Dula: Stabiliteti vjen me institucione, jo me bllokada

Zëvendësministri i Parë në Ministrinë për Zhvillim, Ali Dula, ka folur në një intervistë ekskluzive për Bota sot rreth përgjegjësisë institucionale, prioriteteve të tij gjatë kësaj periudhe dhe nevojës për më shumë stabilitet politik në Kosovë. Në fokus të bisedës ka qenë roli i institucioneve në përshpejtimin e zhvillimit, shpërndarja më e drejtë e investimeve në të gjitha rajonet dhe ruajtja e funksionalitetit të qeverisjes.

Dula e ka vlerësuar emërimin e tij si Zëvendësministër i Parë në MZHR nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si një besim të çmuar dhe një përgjegjësi të madhe. Ai thotë se këtë detyrë e ka pritur me mirënjohje dhe me vetëdijen se shërbimi publik kërkon përkushtim, integritet dhe punë të vazhdueshme në interes të qytetarëve. Për të, aspekti personal lidhet me motivin shtesë për të dhënë kontribut, ndërsa aspekti profesional lidhet me mundësinë për të qenë pjesë aktive e proceseve zhvillimore, sidomos në fuqizimin e zhvillimit rajonal.

Sipas tij, një nga objektivat kryesorë është krijimi i mundësive të barabarta për të gjitha rajonet e Kosovës dhe avancimi i politikave që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Dula thekson se arritja e rezultateve konkrete dhe afatgjata kërkon punë të vazhdueshme, bashkëpunim institucional dhe afërsi me nevojat reale të njerëzve. Në këtë kuadër, ai e sheh rolin e tij si pjesë të një qasjeje që synon të kthejë energjinë e institucioneve te zhvillimi dhe te përmirësimi i kushteve të jetesës.

Stabiliteti ndërtohet me institucione të forta

Kur ka folur për prioritetet e tij në periudhën e shkurtër para zgjedhjeve, Dula është shprehur se detyrën do ta ushtrojë me përkushtim maksimal dhe me fokus të qartë në nevojat konkrete të qytetarëve. Ai thotë se edhe nëse mandati është me kohëzgjatje të caktuar, përgjegjësia institucionale kërkon angazhim të plotë dhe rezultate të prekshme, pa e zhvendosur punën nga objektivat reale.

Vëmendje të veçantë, sipas Dulës, do t’i kushtohet avancimit të projekteve zhvillimore, koordinimit me nivelin lokal dhe krijimit të kushteve që investimet dhe mbështetja institucionale të shpërndahen në mënyrë sa më të drejtë në të gjitha rajonet e Kosovës. Ai shton se po ashtu është e rëndësishme që institucionet të funksionojnë me stabilitet, profesionalizëm dhe transparencë, në mënyrë që të ruhet besimi i qytetarëve dhe të dëshmohet se shërbimi publik është mbi çdo interes tjetër.

Sa i përket gjendjes aktuale politike pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri, Dula thotë se kjo situatë tregon qartë dallimin mes një qasjeje që synon ndryshimin dhe reformën dhe një mentaliteti të vjetër politik që, siç shprehet ai, ka prodhuar bllokada institucionale. Ai vlerëson se mosarritja e zgjedhjes së presidentit të ri nuk i shërben stabilitetit institucional dhe as pritjeve të qytetarëve për funksionalitet më të madh politik.

Dula ka komentuar edhe proceset e brendshme politike duke përmendur rolin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka treguar gatishmëri për përgjegjësi institucionale, transparencë dhe qeverisje në interes të qytetarëve, duke theksuar se oferta për opozitën ka reflektuar një qasje gjeneroze për krijimin e një balanci të drejtë në proceset vendimmarrëse. Në të njëjtën kohë, ai thotë se nga ana tjetër, janë parë tendenca për kalkulime politike që e vendosin interesin partiak mbi interesin shtetëror.

Ai nënvizon se Kosova sot ka nevojë për stabilitet, vazhdim të reformave dhe forcim të institucioneve demokratike, ndërsa qytetarët, sipas tij, presin më shumë punë, zhvillim dhe drejtësi, e më pak krizë politike. Për këtë arsye, Dula beson se subjektet politike duhet të reflektojnë dhe të kontribuojnë që institucionet të funksionojnë normalisht, duke respektuar vullnetin qytetar dhe interesin e Republikës së Kosovës. Në të njëjtën logjikë, ai thotë se proceset e përsëritura zgjedhore krijojnë ngarkesë politike dhe institucionale, pasi energjia e institucioneve shpesh zhvendoset nga zhvillimi dhe projektet konkrete drejt kalkulimeve politike. Në fund të intervistës, Dula e lidh këtë shqetësim me nevojën për qeverisje të qëndrueshme dhe për shmangien e krizave të vazhdueshme politike, në funksion të zhvillimit të vendit.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version