Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka analizuar strategjinë hibride të Serbisë dhe mënyrën se si ajo përdor narrativat paralele të viktimizimit e të heroizmit për të manipuluar opinionin publik. Sipas tij, në të njëjtën kohë synohet mobilizimi nacionalist, ndërsa veprimet e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe ushtrimin e sovranitetit paraqiten në mënyrë të shtrembëruar.
Fetoshi thekson se kornizimet vajtuese dhe ato triumfaliste ndërthuren për të prodhuar një pamje të konsoliduar: veprimet e Kosovës paraqiten si represion ndaj serbëve, ndërsa personat e dyshuar për krime lufte paraqiten si heroizim. Paralelisht, masat ndaj strukturave ilegale interpretohen si sulme ndaj të gjithë komunitetit serb, duke e zgjeruar ndikimin e mesazhit përtej rastit konkret.
Në analizë, ai thotë se duke iu referuar raportimeve të mediave serbe brenda vetëm një dite, ndërtohet një skemë narrative që përsëritet vazhdimisht. Ndër këto shembuj, ndërtimi i rrugës që lidh Kosovën me Malin e Zi është kornizuar si “qëllim për fshirjen e historisë dhe popullit serb”. Po ashtu, guidat turistike të Ministrisë së Kulturës përshkruhen si “plan për shuarjen përfundimtare të identitetit serb”, një qasje që, sipas Fetoshit, e lidh politikën e kujtesës me kontrollin e narrativës.
Një tjetër pjesë e skemës, sipas tij, lidhet me interpretimet e veprimeve të drejtësisë: arrestimet e të dyshuarve për krime lufte paraqiten si “vazhdim i spastrimit etnik” të serbëve. Po ashtu, ai përmend përpjekjet për të barazuar ngjarje historike duke i dhënë ndjesi aktuale të njëjtës betejë, ku një betejë e shekullit XIX-të në Mal të Zi quhet “vazhdim i Betejës së Kosovës”, edhe pse ka 487 vjet distancë kohore. Fetoshi thotë se, pavarësisht boshllëkut historik, mesazhi përsëritet çdo ditë me intensitet të ndryshueshëm.
Strategjia hibride synon ta kthejë “mbrojtjen e së vërtetës” në debat të manipuluar
Sipas Fetoshit, tonaliteti dhe intensiteti i kësaj strategjie ndryshon në varësi të dinamikave të proceseve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare. Ai përmend se “ndonjëherë bombardohet më shumë”, sipas modelit rus, me mohim e relativizim. Në këtë kuadër, ai i referohet rasteve të përvjetorëve të Masakrës së Reçakut apo të Gjenocidit në Srebrenicë. Herë të tjera, sipas tij, përdoren “besëlidhje” dhe thirrje për “patriotizëm”, si në rastet e Vidovdanit, Krishtlindjes apo Vitit të Ri Ortodoks, pa lënë mënjanë fushatat linçuese ndaj “tradhëtarëve” dhe arrestimet e atyre që, sipas narrativës së tij, tregojnë për krimet e Serbisë.
Pas këtyre kornizimeve, Fetoshi identifikon katër objektiva kryesore: demonizimin e Kosovës, mohimin e krimeve, mobilizimin nacionalist dhe ndërkombëtarizimin e narrativës së “persekutimit” të serbëve. Ai thotë se këto synime kanë si qëllim që çdo veprim i institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, drejtësinë dhe ushtrimin e sovranitetit të paraqitet si represion etnik, kërcënim fetar ose diskriminim, në mënyrë që një perceptim i tillë të depërtojë edhe në opinionin ndërkombëtar dhe të pengojë konsolidimin e Kosovës.
Megjithatë, Fetoshi argumenton se problemi sot bëhet më kompleks për shkak të transformimit të mjedisit informativ nga teknologjitë digjitale. Ai vë theksin te zhvendosja e audiencës në platformat online, politika algoritmike, llogaritë e rrejshme, efekti i jehonës dhe viraliteti, të cilat, sipas tij, kanë krijuar kushte më të favorshme për manipulimin e opinionit. Ai shton se Inteligjenca Artificiale e ka zvogëluar ndjeshëm koston dhe kohën e nevojshme për fabrikimin e teksteve, audiove dhe videove, duke bërë më të vështirë dallimin ndërmjet faktit dhe manipulimit.
Duke u referuar Konceptit Strategjik të NATO-s të vitit 2022 dhe literaturës më të re mbi kërcënimet hibride, Fetoshi thekson se hapësira informative është shndërruar në një nga fushëbetejat kryesore të rivalitetit gjeopolitik. Sipas tij, ndikimi mbi perceptimin është bërë po aq i rëndësishëm sa kapacitetet ushtarake. Për këtë arsye, ai paralajmëron edhe rrezikun e interpretimeve që në shikim të parë mund të duken absurde: mjedisi digjital, thotë ai, mundëson shumëfishim e përsëritje pa fund dhe krijon disproporcion të madh mes dezinformimit dhe të vërtetës.
Fetoshi vlerëson se një fakt historik, një dokument ose një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin nuk zhbëhet, por në hapësirën digjitale përballet çdo ditë me shumëfishin e përmbajtjeve që e mohojnë apo e rikornizojnë. Ai konsideron se e vërteta nuk mund të mbrohet vetëm me ripublikimin e fakteve; ajo kërkon ridokumentim të vazhdueshëm dhe proporcional me intensitetin e luftës narrative. Për t’u përballur me këto kërcënime, Fetoshi thotë se duhen kapacitete të koordinuara kundër “kapjes epistemike”, komunikim strategjik dhe investime afatgjata në edukimin medial të brezave. Ai përfundon se vetëm duke zhvilluar mekanizma mbrojtës ndaj së vërtetës mund të garantohet qëndrueshmëria demokratike dhe të shmangen grackat e manipulimit në epokën e luftës hibride.
Botuar fillimisht në Bota Sot