Gjashtë minuta dhune në Ksamil: si u shpalos përplasja

Zbardhen minutë pas minute dinamikat e përplasjes që përfundoi me vrasjen e turistit portugez në Ksamil. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, i gjithë konflikti jashtë lokalit zgjati gjithsej gjashtë minuta, duke nisur nga momenti kur disa persona u panë të largoheshin nga ambientet e brendshme dhe duke vijuar deri në fazat më të ashpra në zonën e plazhit “Paradise”.

Ngjarja është regjistruar në orën 05:14:24 të datës 18 gusht. Në atë moment, nga ambientet e lokalit “Principotes” vërehen se dalin disa persona dhe qëndrojnë tek rëra e ambienteve të jashtme pranë plazhit “Paradise”. Në këtë grup, sipas dosjes, janë të identifikuar edhe shtetasit Ibrahim Lemoie, Sudae Akhmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes. Luis Mendes shfaqet i veshur me një bluzë të bardhë me shkrim me ngjyrë të zezë, nga mbrapa.

Rreth një minutë më pas, në orën 05:15:22, pranë parkimit, në pjesën jugore të “Principote” afrohen dy persona: David Heurtevent dhe Sokrat Lipan, i njohur edhe si Sokrat Vata. Lipan/ Vata është i veshur me këmishë të bardhë dhe lëviz drejt grupit ku ndodheshin shtetasit e huaj, ndërsa Heurtevent vërehet duke iu afruar paralelisht.

Konflikti përshkallëzohet shpejt. Në orën 05:16:39, kamerat regjistrojnë momentin kur Sokrat Vata shtyhet/përplaset me një person të veshur me bluzë me ngjyrë të bardhë. Pas shtyrjes, ai largohet dhe shkon në drejtim të shezlongëve. Vetëm pak minuta më vonë, në 05:16:47, Sokrat Lipan ndjek një nga personat që ishte i veshur me të bardha, duke e ndjekur edhe nga pas drejt zonës së parkimit.

Devijimi drejt shezlongëve dhe përplasja: si u përfshinë grupet brenda gjashtë minutash

Në 05:16:54, Sokrat Vata vërehet duke ardhur me vrap drejt Ibrahim Lemoie. Lemoie përplaset në shezllone dhe bie në tokë, ndërsa Vata e godet në drejtim të tij. Në 05:17:14, në atë situatë ndërhyn Luis Mendes. Sipas pamjeve, Mendes afrohet dhe e shtyn me trup Sokrat Lipan, i cili sërish bie në tokë. Pasi ngrihet, Vata i afrohet Mendesit dhe nis ta godasë.

Përplasja përfshin edhe persona të tjerë. Në 05:17:20, David Heurtevent, së bashku me Sokrat Vata, godasin Luis Mendesin. Në të njëjtën kohë, Sudae Akhmat afrohet për të ndihmuar shokun e tij dhe godet Sokrat Vatën. Situata vijon të jetë kaotike. Në intervalin 05:17:35 deri 05:17:46, Serxhi Selimi godet Ibrahim Lemoien me grushte. Gjatë kësaj kohe, Luis Mendes, për t’u larguar nga goditjet që po merrte nga Sokrat Vata dhe David Heurtevent, largohet me nxitim dhe futet në det.

Edhe pasi Mendes futet në ujë, konflikti nuk mbyllet menjëherë. Në 05:17:53, Luis Mendes afrohet sërish nga ana jugore e plazhit, në zonën ku ndodhen kamarierët, dhe aty goditet me grushta nga Serxhi Ademi, ndërsa më pas shtyhet në det. Vetëm disa sekonda më vonë, në 05:18:04, Mendes del nga uji dhe ecën drejt shezlongëve të plazhit “Paradise”. Në pamjet e kamerave, ai shfaqet me bluzën e bardhë të gjakosur. Pas kësaj, në 05:18:24, David Heurtevent largohet drejt ambienteve të brendshme të “Principote”, ndërsa në dosje thuhet se dallohet i gjakosur në pjesën e përparme të veshjeve. Dy minuta më pas, në 05:20:28, largohet edhe Sokrat Vata, i cili në pamjet e administruara paraqitet me bluzën e bardhë të gjakosur dhe shoqërohet nga kamarieri Ildi Cekani, në drejtim të ambienteve të “Principote”.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version