Fëmijët në fshat e qytet: dallime në shëndetin mendor

Fëmijët dhe adoleshentët që rriten në zonat rurale dhe ata që jetojnë në qytete nuk përballen me të njëjtat sfida kur bëhet fjalë për shëndetin mendor. Një studim i publikuar në revistën shkencore Pediatric Investigation tregon se vendbanimi lidhet me llojin e vështirësive psikologjike: në fshat raportohen më shpesh probleme emocionale, ndërsa në qytet vihet re më shumë shfaqje e problemeve të sjelljes.

Sipas gjetjeve të këtij kërkimi, fëmijët në zonat rurale shfaqin më shpesh simptoma që lidhen me depresionin, tërheqjen dhe vështirësitë sociale. Ndërsa bashkëmoshatarët e tyre në qytete priren të paraqesin më shumë simptoma të sjelljes, veçanërisht ato që lidhen me çrregullimin e vëmendjes dhe hiperaktivitetit, ADHD.

Për studimin, studiues nga Kina analizuan të dhënat e 19.711 nxënësve, të moshës 6 deri në 16 vjeç. Nga kjo shifër, 9.566 fëmijë jetonin në zona urbane, ndërsa 10.145 në zona rurale. Nga numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve, 3.003 fëmijë dhe adoleshentë rezultuan me çrregullime mendore.

Vlerësimi i tyre u bë në dy hapa. Fillimisht u përdor lista për kontrollin e sjelljes së fëmijës, ndërsa më pas u zhvilluan intervista neuropsikiatrike për fëmijë dhe adoleshentë, si dhe intervista me psikiatër. Kjo mënyrë studimi i lejoi autorët të krahasojnë më qartë tiparet kryesore psikologjike mes grupimeve të ndryshme sipas vendbanimit.

Vendbanimi ndikon: emocione më shumë në fshat, sjellje në qytet

Rezultatet treguan një diferencë të qartë mes dy mjediseve. Fëmijët në zonat rurale ishin më të prirur ndaj problemeve emocionale dhe psikologjike, duke u shoqëruar shpesh me simptoma të tërheqjes në vetvete, depresionit dhe vështirësive sociale. Në anën tjetër, fëmijët në qytete shfaqnin më shpesh ankesa dhe shenja që lidhen me sjelljen, sidomos simptomat e ADHD-së dhe hiperaktivitetit.

Studimi u ndal edhe te një nëngrup prej 3.003 nxënësish të diagnostikuar me çrregullime mendore, ku dallimet mes rurales dhe urbales u bënë edhe më të dukshme. Nxënësit nga zonat rurale paraqitën më shumë simptoma të tërheqjes dhe depresionit, probleme sociale, vështirësi në të menduar, si dhe shkelje të rregullave dhe sjellje agresive. Ndërkohë, për nxënësit nga zonat urbane u vërejtën më shumë ankesa trupore, si dhe sjellje agresive.

Gjetjet tregojnë edhe se gjinia mund të shoqërohet me ndryshime të ndryshme. Te djemtë u vërejtën dallime më të mëdha në simptomat psikologjike, në varësi të vendbanimit. Ndërsa te vajzat nuk u gjet një dallim i tillë. Autorët theksojnë se shëndeti mendor i djemve mund të jetë më i ndjeshëm ndaj faktorëve të mjedisit ku rriten.

Në shpjegimin e këtyre rezultateve, autorët përmendin disa faktorë që mund të ndikojnë. Për fëmijët në zonat rurale të Kinës përmenden kushte më të vështira socioekonomike, më pak burime arsimore dhe qasje më e kufizuar në shërbimet e shëndetit mendor. Një element i rëndësishëm është edhe fenomeni i “fëmijëve të lënë pas”, pra fëmijëve prindërit e të cilëve migrojnë në qytete për punë, ndërsa ata rriten nga gjyshërit ose të afërm të tjerë. Këto rrethana mund të ndikojnë në ndjenjat e braktisjes, depresionit dhe pasigurisë emocionale.

Për fëmijët në qytete, presioni lidhet me një realitet tjetër. Studiuesit thonë se fokusi i madh i prindërve te suksesi në shkollë dhe natyra konkurruese e sistemit arsimor mund të çojnë në zbulimin më të shpeshtë të ADHD-së dhe problemeve të tjera të sjelljes. Autorët vënë në dukje gjithashtu se zonat rurale kanë nevojë për kontroll më të mirë të shëndetit mendor, sidomos për depresionin, si dhe për shërbime më të qasshme, përfshirë telemjekësinë. Ndërsa në qytete, theksohet nevoja për forcimin e zbulimit të hershëm të ADHD-së dhe mbështetjen në shkolla dhe në familje.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version