Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Dijamant Zeqirin pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë. Sipas aktgjykimit, Zeqiri është dënuar me 1 vit burgim me kusht, si dhe me 4 mijë euro gjobë lidhur me akuzat për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Dënimi me kusht për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari, brenda periudhës prej 2 vitesh, nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Aktgjykimi është shpallur të enjten nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri.
Dënohet me kusht pas shqyerjes së flamurit turk në Mitrovicë
Prokuroria e ka lidhur rastin me një ngjarje të mbajtur në Mitrovicë. Sipas akuzës, Zeqiri, gjatë organizimit të një iftari në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ishte afruar në vendngjarje dhe, me një mjet të mprehtë, kishte shqyer dhe përdhosur flamurin kombëtar të Republikës së Turqisë. Veprimi i tij është përshkruar si pjesë e një aktiviteti që u ndërmorr në mënyrë publike dhe që shprehu fyerje e urrejtje ndaj simbolit.
Aktakuza e PSRK-së e ngritur më 24 prill 2026 e përshkruan ngjarjen si të ndodhur më 5 mars 2026, rreth orës 02:00 në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në këtë periudhë, Zeqiri akuzohej se ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke kontribuar në prishjen e rendit publik dhe në cenimin e sigurisë.
Në aktakuzë thuhet se veprimet janë kryer gjatë një aktiviteti publik të organizuar nga një organizatë e quajtur “Eyup Sultan”, me rastin e iftarit për besimtarët myslimanë gjatë muajit të Ramazanit. Prokuroria pretendonte se Zeqiri, për shkak të bindjeve të tij fetare, ishte afruar në vendngjarje dhe kishte shqyer e përdhosur flamurin e Republikës së Turqisë, duke nxitur urrejtje e mosdurim mes komuniteteve. Me këtë, i akuzuari ngarkohej për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, nga neni 141, par.3 i Kodit Penal.
Përveç pjesës për flamurin, aktakuza përfshinte edhe një akuzë tjetër lidhur me armëmbajtjen pa autorizim. Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nga data e pacaktuar deri më 12 mars 2026, Dijamant Zeqiri, në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe pa autorizim përkatës, kishte poseduar armë dhe municion. Gjatë bastisjes së banesës në Mitrovicën e Jugut, nga Policia e Kosovës i ishin gjetur dhe sekuestruar një kuti me fishekë dhe një karikator. Ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë së vëllait të tij në Skenderaj, prokuroria njofton se i ishte gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri. Kjo, sipas akuzës, përbënte veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, par.1 i Kodit Penal.
Në seancë është trajtuar edhe marrëveshja për pranim fajësie. Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, tha se marrëveshja është arritur në mënyrë të ligjshme dhe vullnetarisht, që nga faza fillestare e hetimeve, pas bashkëpunimit të të akuzuarit me organet e drejtësisë. Ai bëri të ditur se brenda marrëveshjes kishte rekomanduar që Gjykata të shqiptojë dënim unik për dy veprat penale, sipas kushteve të dakorduara.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avdi Ademi, u shpreh se marrëveshja ishte lidhur me vullnet të plotë të të mbrojturit dhe pas konsultimeve të mjaftueshme për pasojat dhe përfitimet. Ai kërkoi nga Gjykata që të aprovojë marrëveshjen dhe po ashtu kërkoi lirimin e mjeteve të dorëzuara në emër të dorëzanisë, si dhe kthimin e tyre në llogarinë bankare të të mbrojturit, bashkë me sendet e sekuestruara.
Gjykatësi Rrahman Beqiri aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë pasi u vlerësua se janë plotësuar të gjitha kushtet. Në aktgjykim u përcaktua edhe obligimi financiar i të akuzuarit: në emër të paushallit gjyqësor duhet të paguajë 200 euro dhe 100 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Gjithashtu, gjykata vendosi që të kthehet edhe shuma prej 5 mijë euro e dhënë në emër të dorëzanisë, pasi aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm.
Botuar fillimisht në Bota Sot