Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të dënojnë, siç ka thënë, gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe të kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq.
Haxhiu e ka bërë këtë thirrje përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se ndërkohë që qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga regjimi i Millosheviqit, “Vuçiqi dhe Bërnabiqi, vazhdojnë me deklarata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe ripërtërijnë pretendimet e Serbisë ndaj territorit tonë”.
Sipas Haxhiut, këto deklarata përbëjnë vazhdim të gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës, mbi të cilën, siç shkruan ajo, është ngritur politika shoviniste dhe ekspansioniste e regjimit të Millosheviqit. Ajo argumenton se përballja me këtë retorikë nuk është çështje e zakonshme politike, por kërkon që aktorët ndërkombëtarë të reagojnë qartë.
SHBA e BE të dënojnë qartë gjuhën shoviniste
Në postimin e saj, Haxhiu ka theksuar: “I bëjmë thirrje SHBA-ve dhe BE-së, që ta dënojnë qartë këtë gjuhë shoviniste, revizioniste dhe nxitëse”. Ajo ka shtuar se pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj dhe retorika që përsërit narrativat e regjimit të Millosheviqit, sipas saj, nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI. Në këtë kuadër, ajo ka nënvizuar se këto deklarata nuk duhet të trajtohen si deklarata të thjeshta politike.
Haxhiu ka argumentuar edhe se Serbia nuk mund të paraqitet si palë e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit, ndërkohë që, sipas saj, nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon t’ia trajtojë Kosovën si territor të vetin. Në postim, ajo e lidh këtë qëndrim me nevojën për qasje të përgjegjshme ndaj së kaluarës.
Ajo ka thënë se përballja me të kaluarën dhe respektimi i sovranitetit të shteteve fqinje janë kushte themelore për paqe të qëndrueshme në rajon. Për këtë, Haxhiu ka sjellë fakte që, sipas saj, e bëjnë të pakontestueshëm statusin e Kosovës. Në shkrimin e saj thuhet se Republika e Kosovës është shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008. Po ashtu, ajo kujton se në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Haxhiu ka theksuar më tej se Kosova është njohur nga 121 shtete dhe se është anëtare e dhjetëra organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë, duke shtuar se po ashtu vazhdon ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare. “Ky realitet nuk zhbëhet me deklarata politike”, ka shkruar ajo në Facebook. Për Haxhiun, Republika e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe i orientuar drejt integrimit euroatlantik.
Në fund të postimit, Haxhiu ka shkruar se as Vuçiqi, as Bërnabiqi dhe asnjë ideologji e dështuar e së kaluarës nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian, të mërkurën, ka bërë thirrje që të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk i ndihmojnë normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, kur është pyetur për deklaratat e fundit që kanë dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrja serbe Snezhana Paunov.
Botuar fillimisht në Koha.net
