Gjenerata Z po përballet me vështirësi gjithnjë e më të mëdha në krijimin e lidhjeve romantike, ndërsa gjithnjë e më shumë të rinj po i drejtohen Inteligjencës Artificiale për të nisur biseda, për të gjetur kontakte të reja dhe për t’u bërë më të lehtë hapat e parë. Ndërsa dëshira për dashuri dhe marrëdhënie serioze mbetet e pranishme, vetë procesi i njohjes po bëhet më i ndërlikuar për shkak të mënyrës si rinjtë rriten dhe socializohen.
Jackie Jantos, drejtuese e një prej platformës Hinge, thekson se të rinjtë e sotëm vazhdojnë të kërkojnë dashuri dhe marrëdhënie serioze, por shpesh u mungon vetëbesimi për të marrë iniciativën dhe për të bërë hapin e parë. Në të njëjtën linjë, ajo vëren se brezi i ri socializohet më pak fizikisht në krahasim me brezat e mëparshëm: të rinjtë kalojnë më shumë kohë para ekraneve dhe më pak kohë në ndërveprime të drejtpërdrejta me njerëzit.
Rrjedhimisht, sipas saj, ndikimi vihet re në aftësitë sociale të shumë të rinjve, sidomos kur bëhet fjalë për krijimin e marrëdhënieve romantike. Pandemia e Covid-19 e përkeqësoi situatën, pasi shumë të rinj humbën vite të rëndësishme të zhvillimit social. “Vitet kur njerëzit mësojnë si të komunikojnë, të flirtojnë dhe të krijojnë intimitet me të tjerët u ndërprenë për shumë të rinj”, është argumenti që sjell Jantos.
Ndërkohë, studiuesit që merren me marrëdhëniet dhe komunikimin vërejnë se entuziazmi fillestar për aplikacionet e njohjeve ka nisur të zbehet. Shumë përdorues raportojnë atë që ekspertët e quajnë “lodhje nga aplikacionet e takimeve”. Problemi, sipas këtij përshkrimi, është se përballen me një numër të madh profilesh dhe zgjedhjesh, por pa garanci se kjo do të çojë domosdoshmërisht në lidhje më cilësore.
AI po ndihmon vetëm hapin e parë në njohje
Profesoresha Carolina Bandinelli, e cila studion marrëdhëniet dhe komunikimin, shpjegon se aplikacionet u prezantuan si një mënyrë që beqarët të kishin akses në një numër pothuajse të pafund personash. Por në praktikë, procesi shpesh rezulton më i ndërlikuar. Ajo thotë se në shumë raste njerëzit nuk po zgjedhin, por po hamendësojnë, ndërsa mungesa e sinjaleve sociale e bën të vështirë formimin e një ideje të qartë për personin që ke përballë.
Për këtë arsye, disa platforma kanë filluar të përdorin mjete të Inteligjencës Artificiale që synojnë t’i ndihmojnë përdoruesit të përmirësojnë profilet e tyre ose të gjejnë mënyra më të lehta për të nisur një bisedë. Megjithatë, ekspertët janë të qartë në një pikë: teknologjia mund të ndihmojë në krijimin e kontaktit fillestar, por nuk mund të zëvendësojë komunikimin e vërtetë dhe as ndërtimin e një marrëdhënieje autentike.
Një tjetër ndryshim që vihet re te Gjenerata Z është mënyra si po kalohet koha e lirë. Specialistët e njohjeve thonë se të rinjtë e sotëm janë më pak të lidhur me jetën e natës dhe kulturën e alkoolit krahasuar me brezat e mëparshëm. Sipas tyre, ka më shumë gjasa që një mbrëmje të kalohet në palestër sesa në një bar. Kjo, sipas përshkrimeve të specialistëve, ka ndryshuar edhe mënyrën sesi krijohen njohjet dhe marrëdhëniet romantike.
Në fund, megjithëse teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale po luajnë një rol gjithnjë e më të madh në jetën sentimentale të të rinjve, specialistët bien dakord për një gjë: njerëzit vazhdojnë të kërkojnë lidhje të sinqerta dhe marrëdhënie të qëndrueshme. Marrëdhëniet shoqërore konsiderohen gjithashtu të rëndësishme për shëndetin mendor, edhe pse jo të gjitha miqësitë rezultojnë të shëndetshme, duke e bërë edhe më të domosdoshme cilësinë e kontaktit që krijohet.
Botuar fillimisht në Bota Sot