Burgjet në Maqedoninë e Veriut drejt amnistisë për mbingarkesë

Të burgosurit në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë të vuajnë dënimet në kushte që vlerësohen si çnjerëzore, ndërsa sistemi ndëshkues korrektuese po përballet me mbipopullim të vazhdueshëm. Problemi lidhet jo vetëm me hapësirat e pamjaftueshme brenda institucioneve, por edhe me ndikimin që kjo situatë ka në marrëdhëniet sociale mes personave të privuar nga liria.

Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, Në Burgun e Idrizovës gjatë vitit 2025 mbipopullimi është dyfishuar kur krahasohen shifrat me vitin 2024. Kapaciteti i këtij institucioni është për 1.187 të burgosur, por gjatë vitit 2025 janë evidentuar 1.402 persona të dënuar. Kjo do të thotë se janë mbi kapacitet me 215 të burgosur, duke e thelluar më tej presionin brenda burgut.

Edhe burgje të tjera shfaqin të njëjtën tendencë. Në Burgun e Shtipit, maksimumi i lejuar është 139 të burgosur, ndërsa në praktikë janë evidentuar 255, pra 116 më shumë se kapaciteti. Në Shutkë, në dy reparte ka gjithsej 79 të burgosur më shumë se kapaciteti i lejuar. Ndërkohë, në Prilep diferenca është 35 të burgosur mbi kapacitet, ndërsa në Manastir 22.

Ndërkohë që autoritetet nuk po arrijnë të zgjidhin situatën përmes përmirësimit të kushteve dhe zgjerimit të kapaciteteve, siç kërkon edhe Avokati i Popullit, një rrugë që po ndiqet për zbutjen e krizës është amnistia. Plani parashikon që për disa vepra penale të propozohet heqja e mbajtjes së dënimit për 10 deri në 20% të masës së dhënë, por fjala përfundimtare për këtë vendim i takon Ministrisë së Drejtësisë.

Amnistia po propozohet për të ulur mbingarkesën në burgje

Amnistitë të tilla nuk janë diçka e re për sistemin. Në të kaluarën janë dhënë edhe masa të ngjashme, si në vitin 2018, kur u liruan 750 të burgosur me qëllim të shkarkimit të burgjeve. Kjo tregon se zgjidhja përmes amnistisë është përdorur më herët, por mbetet ende çështje diskutimi nëse ajo sjell përmirësim të qëndrueshëm.

Ekspertët, megjithatë, e shohin amnistinë me kujdes. Në një analizë të Shoqatës Maqedonase të Penologjisë, theksohet se përvojat tregojnë se nëse nuk ka programe të qarta risocializimi për personat e amnistuar, shumë shpesh këta persona rikthehen sërish nëpër burgje. Sipas këtij vlerësimi, amnistia e vetme nuk është zgjidhje afatgjatë për t’u përballur me mbingarkesën, nëse sistemi nuk punon paralelisht për rehabilitimin.

Për këtë arsye, në fokus vendoset përforcimi i sistemit të probacionit. Ideja është që një person i dënuar për një vepër penale të mbikëqyret dhe të rehabilitohet jashtë burgut, në vend që të vuajë dënimin në institucionet e mbyllura, kur kjo lejohet me vendim gjykate. Sistemi i probacionit ekziston prej vitesh, por Komisioni Evropian ka theksuar nevojën që të zbatohet më shpesh dhe më gjerësisht.

Ndërkohë, Ministri i mëparshëm i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka prezantuar një zgjidhje të re ligjore, megjithatë ajo ende nuk është miratuar. Sipas prezantimit, kroniza e re ligjore synon të përmirësojë mbikëqyrjen dhe risocializimin e personave të dënuar dhe të mundësojë zbatimin më të mirë të masave alternative ndaj burgut. Në skemë parashikohet mbikëqyrje elektronike për personat me masën e arrestit shtëpiak, vlerësim të rrezikut dhe programe individuale për rehabilitimin e tyre, me qëllim parandalimin e përsëritjes së veprave penale. Për herë të parë, ligji parasheh edhe një kapitull të veçantë për mbrojtjen e viktimave, veçanërisht në rastet e dhunës familjare dhe dhunës me bazë gjinore.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version