Gjykata Supreme ul dënimin për vrasjen e gruas në 30 vjet

Katër muaj pasi Gjykata Supreme la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqen, i cili u shpall fajtor për vrasjen e të dashurës së tij, kjo instancë ka vendosur edhe në një rast tjetër të vrasjes së gruas. Në këtë çështje, Gjykata Supreme ka vendosur të ulë dënimin që më parë ishte dhënë me burgim të përjetshëm, duke e zëvendësuar atë me 30 vjet burg.

Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, Edmond Lajçi ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij. Por, pas shqyrtimit nga Gjykata Supreme, ky dënim është reduktuar. Ulja në 30 vjet u bë pasi Gjykata Supreme arriti në konkluzionin se standardet ligjore nuk ishin aplikuar saktë kur u vendos masa më e rëndë e parashikuar nga kodi penal.

Kur burgimi i përjetshëm s’përkon, vendoset 30 vjet

Vendimi i Gjykatës Supreme argumenton se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk kanë zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal lidhur me dhënien e burgimit të përjetshëm. Në vlerësimin e Gjykatës Supreme, disa nga rrethanat që ishin konsideruar veçanërisht rënduese nuk u mbështetën në prova. Ndërkohë, pjesë e rrethanave të tjera janë parë si elemente të vetë veprës penale, çka do të thotë se ato nuk mund të shërbejnë si arsye për të dhënë automatikisht dënimin maksimal.

Gjykata Supreme thekson se burgimi i përjetshëm mund të vendoset vetëm kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese, të cilat e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet “e zakonshme” të së njëjtës vepër penale. Po ashtu, kjo masë duhet të jetë proporcionale me gravitetin e veprës dhe shkallën e fajësisë së autorit. Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, ky standard ligjor nuk ishte përmbushur në rastin e Edmond Lajçit.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka përmendur edhe parimin e individualizimit të dënimit dhe proporcionalitetit. Përveç kësaj, është marrë parasysh edhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në përgjigjen e Gjykatës Supreme thuhet se dënimi prej 30 vjetësh është proporcional me ashpërsinë e veprës penale, me shkallën e fajësisë dhe me rrezikshmërinë e të pandehurit. Po ashtu, gjykata vlerëson se një dënim i tillë mund të arrijë qëllimin e dënimit si në planin individual ashtu edhe atë të përgjithshëm, nëpërmjet parandalimit.

Avokati Yll Zekaj ka theksuar se gjykatësit duhet të analizojnë me kujdes rastet kur vendosin burgim të përjetshëm. Sipas tij, “publiciteti” dhe rrethana të jashtme nuk duhet të ndikojnë në vendimin e gjykatës, pasi gjykatat janë të pavarura dhe duhet të veprojnë vetëm mbi prova dhe mbi atë që paraqitet në shkresat e lëndës nga prokuroria. Zekaj ka shpjeguar edhe një element tjetër të rëndësishëm për kuptimin e burgimit të përjetshëm në sistemin e Kosovës: qëndrimi në burg gjatë gjithë jetës nuk nënkupton domosdoshmërisht mbyllje të pandryshueshme të dënimit.

Ai ka sqaruar se në Kosovë, legjislacioni dhe Kodi Penal parashikojnë se edhe burgimi i përjetshëm mund të shqyrtohet pas 30 vjetësh të vuajtjes së dënimit. Burgimi i përjetshëm mbetet dënimi më i lartë në sistemin penal të Kosovës, ndërsa nga hyrja në fuqi e Kodit Penal në vitin 2013, ai është dhënë në më shumë se 10 raste. /Tv Dukagjini/ – YouTube (youtu.be)

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version