Evropa përballet me valë zjarresh: rreziku po rritet

Zjarret masive po përfshijnë një pjesë të madhe të Evropës, duke shkaktuar dëme të rënda materiale, shkatërrim të pyjeve dhe evakuime të shumta të banorëve. Flakët kanë prekur veçanërisht Spanjën dhe Francën, ndërsa parashikimet tregojnë se temperaturat mund të rriten edhe më tej gjatë kësaj jave. Për pasojë, edhe vendet e tjera të Në Francë e Spanjë”>Evropës Jugore po përballen me rrezik real të përhapjes së zjarreve të ngjashme, sidomos në zona që tashmë vuajnë nga thatësira.

Evropa po kalon një nga sezonet më të vështira të zjarreve të viteve të fundit. Franca dhe Spanja po përjetojnë pasojat më të rënda nga zjarret masive dhe të shpejta, të nxitura nga valë të përsëritura të të nxehtit, mungesa e reshjeve dhe erërat e fuqishme. Në terren, mijëra zjarrfikës po punojnë për të frenuar flakët që kanë kapur zona të gjera, duke detyruar evakuime masive dhe duke lënë pas shkatërrime të mëdha edhe gjatë kulmit të sezonit veror, kur ndikimi në sektorin e turizmit bëhet i dukshëm.

Zjarret kanë nisur më 22 korrik dhe aktualisht janë përqendruar kryesisht në jugperëndim të Francës dhe në pjesët qendrore e lindore të Spanjës. Në Spanjë, ndër zonat më të prekura përmenden pjesët perëndimore të Madridit, ku autoritetet po përballen me një nga zjarret më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në këtë rajon. Situata mbetet po ashtu kritike në Ávila, Toledo dhe Castellón, në lindje të vendit, ku një zjarr i fuqishëm dhe ende i pakontrolluar vazhdon të përhapet.

Rreziku po rritet: Evropa po lufton me zjarre që s’po ndalen

Në Francë, rajoni Gironde, pranë qytetit të Bordosë, është kthyer në një nga vatrat më të mëdha të zjarreve në Evropë. Autoritetet franceze e kanë cilësuar situatën si emergjencën më të rëndë nga zjarret në dekadat e fundit. Presidenti Emmanuel Macron e ka përshkruar zjarin në Gironde si më të madh që Franca ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore, teksa u shpreh se flakët, megjithëse janë stabilizuar, mbeten ende jashtëzakonisht intensive. Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, më 26 korrik, deklaroi se përmasat e katastrofës që po përballen janë jashtëzakonisht të vështira për t’u pranuar, duke theksuar shqetësimin për dëmet e shkaktuara.

Deri tani, shkatërrimet e raportuara nga zjarret janë të konsiderueshme dhe vlerësimi i plotë i dëmeve vijon, ndërsa vatërat e zjarrit mbeten aktive. Në Spanjë janë përfshirë të paktën 80 mijë hektarë tokë, ndërsa në Francë rreth 42 mijë hektarë. Humbjet në njerëz janë gjithashtu të rënda: dy zjarrfikës kanë humbur jetën në Francë, ndërsa një tjetër ka vdekur në Itali gjatë përpjekjeve për të vënë nën kontroll flakët. Për dëme materiale, të paktën 240 shtëpi janë shkatërruar plotësisht, ndërsa shumë objekte të tjera kanë pësuar dëmtime në zonën Le Porge, pranë Bordosë.

Efektet në jetën e përditshme janë ndjerë teksa më shumë se 320 mijë persona janë detyruar të evakuohen në Spanjë dhe Francë. Në Francë, autoritetet urdhëruan të martën largimin e rreth 4 mijë banorëve dhe turistëve nga zonat bregdetare përgjatë Atlantikut, si masë parandaluese për shkak të rrezikut të përhapjes së zjarreve. Përveç Spanjës dhe Francës, rreziku mbetet i pranishëm edhe në Portugali, Greqi, Itali, Turqi dhe disa zona të Ballkanit Perëndimor, pasi rritja e mëtejshme e temperaturave pritet të krijojë kushte të favorshme për zjarre të reja.

Për t’u ardhur në ndihmë vendeve të prekura, Bashkimi Evropian ka vënë në lëvizje mekanizmat e tij të emergjencës. Instrumenti kryesor është Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së (EUCPM), një sistem solidariteti ku shtetet anëtare dhe vendet pjesëmarrëse bashkojnë kapacitetet dhe ndajnë burime kur forcat kombëtare nuk mjaftojnë. Kur një vend kërkon ndihmë, Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian (ERCC) organizon dhe koordinon dërgimin e mbështetjes, përfshirë avionë, helikopterë dhe ekipe të specializuara zjarrfikëse. BE-ja bashkëfinancon edhe transportin e këtyre kapaciteteve dhe, në disa raste, kostot e operacioneve në terren.

Për sezonin aktual të zjarreve, Komisioni Evropian, përmes mekanizmit rescEU (i cili është pjesë e EUCPM-së), ka krijuar një flotë rezervë për emergjencat: 22 avionë dhe pesë helikopterë për shuarjen e zjarreve. Këto mjete mund të mobilizohen dhe të dërgohen me shpejtësi në vendet që përballen me zjarre të mëdha dhe që kanë nevojë për ndihmë shtesë. Pas Francës dhe Spanjës, rreziku zhvendoset drejt Greqisë dhe Italisë, ndërsa BE-ja ka angazhuar më shumë se 770 zjarrfikës nga 14 vende në zonat me rrezik të lartë në Portugali, Spanjë, Francë, Itali, Greqi dhe Qipro, me qëllim forcimin e gatishmërisë, rritjen e kapaciteteve në terren dhe lehtësimin e shkëmbimit të përvojave në përballimin e situatave kritike.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version