Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot do të caktojë datën për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Sipas njoftimit, Haxhiu do të mbajë konferencë për media në orën 11:00, ku pritet të bëhet publike data konkrete e seancës.
Haxhiu, e cila si kryeparlamentare mban përgjegjësinë që së bashku me përbërjen e kryesisë së legjislaturës së shkuar të përgatisë seancën konstituive, ka sqaruar se caktimi i datës po bëhet thuajse në fund të afatit kushtetues. Ajo ka thënë se ky vendim është i lidhur me rrjedhjen e afateve institucionale pas konstituimit të kuvendit.
Në një deklarim të dhënë të mërkurën e kësaj jave, Haxhiu ka theksuar se arsyeja kryesore është t’i lihet hapësirë kohore partive politike që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, ose për të tejkaluar situatën që, sipas saj, po vërehet aktualisht. Ajo ka shtuar se seanca do të mbahet në javën e parë të muajit gusht dhe ka paralajmëruar se, “besoj”, njoftimi për datën e saktë do të jepet në të premte.
Ndërkohë, deri më 7 gusht deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit. E para kësaj date, zyrtarë të Lidhjes Demokratike kanë bërë të ditur se do të mbajnë Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku do të votohet për shkarkimin ose jo të kryetarit Lumir Abdixhiku. Ky vendim vjen në një situatë politike ku, paralelisht me iniciativën kundër tij, Abdixhiku ka shprehur gatishmëri për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme të qershorit.
Afati kushtetues mbyllet më 7 gusht për konstituimin
Afati i 7 gushtit për konstituimin e Kuvendit lidhet drejtpërdrejt me interpretimin e bërë nga Gjykata Kushtetuese. Ky afat buron nga aktgjykimi i publikuar më 25 qershor të vitit 2025, kur në Kuvend pati një ngërç lidhur me konstituimin dhe procesin parlamentar. Në atë vendim, gjykata i ka kthyer argumentet në dispozitat përkatëse kushtetuese për të sqaruar se si duhet kuptuar termi “mbajtje” e seancës.
Në Kushtetutë, neni 66 përcakton se “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve”. Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, termi “mbajtja” nuk nënkupton vetëm mbledhjen e deputetëve, por përfundimin e seancës konstituive brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit. Ky sqarim bëhet për faktin se konstituimi lidhet me fillimin e mandatit të legjislaturës së re dhe rrjedhjen e afateve të mëtejshme institucionale.
Aktgjykimi thekson se kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 nuk është thjesht mundësi formale apo orientuese për deputetët, por detyrim kushtetues. Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit tridhjetë ditor nuk nënkupton vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë. Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, sipas kronologjisë së bërë publike, është bërë i ditur më 8 korrik, duke qenë se certifikimi lidhet me startimin e afateve për konstituimin dhe më pas për proceset pasuese.
Botuar fillimisht në Koha.net





