Zgjedhjet e mesmandatit Në Shtetet e Bashkuara, të mbajtura më 3 nëntor, kanë nxjerrë në pah jo vetëm betejën e ashpër politike për kontrollin e Kongresit, por edhe ndikimin e jashtëzakonshëm të miliarderëve në financimin e fushatave zgjedhore. Ndër emrat më të spikatur, Elon Musk, pronar i platformës X dhe drejtues i kompanive Tesla dhe SpaceX, ka dalë sërish në qendër të vëmendjes për shumat që ka vënë në dispozicion për kandidatët republikanë.
Sipas analizës së BBC Verify, të mbështetur në të dhënat e financimit politik amerikan, Musk ka dhënë rreth 446 milionë dollarë për të mbështetur kandidatët republikanë dhe organizatat politike që veprojnë në favor të tyre. Kjo e vendos atë si donatorin më të madh individual të këtij cikli zgjedhor, duke bërë që kontributet e tij të bien dukshëm mbi ato të shumë donatorëve të tjerë, përfshirë emra të njohur nga bota e biznesit.
Shuma prej 446 milionë dollarësh është një nga më të mëdhatë që një individ ka kontribuar në një cikël zgjedhor amerikan. Për këtë arsye, ajo shërben edhe si një sinjal i fortë për rolin gjithnjë e më të madh të pasurisë private në politikën amerikane. Në të njëjtën kohë, paratë kanë përforcuar praninë e republikanëve në kanale të shumta komunikimi, duke e bërë ndikimin e donatorëve të mëdhenj të prekshëm në terren.
Shpenzimet rekord tregojnë fuqinë e donatorëve privatë në politikë
Ndërsa gara për Kongresin zhvillohej në një terren të tensionuar politik, vëmendja u zhvendos edhe te kosto totale e zgjedhjeve. Organizata e pavarur OpenSecrets, e specializuar në monitorimin e financimit politik, parashikon që shpenzimet e përgjithshme për zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 të arrijnë në rreth 11.9 miliardë dollarë. Nëse kjo pritshmëri materializohet, do të bëhej fjalë për zgjedhjet më të kushtueshmet të këtij lloji në historinë amerikane.
Sipas të dhënave federale të disponueshme deri në mesin e tetorit, shpenzimet kishin kaluar tashmë 9.5 miliardë dollarë. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve është përdorur nga komitetet politike dhe organizatat e pavarura që mbështesin kandidatët përmes reklamave televizive, fushatave digjitale dhe aktiviteteve të tjera elektorale. Krahasimisht, në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, shpenzimet arritën rreth 8.9 miliardë dollarë, ndërsa cikli i vitit 2026 sinjalizon një rritje të ndjeshme të kostove.
Një element i rëndësishëm i financimit të Elon Muskut lidhet me përqendrimin tek mbështetja e republikanëve, veçanërisht në Teksas. Ky shtet është me rëndësi të veçantë edhe për shkak se kompanitë e tij kanë një prani të konsiderueshme. Paratë janë kanalizuar drejt komiteteve politike dhe organizatave që mbështesin kandidatët republikanë, në një përpjekje për të ndikuar në garat për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.
Në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë kufizime ligjore për kontributet e drejtpërdrejta ndaj kandidatëve. Megjithatë, skema të tilla si Super PAC mund të pranojnë kontribute të pakufizuara nga individë, kompani dhe grupe të tjera. Organizatat e njohura si Super PAC nuk lejohen të bashkërendojnë drejtpërdrejt shpenzimet e tyre me fushatat e kandidatëve, por kanë mundësi të financojnë në mënyrë të pavarur reklama dhe aktivitete politike në mbështetje ose kundër tyre. Pikërisht ky mekanizëm ka lehtësuar rritjen e jashtëzakonshme të ndikimit financiar të donatorëve të pasur në zgjedhjet amerikane.
Zgjedhjet e 3 nëntorit kanë rezultuar të rëndësishme edhe për presidentin Donald Trump. Përbërja e re e Kongresit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë e administratës së tij për të çuar përpara programin politik gjatë pjesës së mbetur të mandatit. Republikanët synuan të ruanin kontrollin e Kongresit, ndërsa demokratët kërkuan të fitonin shumicën dhe të forconin kontrollin parlamentar ndaj Shtëpisë së Bardhë. Në këtë kontekst, përtej rezultateve të votimit, shpenzimet rekord kanë rikthyer debatin për rolin që luajnë donatorët e mëdhenj, duke qenë se shumat e mëdha u japin atyre një prani shumë më të fuqishme në media, reklama dhe komunikim me votuesit. Edhe pse financimi i fushatave nuk garanton fitore zgjedhore, niveli i shpenzimeve po vendos sërish një rekord: gara për Kongresin amerikan ka kushtuar më shumë se çdo zgjedhje tjetër e mesmandatit në historinë e vendit.
Botuar fillimisht në Bota Sot