Dani Olmo, forca që e mban “La Roja” në këmbë

Spanja po vazhdon rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026 dhe tashmë ndodhet vetëm një hap larg finales. Në gjysmëfinale “La Roja” do të përballet me Francën, në një duel mes dy prej superfuqive të futbollit botëror. Edhe pse vëmendja shpesh shkon te emra si Lamine Yamal, Rodri, Unai Simon apo Marc Cucurella, në sfond po shfaqet një figurë tjetër, roli i së cilës nuk bie në sy, por pa të skuadra nuk do të funksiononte njësoj.

Bëhet fjalë për Dani Olmo. Për Spanjën nuk duket se ka një yll të vetëm që dominojnë gjithçka. Përkundrazi, ekipi vepron si një makineri ku secili lojtar kryen detyrën e vet dhe e lidh me të tjerët. Olmo është pikërisht lojtari që shpesh mban bashkimin e pjesëve: nga momentet e para të ndërtimit të aksionit, deri te hapësirat që lindin para portës. Ai nuk është futbollisti që udhëheq skuadrën në statistika për gola apo asistime, por ndikimi i tij ndihet në mënyrën se si rrjedh loja.

Në fushë, Olmo luan nominalisht si numër 8 ose numër 10, por liria e tij taktike është shumë më e gjerë. Detyra e tij kryesore është të lëvizë mes linjave, të gjejë hapësira dhe të jetë gjithmonë një opsion për bashkëlojtarët. Një nga aftësitë e tij më të spikatura është leximi i situatave: ai arrin të kuptojë se çfarë do të ndodhë në momentin para se situata të kthehet në rrezik apo mundësi. Kjo e bën atë të zbresë aty ku duhet për të ndihmuar në ndërtim, të shfrytëzojë momentin kur hapet dera për sulm dhe të tërheqë kundërshtarin për t’u krijuar hapësirë të tjerëve.

Kjo u pa në mënyrë të qartë në ndeshjet ndaj Portugalisë dhe Arabisë Saudite. Në këto sfida, Olmo shfaqej shpesh në zonat më të rëndësishme të fushës, aty ku futbolli “të vlen” dhe ku vendimet e shpejta kthehen në raste. Ai nuk kërkon vetëm topin; krijon kushte që skuadra ta qarkullojë atë me më shumë lehtësi, duke e bërë më të vështirë për kundërshtarin të vendosë ritmin e tij.

Dani Olmo e bën Spanjën të funksionojë pa zhurmë

Në sfidën ndaj Belgjikës, përpara golit të Fabian Ruiz, pikërisht Dani Olmo krijoi një situatë të rrezikshme përmes goditjes së tij. Topi u prit nga portieri Thibaut Courtois, por fakti që rasti nisi nga lëvizja dhe zgjedhja e tij tregon edhe një aspekt tjetër të lojës së tij: ai di të mbërrijë në kohën e duhur kur duhet goditje, pa e humbur lidhjen me strukturën kolektive të skuadrës.

Olmo nuk kufizohet vetëm në fazën sulmuese. Mesfushori është aktiv edhe në presing dhe në rikuperimin e topit, duke ndihmuar Spanjën të ruajë intensitetin e lartë që e karakterizon në turne. Në ndeshjen ndaj Austrisë, ai tregoi edhe një herë inteligjencën e tij taktike: parashikoi situatat e rrezikshme, mbuloi hapësira dhe ndërhyri në mënyrë që kundërshtarët të mos krijonin aksione të rrezikshme.

Sipas të dhënave të Sofascore, Dani Olmo ka krijuar dy raste të mëdha në këtë Kupë Bote, duke qenë i dyti në skuadrën e Spanjës pas vetëm Marc Cucurellas. Për më tepër, ai renditet ndër liderët e ekipit për rikuperime të topit dhe driblime të suksesshme. Edhe pse në turne ka vetëm një asist, ndikimi i tij shkon përtej atyre shifrave, sepse shpesh ai është lojtari që nis aksionin, krijon hapësirën ose kryen lëvizjen që i hap rrugë një bashkëlojtar të shkëlqejë. Trajneri Luis de la Fuente e kishte paralajmëruar këtë që para fillimit të Kupës së Botës, duke theksuar se Olmo është në formë fantastike dhe do të luajë një rol kyç, madje duke e parë të përdorshëm edhe në krah.

Derisa Spanja vazhdon drejt finales, shumë emra mund të marrin vëmendjen për atë që do të ndodhë në ndeshjet vendimtare, qoftë rikthimi i Rodrit apo ndikimi i Mikel Merinos nga stoli. Por në mesin e arkitektëve të suksesit, emri i Dani Olmos mbetet një nga pikat më të rëndësishme të kësaj historie. Është ai që mban rrjedhën e “La Roja”, duke e lidhur mbrojtjen me sulmin, duke dhënë ritëm dhe duke i bërë të tjerët më të rrezikshëm në fushë.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version