Cilësia e ajrit në Evropë vijon të përmirësohet, por fenomenet ekstreme të motit dhe veçanërisht i nxehti i madh mbeten faktorë që mund ta vështirësojnë situatën përkohësisht. Ky është përfundimi i raportit më të fundit të Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës të programit evropian Copernicus (CAMS), i cili analizon si kanë ndryshuar emetimet dhe nivelet e ndotjes gjatë viteve.
Raporti “Vlerësimi i Cilësisë së Ajrit në Evropë 2025” thekson se politikat mjedisore të zbatuara gjatë viteve kanë sjellë rezultate të dukshme. Ndërkohë, ai vlerëson se pamja e përgjithshme për cilësinë e ajrit në kontinent mbetet inkurajuese. Përmirësimet lidhen kryesisht me uljen e ndotësve kryesorë, por sfidat nuk janë zhdukur, sidomos kur moti merr forma ekstreme.
Po bie ndotja, por i nxehti ekstrem shton rrezikun
Në qendër të analizës janë ndotësit kryesorë që rregullohen përmes Direktiva e BE-së për Cilësinë e Ajrit. Sipas raportit, që nga viti 2015 emetimet e oksideve të squfurit (SOx) dhe oksideve të azotit (NOx) janë ulur mesatarisht me 3 deri në 5 për qind në vit në vendet e Bashkimit Evropian. Rënia më e madhe është vënë re në industri dhe në transportin rrugor, ku masat për uljen e ndotjes kanë dhënë ndikim të drejtpërdrejtë.
Një nga elementët që ka kontribuar fuqishëm në këtë trajektore përmirësimi është rritja e përdorimit të automjeteve elektrike. Këto automjete po zëvendësojnë gradualisht ato që lëvizin me benzinë dhe naftë, duke reduktuar emetimet që lidhen me transportin. Raporti e lidh këtë prirje edhe me uljen e ndotjes në zinxhirin e furnizimit dhe të konsumit të energjisë, duke e bërë transportin një nga sektorët kyç ku vërehen ndryshimet.
Si rezultat i këtij ndryshimi, emetimet e dioksidit të karbonit nga transporti në BE ranë nga 1.1 miliardë tonë në vitin 2019 në 1.05 miliardë tonë në vitin 2024. Kjo përfaqëson rreth 5 për qind më pak gjatë periudhës së llogaritur. Raporti sjell edhe një tjetër faktor pozitiv: kalimin gradual drejt burimeve më të pastra të energjisë, i cili ndikon në prodhimin e energjisë elektrike dhe, për rrjedhojë, në emetimet totale.
Për herë të parë, më shumë se gjysma e energjisë elektrike neto e prodhuar në Bashkimin Evropian gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 erdhi nga burime të rinovueshme. Suedia del si shembull, pasi gjatë vitit të kaluar 99 për qind e energjisë elektrike të saj u prodhua nga burime me emetime të ulëta të karbonit. Këto të dhëna tregojnë se përveç transportit, edhe energjia është një nga fushat ku politikat dhe investimet kanë dhënë rezultate.
Drejtori i CAMS, Laurence Rouil, vlerëson se Evropa po vazhdon të bëjë përparim të qëndrueshëm falë përpjekjeve të vazhdueshme për uljen e emetimeve nga transporti, industria, ngrohja e banesave dhe sektorë të tjerë kryesorë. Megjithatë, raporti paralajmëron se moti ekstrem mund të përkeqësojë përkohësisht cilësinë e ajrit, edhe kur prirjet afatgjata janë pozitive.
Shpjegimi lidhet me mënyrën se si temperaturat e larta dhe kushtet meteorologjike ndikojnë tek ndotësit. Temperaturat e larta, rrezatimi intensiv diellor dhe mungesa e qarkullimit të ajrit krijojnë kushte që favorizojnë formimin e ozonit pranë sipërfaqes së tokës. Ky ndotës konsiderohet i dëmshëm për mushkëritë dhe për bimësinë. Autorët e raportit konstatojnë se nivele të larta ozoni u regjistruan gjatë valëve të të nxehtit që përfshinë Evropën në muajt qershor dhe gusht të vitit të kaluar. Po ashtu, periudhat e gjata të thatësirës krijojnë rrethana që mund ta mbajnë të lartë rrezikun për përkeqësim të cilësisë së ajrit, duke e bërë të nevojshme monitorimin edhe në ditët kur ndotja mund të rritet nga faktorë meteorologjikë.
Botuar fillimisht në Koha.net
