Bojleri i madh i bardhë, i vendosur mbi vaskë apo në zonën e kabinës së dushit, prej vitesh është parë si një element thuajse i pashmangshëm në shumë banja. Edhe pse shërben për furnizimin me ujë të ngrohtë, madhësia dhe forma e tij shpesh prishin harmoninë e hapësirës, sidomos kur banja është e vogël. Për këtë arsye, në dizajnin modern po shtohet gjithnjë e më shumë ideja që pajisjet teknike të mos mbeten të dukshme, por të fshihen në mënyrë të planifikuar.
Në praktikë, fshehja e bojlerit nuk ka të bëjë vetëm me të bërë “më bukur” murin. Ajo synon të krijojë një ambient më të rregullt dhe të japë përshtypjen se banja duket më e gjerë, pa ndryshuar domosdoshmërisht sipërfaqen. Ideja lidhet me mënyrën se si pajisja vendoset në banjë: bojleri nuk qëndron i shfaqur në mur, por vendoset brenda një hapësire të projektuar posaçërisht ose fshihet pas një veshjeje dekorative që lidhet me pjesën tjetër të dhomës.
Bojëri i fshehur: banjë më e madhe vizualisht dhe më elegante
Një zgjidhje e tillë është relativisht e thjeshtë për t’u konceptuar. Bojleri vendoset në një mënyrë që të mos shihet drejtpërdrejt nga hyrja në banjë. Sipërfaqja që e mbulon përshtatet me pjesën tjetër të hapësirës, duke përdorur materiale dhe ngjyra që harmonizohen me ambientin. Fshehja mund të realizohet përmes një hapësire të posaçme brenda murit ose me një konstruksion dekorativ, i veshur me pllaka të njëjta me ato që përdoren në banjë. Kështu, pajisja humbet si “element i veçantë” në pamje dhe banja ruan linjat e saj.
Kur bojleri nuk dominon më murin, vëmendja zhvendoset te elementet që zakonisht e bëjnë banjën të duket më moderne: pasqyra, ndriçimi, rubinetat dhe pllakat. Kjo është veçanërisht e dobishme në banjat minimaliste, ku synohen linja të pastra dhe sa më pak objekte apo elemente që krijojnë ndarje vizuale. Për më tepër, në hapësira të vogla çdo detaj ka peshë, sepse çdo “zgjatje” ose prani e madhe në mur ndikon te perceptimi i dimensioneve. Një fshehje e mirë e bojlerit mund të japë efektin e një ambienti më të hapur.
Megjithatë, fshehja duhet menduar edhe për anën teknike. Vendosja e bojlerit të fshehur është më e lehtë të planifikohet gjatë një rinovimi, përpara se të kryhen montimet e pllakave dhe përfundimi i punimeve. Gjatë kësaj faze mund të përshtaten dimensionet e pajisjes, të rregullohen instalimet dhe të planifikohet struktura e murit. Jo çdo bojler është i përshtatshëm për montim të fshehur, ndaj është e nevojshme të respektohen udhëzimet e prodhuesit dhe kërkesat për kushtet e ventilimit.
Përveç ventilimit, rëndësi ka mbrojtja nga lagështia dhe standardet e sigurisë. Një pikë tjetër që nuk duhet anashkaluar është aksesueshmëria: pajisja duhet të mbetet e qasshme për kontroll, mirëmbajtje dhe riparime. Kjo do të thotë që konstruksioni dekorativ ose hapësira ku vendoset bojleri nuk duhet të e mbyllë në mënyrë të pakthyeshme, por të lejojë ndërhyrje kur është e nevojshme. Për këto arsye, para se të fillojnë punimet, rekomandohet të konsultoheni me një profesionist të kualifikuar, që të sigurojë zbatimin korrekt të zgjidhjes.
Një pyetje e shpeshtë është nëse bojleri i fshehur konsumon më pak energji. Pamja moderne nuk sjell domosdoshmërisht kursim automatik të energjisë elektrike. Konsumi varet nga disa faktorë: kapaciteti i pajisjes, cilësia e izolimit termik, temperatura e vendosur dhe mënyra e përdorimit. Nëse synohet ulje e faturave, zgjidhja lidhet me zgjedhjen e një modeli me efikasitet të mirë energjetik dhe kapacitet të përshtatshëm për nevojat e familjes, jo vetëm me mënyrën se si është vendosur bojleri.
Sa i përket investimit, zgjidhja është më praktike kur banja është duke u rinovuar. Në këtë rast, planifikimi i një hapësire të fshehtë për bojlerin mund të integrohet pa kërkuar ndryshime të mëdha më pas. Në një banjë të përfunduar, ndërhyrja mund të sjellë punime shtesë dhe shpenzime më të mëdha. Nëse është e mundur, një alternativë është edhe një dollap i projektuar posaçërisht për pajisjen, nëse prodhuesi lejon një vendosje të tillë. Pavarësisht stilit, parimi kryesor mbetet që pamja estetike të mos vihet përpara sigurisë dhe funksionalitetit.
Botuar fillimisht në Telegrafi





