Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve duhet të ketë një marrëveshje politike qysh tani. Gjatë një konference për media të mbajtur të hënën, ai u shpreh se nuk e sheh të arsyeshme vendosjen e “vijave të kuqe” ndaj asnjë subjekti politik, ndërsa theksoi se është i hapur për biseda.
Hamza, i pyetur për mundësinë e një bashkëpunimi eventual me Vetëvendosjen, tha se nuk është përjashtues që të mos ketë vija të kuqe ndaj asnjë partie. Ai shtoi se përgjatë rrugëtimit të tij politik nuk ka vendosur kushte të tilla, duke argumentuar se vendosja e kufijve paraprakë nuk do të ishte e mirë për vendin.
“Asnjëherë gjatë rrugëtimit tim politik nuk kam vendosur vija të kuqe, nuk kam vendosur as në këto zgjedhje dhe besoj që nuk është e mirë që të kemi vija të kuqe, jemi gjithmonë të hapur për biseda, e kam dhënë preferencën time se më e shëndetshme për vendin është krijimi i qeverisë prej partive që kemi qenë në opozitë, por kjo varet prej numrave, por megjithatë nuk kam qenë përjashtues”, tha Hamza.
Ai foli edhe për pritjet e PDK-së lidhur me rezultatet në Kuvend. Hamza tha se për PDK-në rezultati është “ky që është”, duke pranuar se kanë pritur më shumë dhe kanë menduar se kanë pasur mundësi për të arritur edhe më tepër. Megjithatë, ai shprehu besimin se numri i deputetëve të PDK-së në Kuvend do të jetë më i lartë sesa në mandatin paraprak.
Institucionet kërkojnë marrëveshje politike, jo “vija të kuqe”
“Për PDK-në rezultati është ky që është, sigurisht që kemi pritur më shumë, kemi mundur më shumë, nëse i referohemi vendeve në Kuvend, unë pres që numri i deputetëve të jetë më i madh sesa që ka qenë në mandatin paraprak”, deklaroi Hamza. Sipas tij, fokusi tani duhet të jetë te konstituimi i Kuvendit dhe te vijimi i hapave institucionalë pa krijuar vakum.
Në konferencë, Hamza adresoi edhe çështjen e procesit zgjedhor. Ai tha se zgjedhjet kanë qenë të lira, por sipas tij nuk kanë qenë të drejta dhe të barabarta. Hamza argumentoi se ka ndikuar përdorimi i parasë publike në garë dhe, për këtë arsye, sipas tij, zgjedhjet kanë pasur një efekt real në rezultatin përfundimtar.
“Zgjedhjet kanë qenë të lira por nuk kanë qenë të drejta e të barabarta, sepse është përdorur paraja publike e cila sigurisht ka ndikuar në rezultat dhe për këtë unë kam thënë që zgjedhjet mund të jenë të lira, por nuk kanë qenë të ndershme sepse përdorimi i parasë publike e ka bërë efektin e vet”, u shpreh Hamza. Po ashtu, ai theksoi se është me rëndësi të ketë konstituim të Kuvendit dhe zgjedhje të presidentit në mënyrë që të mos ketë vakum institucional.
Hamza komentoi edhe fenomenin e abstenimit, duke thënë se ai është mesazh për të gjithë. Sipas tij, votuesit kanë dërguar sinjale që duhet të kuptohen dhe të lexohen drejt. Ai tha se njerëzit kanë nevojë për stabilitet politik dhe se kjo lidhet me mënyrën se si institucione të reja duhet të formohen.
“Abstenimi i votuesve është mesazh i votuesve për të gjithë neve që duhet ta kuptojmë dhe lexojmë drejtë, unë e kam bërë këtë, njerëzit kanë nevojë për stabilitet politik”, nënvizoi Hamza. Në fund, ai iu referua rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku PDK-ja në zgjedhjet e së dielës ka marrë 21.12 për qind të votave dhe ka siguruar 24 vende në Kuvend.
Botuar fillimisht në Koha.net
