Durrës, kompensimi i përmbytjeve ende pa afat për banorët

Katër muaj pas përmbytjeve të rënda që goditën Porto Romanon dhe zona të tjera të Durrësit, familjet e dëmtuara vijojnë të presin dëmshpërblimin e premtuar. Banorët thonë se nuk kanë marrë asnjë informacion të qartë për ecurinë e procesit, ndërsa Bashkia e Durrësit deklaron se fondi i destinuar për kompensimet nuk ka mbërritur ende. Situata ka lënë në pasiguri shumë familje që u përballën me dëme të mëdha në banesa, orendi dhe pajisje shtëpiake, në një kohë kur një pjesë e tyre janë detyruar t’i përballojnë vetë shpenzimet e para për rikthimin e jetesës normale.

Mëngjesin e 6 janarit, uji hyri me shpejtësi në shtëpinë e Indrit Bibës në Porto Romano, duke dëmtuar pothuajse gjithçka që ndodhej brenda. Frigoriferi, lavatriçja dhe pjesa më e madhe e orendive shtëpiake dolën jashtë funksionit, duke e vendosur kryefamiljarin përballë një situate të vështirë ekonomike. Katër muaj më pas, Biba ende nuk ka marrë kompensimin për dëmet, ndonëse thotë se ka plotësuar kërkesat administrative. «Kam dorëzuar në Bashki të gjithë dokumentacionin e kërkuar, përfshirë certifikatën e pronësisë dhe fotot e dëmeve», tha ai për BIRN, duke treguar se pritja për një përgjigje konkrete vijon pa afat.

Reshjet intensive në fillim të janarit shkaktuan përmbytje në disa zona të qytetit të Durrësit dhe në njësitë administrative, ndërsa Porto Romano ishte ndër lagjet më të goditura. Uji depërtoi në banesa, përmbyti rrugë dhe bllokoi lëvizjen e banorëve. Në disa raste, familjet u detyruan të largoheshin nga shtëpitë për shkak të nivelit të ujit dhe rrezikut që krijoi situata. Autoritetet raportuan evakuimin e qindra banorëve dhe angazhimin e qindra punonjësve në terren për evidentimin e dëmeve dhe menaxhimin e pasojave. Prokuroria e Durrësit nisi një hetim për të identifikuar përgjegjësit e pasojave të përmbytjeve në qytetin bregdetar, duke regjistruar një procedim për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, shkatërrimit të pronës nga përmbytjet dhe shkatërrimit të pronës nga pakujdesia. Deri më sot, hetimet kanë mbetur pa rezultat të bërë publik.

Dëmshpërblimi në Durrës

Familjet e prekura ankohen se problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e pagesave, por edhe me mungesën e informacionit mbi hapat që do të ndiqen. Astrit Prenthi, pjesë e një familjeje me pesë anëtarë, tha se vonesa e dëmshpërblimit e kishte detyruar të zëvendësonte me vështirësi një pjesë të orendive të shkatërruara nga uji. «Kam pyetur disa herë në njësinë administrative dhe më thonë se janë në pritje. Nuk dinë të na thonë kur do të dëmshpërblehemi», tha Prenthi me zemërim. Për shumë banorë, koha e gjatë e pritjes ka rënduar më tej faturën financiare, pasi dëmet e shkaktuara në pajisje dhe mobilie kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.

Bashkia e Durrësit bën të ditur se procesi i verifikimit të dëmeve është ende në vijim dhe se institucioni nuk e ka marrë fondin e kushtëzuar të parashikuar për këtë qëllim. Në përgjigjen me shkrim, Bashkia deklaroi se ka ngritur një komision ekspertësh për vlerësimin e dëmeve, ndërsa njësitë administrative janë ende në fazën e dorëzimit të dokumentacionit për familjet e prekura. «Bashkia Durrës, aktualisht është në fazën e pritjes së fondit të kushtëzuar i destinuar për këtë proces», thuhet në përgjigje. Më tej, institucioni thekson se «i gjithë dokumentacioni do të vlerësohet bazuar në legjislacionin në fuqi dhe lista me përfituesit do të shpallet me Këshill Bashkiak».

Numri i lartë i familjeve të prekura pritet ta bëjë edhe më të vështirë procesin deri në shpërndarjen e parave. Bashkia ka deklaruar se për këtë arsye trajtimi financiar do t’i kalojë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Megjithatë, për banorët që kanë dorëzuar dokumentet, mungesa e një afati konkret mbetet shqetësimi kryesor. «Kam çuar gjithë dokumentet që na kërkuan dhe prapë nuk dimë asgjë», tha Biba. «Vetë i kemi rregulluar sa kemi mundur gjërat e shtëpisë», shtoi ai. Në të njëjtën përgjigje, Bashkia deklaroi se bizneset e dëmtuara nga përmbytjet nuk përfshihen në skemën e kompensimit. Arsyeja lidhet me faktin se përmbytjet e 6 janarit nuk u shoqëruan me shpalljen e emergjencës civile, duke i bërë pretendimet e bizneseve të pakonsiderueshme.

Përmbytjet mbeten një problem i përsëritur në Porto Romano, edhe për shkak të avarive të trashëguara të sistemit të kullimit në këtë zonë. Lagjja është përballur vazhdimisht me vërshime uji gjatë periudhave me reshje intensive, ndërsa banorët kanë ngritur shpesh shqetësime për funksionimin e kanalizimeve dhe të sistemit kullues. Autoritetet lokale deklarojnë se pas përmbytjeve janë ndërmarrë ndërhyrje për pastrimin e kanaleve kulluese, zhbllokimin e pusetave dhe rehabilitimin e zonave të prekura. «Janë evidentuar pikat kritike, për të cilat janë planifikuar ndërhyrje të mëtejshme me qëllim zgjerimin dhe përmirësimin e kapacitetit të sistemit të kullimit, në funksion të parandalimit të përsëritjes së situatave të ngjashme në të ardhmen», thuhet në përgjigjen e Bashkisë.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version