk lidhet vetëm me trendet që shihen zakonisht në Evropë, ku interesin e nxisin kryesisht meshkujt. Në Shqipëri, raporti evidenton një dinamikë të ndryshme: janë vetë vajzat dhe gratë ato që e ndjekin më shumë futbollin e vajzave. Përkatësisht, interesi për këtë sport te vajzat dhe gratë është 17%, ndërsa te meshkujt është 8%.
Raporti sjell edhe shifra të tjera që tregojnë shkallën e përfshirjes së publikut. Gjithsej 46% e shqiptarëve shprehin interes për futbollin e vajzave. Po ashtu, një në pesë persona identifikohet si tifoz i këtij sporti. Në këtë mënyrë, Shqipëria vendoset në nivele të ngjashme me mesataren europiane, duke treguar se rritja nuk është e izoluar, por ecën në linjë me atë që ndodh edhe në tregje të tjera.
Interesi po rritet, ndërsa imazhi i sportit shihet si kyç
Përveç shifrave të interesit, raporti analizon edhe perceptimet e publikut për futbollin e vajzave. Rezultatet dalin përgjithësisht pozitive. Sipas të anketuarve, 74% e shqiptarëve besojnë se zhvillimi i futbollit të vajzave përfaqëson një zhvillim pozitiv shoqëror. Në të njëjtën linjë, 59% mendojnë se ky sport ofron ndikime pozitive për brezin e ri, çka e lidh futbollin e vajzave me vlera për edukimin dhe formimin e të rinjve.
Në raport theksohet gjithashtu se shqiptarët e shohin përmirësimin e imazhit të futbollit të vajzave si prioritetin kryesor për zhvillimin e mëtejshëm. Krahas kësaj, investimet në bazë dhe te moshat e reja renditen si faktori i dytë më i rëndësishëm. Pra, përveç rritjes së interesit, ka edhe pritshmëri që strukturat të forcohen më tej, duke u fokusuar te talentet që po dalin dhe tek krijimi i mundësive për futbollistet e reja.
Për sa i përket motivimeve, raporti përshkruan se për tifozët e futbollit të vajzave arsyeja kryesore për ta ndjekur këtë sport lidhet me kohën cilësore të kaluar me familjen dhe miqtë. Në të njëjtën kohë, emocionet që ofrojnë lojërat dhe atmosfera e ndeshjeve renditen si faktorë të rëndësishëm që e mbajnë publikun të lidhur me takimet. Kjo tregon se për shumë ndjekës, futbolli i vajzave nuk është vetëm çështje rezultatesh, por edhe përjetim i përbashkët.
Megjithatë, raporti identifikon edhe sfida që mbeten përpara. Sipas gjetjeve, mungesa e njohjes së futbollisteve, mbulimi i kufizuar mediatik dhe atmosfera rreth ndeshjeve renditen ndër arsyet kryesore që pengojnë një pjesë të tifozëve të ndjekin më shumë futbollin e vajzave. Pavarësisht kësaj, të dhënat konfirmojnë se futbolli i vajzave në Shqipëri është në rritje të vazhdueshme. Në fund të analizës, theksohet se investimet e Federatës së Futbollit në zhvillimin e këtij sektori po kontribuojnë në zgjerimin e interesit dhe në rritjen e përfshirjes së publikut.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres
