Qytetarët në Kosovë po ankohen se shpenzimet bazike po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar. Jakup Vitija, pensionist nga Prishtina, thotë se tash e ka të pamundur të mbërrijë deri në fund të muajit, pasi një pjesë e madhe e të ardhurave të tij shkon për barna, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten pa ndalur. Ai thekson se rritja e shpenzimeve po e shtrydh edhe më shumë buxhetin e familjeve, sidomos për ata që jetojnë me të ardhura fikse.
Vitija e përshkruan situatën si “katastrofë”, duke thënë se çmimet i sheh përditë duke u rritur, ndërsa pagat janë të ulëta. Ai thekson se pensionet janë rreth 150 euro, ndërsa për barna i duhet rreth 30 euro në javë. Sipas tij, me të tilla shifra nuk ka hapësirë financiare për mbulimin e nevojave të tjera, duke e bërë të pamundur planifikimin mujor. “S’ka shans me mbërri me një pagë… me mbërri me kryer këto deri në fund të muajit. Është e pamundur”, thotë ai, duke nënvizuar se pothuaj gjysma e të ardhurave shkon për barna.
Ky shqetësim përputhet me të dhënat zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në maj 2026 ka shënuar rritje vjetore prej 6.8 për qind. Rritja e çmimeve, sipas qytetarëve, po ndihet drejtpërdrejt në konsum, sidomos në artikujt që konsiderohen të domosdoshëm për jetesë të përditshme.
Inflacioni po e rëndon shportën e konsumatorit
Në terren, edhe Imer Gjokaj thotë se kostoja e jetesës po bëhet gjithnjë e më e rëndë për familjet. Ai e përshkruan situatën si shumë të vështirë, duke theksuar se mungon siguria për jetë, veçanërisht për të rinjtë dhe për të ardhmen. Gjokaj thotë se pavarësisht vështirësive po ia del “disi”, por pa e fshehur faktin se barrën e shtrenjtimit po e ndjejnë përditë.
Rritja e çmimeve nuk mohohet as nga tregtarët. Visar Hajdari, tregtar, thotë se rritja është “e pashmangshme” pasi edhe çmimet e furnizimit kanë shënuar rritje. Ai jep shembuj konkretë nga tregu: fasulja e Pejës është më e lartë, rreth 5 euro e deri në 6 euro për kilogram, ndërsa arrat janë rreth 7 euro. Sipas Hajdarit, qytetarët po ankohen se çmimet janë pak më të larta, por tregtarët thonë se nuk kanë mundësi të ulin ndjeshëm çmimet, sepse furnizimin e blejnë me çmime më të larta.
Hajdari shton se, krahas shtrenjtimit të perimeve, ka rënë dukshëm edhe numri i blerësve. Ai pohon se tregu nuk është si më parë: shitjet janë përgjysmuar dhe qarkullimi ka rënë. “Pak… përpara ka pasë pazari pak më të mirë, ka pasë shitje më të mirë. Kështu që tash nuk ka asgjë, tregu i thatë është, nuk ka njerëz, s’ka blerës… Shumë më pak është. 50% është, domethënë rënia e tregut”, shprehet ai.
Këtë situatë e konsiderojnë shqetësuese edhe ekspertët e ekonomisë, të cilët e lidhin ndikimin e inflacionit me probleme të vazhdueshme si varfëria, papunësia dhe varësia e lartë nga importi. Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, thotë se goditjen më të madhe nga inflacioni po e ndjejnë pensionistët dhe punëtorët me paga fikse, sepse të ardhurat e tyre nuk po përshtaten me ritmin e rritjes së çmimeve. Ai vëren se inflacioni është rreth 7% dhe se në një periudhë njëvjeçare nga muaji i vitit 2025 deri në maj 2026, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, IHÇK ka arritur 6.8%. Sipas tij, kjo është e “mjaft shqetësuese”, sidomos në një ekonomi si ajo e Kosovës.
Skenderi thekson se inflacioni prek kategoritë që kanë të ardhura fikse dhe ato që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar shportën e konsumatorit. Ai thotë se ndikimi ndihet veçanërisht te mallrat dhe shërbimet bazike, të cilat zënë peshën më të madhe në shpenzimet e familjeve. Në këtë kontekst ai përmend edhe sektorin e strehimit, duke vlerësuar se kërkesa e lartë në qendrat urbane, e kombinuar me numrin e kufizuar të banesave me qira, ka ndikuar në shtrenjtimin e këtij segmenti.
Ngjashëm e sheh problemin edhe ekonomisti Ismet Mulaj, i cili e konsideron inflacionin si problem strukturor. Ai thekson se një sërë faktorësh po ndikojnë në rritjen e çmimeve, ndërsa varësia e madhe nga importi mbetet ndër shkaqet kryesore. Mulaj thekson se rreth 90% e produkteve importohen, duke e bërë Kosovën më të ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve. Sipas tij, ky është një sfidë që lidhet jo vetëm me qeverinë aktuale, por edhe me qeveritë e kaluara, duke treguar se rritja e çmimeve po vazhdon të ketë ndikim të gjerë te standardi i jetesës.
Botuar fillimisht në Bota Sot