Fushë-Kosovë: Bursa për studentë shpërndahet pa listë përfituesish

Komuna e Fushë-Kosovës ka ndarë bursa për studentë, por vonesa në shpalljen e listës së përfituesve ka sjellë pakënaqësi. Studentë nga kjo komunë kanë thënë se nuk kanë marrë informacion të qartë nëse ishin përfitues apo jo, ndërkohë që pagesat janë ekzekutuar para se të publikoheshin rezultatet.

Sipas shqetësimeve të ngritura, studentët prisnin që brenda një periudhe të arsyeshme të mësonin për statusin e tyre. Ata kanë pohuar se publikimi i listave ka ndodhur vetëm pas reagimeve dhe ankesave, duke lënë të kuptohet mungesë transparence në proces. Pakënaqësia u shtua edhe më shumë kur disa prej tyre dëgjuan se pagesat ishin bërë për disa studentë pa u shpallur paraprakisht lista zyrtare.

Një nga studentët që ka reaguar është Vesa Piskala. Ajo ka thënë se përgjigjen e mori vetëm pasi u interesua vetë. Piskala ka treguar se kishte parë informacione ku disa studentëve u ishin ekzekutuar pagesat, ndërkohë që ende nuk ishte shpallur asnjë listë zyrtare që të tregonte nëse ata ishin përfitues apo nëse ishin refuzuar.

“Në fillim të muajit korrik disa studentëve u është ekzekutuar pagesa, por nuk është shpallur asnjë listë zyrtare nëse jemi përfitues apo nëse jemi refuzuar. Kur e kam pa këtë situatë, e kom dorëzuar një kërkesë në Drejtorinë e Arsimit ku kam kërkuar listën e përfituesve, atyre që janë refuzuar dhe procesverbalin. Pas reagimit publik, Komuna e Fushë-Kosovës e ka publikuar listën e parë të studentëve që janë përzgjedhur”, ka thënë Piskala.

Bursa në Fushë-Kosovë: listat u publikuan pasi nisi pakënaqësia

Publikimi i listës së parë të përfituesve është bërë më 17 korrik. Ky hap ka ardhur pasi, paraprakisht, komuna ia kishte shpërndarë mjetet një numri studentësh. Në përgjigjet e dhëna nga Komuna e Fushë-Kosovës thuhet se veprimi është bërë për shkak të vëllimit të angazhimeve të Komisionit, i cili po punonte njëkohësisht në përgatitjen e listës së dytë.

Komuna i ka arsyetuar këto hapa edhe me faktin që përfituesit e listës së parë morën paratë pa nënshkruar kontratën. Sipas arsyetimit të komunës, kontrata nuk është një proces paraprak që duhet të paraprijë alokimin e mjeteve në llogari, pasi bursa në fjalë është përshkruar si ndihmë momentale. Në dokumentim thuhet se “Ndihmat momentale të listës së parë kanë filluar të shpërndahen para se të publikohej lista, për shkak të vëllimit të angazhimeve të Komisionit, të cilët njëkohësisht po përgatisnin listën e dytë. Nuk është i nevojshëm nënshkrimi i kontratës, pasi bursa në fjalë është thjesht ndihmë momentale”.

Tri ditë pas publikimit të listës së parë, është publikuar edhe lista e dytë. Kjo listë përfshinte studentë të tjerë, të cilëve u ishte premtuar se mjetet do t’u dalin në llogari më vonë. Megjithatë, formati i publikimit të listave ka ngritur sërish dyshime te studentët. Sipas Piskalës, listat krijuan paqartësi sepse në to ishin paraqitur vetëm emrat dhe mbiemrat e studentëve, pa u shfaqur drejtimi i studimit dhe pa u bërë edhe një renditje sipas vlerësimit.

Studentja ka pretenduar se ky format i publikimit nuk jepte të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar bazën e përzgjedhjes. Nga ana tjetër, Komuna ka thënë se të dhënat nuk janë publikuar qëllimisht, me arsyetimin se kjo bëhet për të ruajtur konfidencialitetin dhe privatësinë e studentëve. Për të njëjtën çështje, opozita në Fushë-Kosovë ka reaguar dhe ka paralajmëruar veprime lidhur me mënyrën e menaxhimit të procesit dhe transparencës në publikimin e listave. Studentët pretendojnë se kjo situatë ka ndikuar në krijimin e dyshimeve, sidomos kur pagesat kanë nisur të ekzekutohen para se të shpallen qartë rezultatet për të gjithë aplikuesit.

Botuar fillimisht në Koha.net

Exit mobile version