Lista e Studentëve, lëvizja që u krijua pas protestave pas vdekjes së 16 personave nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ka fituar zgjedhjet. Megjithatë, ndryshimi i pushtetit në Serbi ende duhet të ndodhë, ndërsa vëmendja tani kthehet te ajo që pret fituesit dhe si e përfytyrojnë ata “Serbinë e re”.
Ndonëse emri i saj lidhet me protestat dhe studentët, lista e mbështetur nga ta nuk përbëhet vetëm nga studentë. Në të bëjnë pjesë edhe profesorë, mjekë dhe kandidatë të tjerë. Lëvizja udhëhiqet nga kardiologu i Novi Sadit, Ilija Srdanoviq.
Plani “Plani i Studentëve” flet për drejtësi, ekonomi dhe institucione të reja
Si platformë kryesore, Lista e Studentëve prezanton “Plani i Studentëve” që përbëhet nga 11 pika, të ndara në tri pjesë: “Serbia ose mafia”, “Dija është fuqi” dhe “Serbia rritet bashkë me ne”. Pjesa e parë përqendrohet te institucionet dhe korrupsioni, ndërsa pjesët e tjera trajtojnë arsimin, ekonominë dhe problemet e përditshme të qytetarëve.
Në plan përfshihet edhe një sërë masash lidhur me drejtësinë dhe zbatimin e ligjit. Lista ka paralajmëruar krijimin e një strukture të posaçme policore brenda kuadër të prokurorisë, e cila do të hetonte korrupsionin dhe do të arrestonte përgjegjësit pa presion politik. Po ashtu, programi parashikon verifikimin e punës së policisë, gjykatave dhe prokurorisë. Një element tjetër është premtimi për miratimin e një ligji për prejardhjen e pasurisë dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Në të njëjtën linjë, përmendet edhe lustrimi i zyrtarëve publikë, ku do të përfshihej kontrolli i pasurisë së zyrtarëve dhe shqyrtimi i veprimeve të tyre. Sipas programit, përgjegjësi do të mbanin ata që kanë keqpërdorur detyrën, janë përfshirë në korrupsion ose kanë shkelur të drejtat e njeriut, Kushtetutën dhe ligjet.
Ndryshimet në administratë dhe në shërbimet publike shtrihen edhe te punësimi, arsimi dhe shërbimet shëndetësore. Në sektorin publik, Lista e Studentëve synon t’i japë fund punësimit mbi baza partiake dhe që drejtorët të zgjidhen përmes konkurseve publike. Në arsim, premtohen libra shkollorë falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, modernizimi i mësimdhënies dhe qasje më e lehtë në aktivitetet jashtëshkollore. Për ekonominë dhe punësimin, programi përmend mbështetje për sipërmarrësit vendorë, fermerët dhe kompanitë e reja të teknologjisë. Një tjetër pikë lidhet me rregullimin e kontratave: kohëzgjatja maksimale e kontratave të punës me afat të caktuar do të synohet të kufizohet në 12 muaj, pas së cilës punëtorët do të përfitonin kontrata pa afat të caktuar.
Programi përfshin edhe çështje të jetës së përditshme si banesat, çmimet dhe shërbimet mjekësore. Për çiftet e reja dhe për punëtorët e profesioneve ku ka mungesë të fuqisë punëtore, parashikohen kushte më të favorshme për marrjen me qira dhe blerjen e banesave. Lista premton uljen e çmimeve të barnave, rinovimin e ambulancave në zonat rurale dhe punësimin e mjekëve e teknikëve të rinj. Sidoqoftë, për këto masa nuk jepen afate kohore dhe as vlerësime të kostove.
Përveç sektorëve të brendshëm, programi lidhet edhe me tema politike e rregullatore. Lista në Beograd, para zgjedhjeve, ka bërë edhe fshirjen e grafiteve fyese ndaj shqiptarëve. Ajo kërkon publikimin e kontratave dhe tenderëve, si dhe auditimin e projekteve shtetërore, veçanërisht të atyre që janë zhvilluar në mënyrë jotransparente ose kanë kushtuar më shumë sesa duhej. Sa u përket mediave, paralajmërohet depolitizimi i rregullatorit dhe transmetuesit publik RTS, si dhe shqyrtimi i përgjegjësisë së gazetarëve dhe redaksive televizive. Po ashtu përmendet heqja dhe rishpërndarja e frekuencave kombëtare, por programi nuk sqaron se kush do t’i kryente këto verifikime dhe sipas cilave kritere do të hiqeshin frekuencat.
Ndërsa në marrëdhëniet me jashtë, Lista synon zgjerimin e bashkëpunimit me fqinjët. Para zgjedhjeve, Srdanoviq ka deklaruar se pushteti i Aleksandar Vuçiqit ka kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kroacinë dhe vendet e tjera fqinje, duke hedhur poshtë edhe pretendimet se Kroacia qëndron pas lëvizjes studentore. Ai ka theksuar se Kroacia nuk ka lidhje me Listën e Studentëve dhe ka paralajmëruar zhvillimin e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë, ku interesat e qytetarëve të Serbisë do të jenë përparësi. Deri më tani, sipas të dhënave të përfshira në program, ata nuk kanë paraqitur një plan të veçantë për marrëdhëniet me Kroacinë.
Sa i përket Bashkimit Evropian dhe fuqive të mëdha, Lista synon thellimin e partneriteteve strategjike ekzistuese me vendet anëtare të BE-së si Greqia, Italia, Hungaria dhe Franca, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit të ngjashëm dypalësh me shtetet e tjera evropiane. Përparimi në kapitujt që lidhen me drejtësinë dhe të drejtat themelore mbështetet, por në program nuk përmendet shprehimisht anëtarësimi në BE si objektiv. Srdanoviq ka deklaruar më herët se për anëtarësimin e Serbisë në BE do të vendosej përmes një referendumi, pas debatit publik dhe mbylljes së kapitujve të negociatave. Po ashtu përmendet zhvillimi i një partneriteti gjithëpërfshirës strategjik me Kinën dhe forcimi i marrëdhënieve me shtetet e tjera, ndërsa për Kosovën është përmendur nevoja për ndryshim të qasjes dhe që Brukseli të mos fokusohet në takime të mbyllura.
Botuar fillimisht në Telegrafi
