ESA: Evropa duhet të dërgojë astronautët e vet në hapësirë

Industria hapësinore evropiane, e vlerësuar aktualisht në 600 miliardë euro, pritet të rritet me rreth 10% në vit. Për këtë zhvillim, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), Josef Aschbacher, ka folur në emisionin “The Big Question”, duke shpjeguar se si Evropa mund të përfitojë ekonomikisht dhe strategjikisht nga një sektor që po zgjerohet me shpejtësi.

Aschbacher theksoi se ESA ka marrë angazhime buxhetore rekord prej më shumë se 22 miliardë eurosh nga shtetet anëtare gjatë takimit të këshillit ministror në vitin 2025. Sipas tij, kjo përbën një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2022, duke i dhënë agjencisë kapacitete të reja për të planifikuar projekte afatgjata.

Në të njëjtën linjë, shtetet anëtare i dhanë ESA-s një mandat historik: të përdorë teknologjinë hapësinore për qëllime sigurie dhe mbrojtjeje jo-agresive. Në këtë mandat përfshihen edhe teknologji për monitorimin e kufijve të jashtëm, një orientim që forcon rolin e Evropës në hapësirë jo vetëm për kërkime shkencore, por edhe për nevoja praktike të sigurisë.

Autonomia hapësinore: Evropa po synon të dërgojë vetë astronautët

Duke pasur parasysh këto ndryshime dhe rritjen e investimeve, Josef Aschbacher tha se Evropa duhet të hedhë “hapin e saj të radhës” të madh: zhvillimin e aftësisë për të dërguar astronautët e saj në hapësirë. Ai foli për të ardhmen e pavarur të Evropës në hapësirë, duke u ndalur tek arsyet pse nuk mjafton vetëm mbështetja te partnerët ndërkombëtarë.

Aschbacher shpjegoi se ESA nuk ka qenë kurrë e izoluar. Që nga themelimi i saj në vitin 1975 dhe misioni i parë me astronautë në vitin 1983, agjencia është mbështetur te partnerë ndërkombëtarë, përfshirë NASA-n dhe Rusinë, për dërgimin e astronautëve në orbitë. Edhe pse ky bashkëpunim ka funksionuar për kohë të gjatë, tensionet gjeopolitike po e shtyjnë Evropën të kërkojë një alternativë dhe më shumë kontroll mbi aftësitë e veta.

Në diskutim u theksua se vetëm SHBA-ja, Kina dhe Rusia kanë aktualisht aftësinë për të dërguar astronautë në hapësirë. Por, duke qenë se tensionet politike me Kinën dhe Rusinë rrisin rrezikun e varësisë, ESA po e ndjen presionin për të mos mbetur plotësisht e lidhur me SHBA-në.

Një element tjetër lidhet me ndryshimet teknologjike në transportin e ekuipazhit. Sipas Aschbacher, vitet e fundit NASA ka krijuar një partneritet me SpaceX për dërgimin e astronautëve. Në këtë kuadër, ai u shpreh se SpaceX ka njoftuar dëshirën për të nxjerrë nga përdorimi raketat Falcon 9 dhe kapsulat Crew Dragon—mjetet që transportojnë ekuipazhin në hapësirë—ndoshta rreth vitit 2029. Kjo do të thotë se “pas pak vitesh” ESA mund të mos ketë më në dispozicion të paktën këtë aftësi, ndërsa mund të shfaqen opsione të tjera që sot nuk janë të qarta.

Për të garantuar qasje të besueshme dhe për të mbështetur investimet në industrinë evropiane, Josef Aschbacher tha se po harton një plan që Evropa të forcojë pozicionin e saj si fuqi globale hapësinore. Sipas tij, kjo nënkupton edhe marrjen e aftësisë për të dërguar astronautët e saj, një proces që kërkon miratimin politik të shteteve anëtare të ESA-s për të siguruar financimin.

Aschbacher theksoi se Evropa nuk po nis nga e para. Agjencia tashmë ka kapacitete dhe programe të njohura në botë, si Copernicus për vëzhgimin e Tokës dhe Galileo për navigimin satelitor. Megjithatë, Evropa, sipas tij, i mungon një mjet i saj për transportin e ekuipazhit dhe një sistem rikuperimi—pra, infrastruktura për t’i dërguar astronautët në hapësirë dhe për t’i kthyer ata në mënyrë të sigurt në Tokë.

Ai vlerësoi se, me një buxhet prej rreth 10 miliardë eurosh, ESA mund të zhvillonte këto kapacitete të pavarura brenda 10 viteve të ardhshme. Por, përballë skenarit të shpenzimeve të ardhshme, pyetja kryesore mbetet si t’i kthejë këto investime në dobi konkrete për industrinë evropiane, dhe jo vetëm si një kosto afatgjatë. Aschbacher solli në vëmendje edhe stacionin aktual, duke thënë se Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor është “në thelb një laborator lundrues” ku ESA kryen një pjesë të madhe të punës së saj thelbësore shkencore.

Pas nxjerrjes së tij jashtë përdorimit në vitin 2032, ka gjasa që ai të zëvendësohet nga një stacion hapësinor komercial. Pa qasje të pavarur në hapësirë, Evropa do të duhet të vazhdojë të mbështetet te blerja e vendeve në anijet kozmike amerikane—me disponueshmëri të pasigurt—dhe më pas të marrë me qira ambiente në stacione hapësinore komerciale për kërkime. Aschbacher vlerësoi se kjo do të kishte një kosto prej rreth 5 miliardë eurosh gjatë 10 viteve të ardhshme.

“Por paratë humbasin, ose humbasin në kuptimin që nuk shpenzohen në Evropë. Kështu që, unë do të preferoja t’i investoja këto fonde në Evropë, të forcoja industrinë tonë dhe të rrisja autonominë e Evropës në këtë fushë,” tha Josef Aschbacher. Ai shtoi gjithashtu se kjo nuk do të nënkuptonte fundin e bashkëpunimit ndërkombëtar për Evropën, duke lënë të kuptohet se partneritete të tjera mund të konsiderohen për të rritur ndikimin dhe fuqinë e kontinentit, pa synuar izolim.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version