Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka folur për vizitën e familjarëve të personave të zhdukur, të njohur edhe si “Grupi i Intelektualëve”, në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut. Gara tha se ky takim nuk ka qenë i rastësishëm, por përfaqësonte një kërkesë të vazhdueshme të familjarëve gjatë periudhës së angazhimit në terren.
Gara ka theksuar se vizita e këtyre ditëve ka sjellë një reflektim të dyfishtë: nga njëra anë, një dhimbje të madhe për të afërmit e të zhdukurve, dhe nga ana tjetër, shpresë për identifikimin e të dashurve të tyre. Ai nënvizoi se për familjarët, të dhënat dhe rezultatet e procesit të kërkim-zbulimit nuk janë thjesht çështje teknike, por lidhen drejtpërdrejt me fatin e personave që mungojnë.
Në emisionin “FIVE” në Dukagjin, Kushtrim Gara u shpreh se familjarët po përjetojnë këto ditë si një kohë të veçantë përkujtimi. Ai tha se puna në lokacion, bashkëbisedimi dhe mundësia e vizitës së përbashkët janë konceptuar si një formë homazhi të përbashkët për të zhdukurit. Sipas tij, këto data përfaqësojnë ditë të dhimbjes së madhe, por njëkohësisht edhe ditë që mbajnë shpresën se identifikimi do të vijë sa më shpejt.
Shpresë për identifikim të mbetjeve në Kalludër
Gara ka folur edhe për ecurinë e punës në terren. Ai tha se ka përfunduar gërmimi në Kalludër dhe Jabukë, ndërsa mbetjet mortore janë dërguar për analiza të ADN-së në Hagë. Ky proces është i rëndësishëm për të përcaktuar identitetet e mundshme dhe për të mundësuar, më pas, njoftimin e familjarëve me të dhënat përkatëse.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka theksuar se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër mund t’u përkasin rreth 23 personave të zhdukur. Ai shprehu pritshmërinë që procesi i identifikimit të mbetjeve të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që familjarët të marrin përgjigjet që i kanë pritur për një kohë të gjatë. Sipas Gara, në momentin që të ketë identifikim, familjarët do të njoftohen dhe të dhënat do të përditësohen.
Gara ka dhënë edhe një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme të personave të zhdukur. Ai tha se aktualisht ka 1,564 persona për fatin dhe vendndodhjen e të cilëve nuk dihet. Në këtë kuadër, ai u shpreh se shpreson që identifikimi i mbetjeve mortore të gjetura në Kalludër të hapë rrugë për qartësimin e fatit të një pjese të familjarëve që presin prej vitesh. Ai përmendi gjithashtu se familjet, përmes punës së përbashkët dhe angazhimit të institucionit, po gjejnë ngushëllimin, por mbi të gjitha shpresën që të dashurit e tyre të identifikohen.
Në fund të diskutimit, Kushtrim Gara e lidhur procesin me nevojën për një varr me emër e mbiemër dhe për një rivarrim të dinjitetshëm. Ai tha se familjet, edhe brenda dhimbjes, po gjejnë një lloj ngushëllimi në bashkëpunimin me institucionet dhe në mundësinë për të qenë të përfshirë në mënyra të ndryshme gjatë punës. Përmes këtij angazhimi, shpresohet që rezultatet nga analiza e ADN-së të sjellin qartësim, njoftime për familjarët dhe përfundimin e ciklit të pritjes për identifikimin e të zhdukurve.
Botuar fillimisht në Telegrafi
