Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka deklaruar se është tërhequr nga një plan që kishte të bënte me shitjen e aksioneve të garave kryesore. Vendimi vjen pas kundërshtimeve të shumta nga institucione dhe konfederata të futbollit, të cilat e kanë vënë në pikëpyetje projektin e diskutueshëm.
Infantino ka thënë se projekti kishte krijuar “përçarje” dhe se kjo situatë nuk i shërben objektivit fillestar që ai i lidhte nismës. Në këtë linjë, ai ka konfirmuar se propozimi “nuk do të vazhdojë”. Tërheqja e FIFA-s ndryshon qasjen ndaj mënyrës se si mund të menaxhohen financiarisht eventet e mëdha të organizatës, duke përfshirë edhe Kupën e Botës.
Gjatë kohës kur plani ishte ende në diskutim, Infantino i kishte premtuar 211 federatave nacionale të futbollit nga 40 milionë dollarë. Sipas skemës së paraqitur, paratë do të jepeshin nëse federatat do të mbështesnin një propozim për investime private në turnetë e FIFA-s, përfshirë kompeticionin më prestigjioz ndërkombëtar, Kupën e Botës.
Infantino tërhiqet: plani që çoi në përçarje u anulua
Reagimet erdhën menjëherë nga drejtuesit e konfederatave. Shaikh Salman bin Ebrahim Al Khalifa, president i Konfederatës Aziatike të Futbollit, e ka përshëndetur tërheqjen, duke e vendosur theksin te nevoja për formësimin e së ardhmes së futbollit global përmes konsultimit të duhur, dialogut kolektiv dhe respektimit të strukturave ekzistuese të qeverisjes së lojës.
Përpjekjet e FIFA-s për ta çuar nismën drejt miratimit u përballën edhe me një reagim të fortë brenda sistemit evropian. 55 federatat nacionale anëtare të UEFA-s votuan të enjten për të bojkotuar Kupën e Botës nëse planet do të vazhdonin. Ky vendim sinjalizoi se kundërshtimi nuk ishte thjesht retorik, por mund të kishte pasoja konkrete për pjesëmarrjen dhe legjitimitetin e turneut.
Ndërkohë, në brendësi të FIFA-s pati edhe sinjale mospajtimi. Drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, tha se administrata e FIFA-s u mashtrua në lidhje me projektin. Carlos Cordeiro, këshilltar i lartë i Infantinos, dha dorëheqje, duke theksuar se propozimi ishte një marrëveshje e keqe për futbollin dhe se do të “hipotekonte të ardhmen e futbollit”. Reagimet e Cordeiro dhe Lamour erdhën pasi dy konfederata të mëdha kundërshtuan planet e Infantinos.
Pos UEFA-s, propozimin e kundërshtuan edhe CONCACAF, që drejton futbollin në Amerikën e Veriut, Qendrore dhe Karaibe, si dhe Konfederata Aziatike (AFC). Infantino u vendos nën presion të madh ndërsa përpiqet të rizgjedhet për mandatin e katërt si president në Kongresin e FIFA-s në mars. Ai deklaroi se tani do të synonte t’i bashkojë të gjitha palët e interesuara në frymën e interesit të përbashkët në futboll.
Pavarësisht refuzimeve nga UEFA dhe CONCACAF, FIFA fillimisht u zotua të vazhdonte me propozimet të premten, duke thënë se “askush nuk po e shet futbollin”. Por, pas anulimit të planeve, Infantino pranoi se ishte e nevojshme mbështetja e shumicës së federatave nacionale: 106 nga 211 federatat duhej të votonin pro. Sipas zhvillimeve, kjo u bë e pamundur kur konfederata aziatike u bashkua me UEFA-n dhe CONCACAF-in. Në numra, UEFA kishte 55 vota, CONCACAF 35 dhe Azia 46, çka e vështirësoi arritjen e shumicës së kërkuar. FIFA po ashtu kishte synuar të krijonte një degë tregtare për të drejtuar ngjarjet kryesore të saj, përfshirë Kupën e Botës.
Botuar fillimisht në Koha.net
