Barcelona kërkon zëvendësuesin e Lewandowskit: Asllani në lojë

Afati kalimtar veror ka hyrë në fazën vendimtare dhe lëvizjet e klubeve më të mëdha evropiane po ndikojnë drejtpërdrejt në planet e njëra-tjetrës. Çdo transferim i realizuar, por edhe çdo dështim në tratativa, mund të ndryshojë skenarët e disa skuadrave paralelisht, duke krijuar atë që shpesh quhet “efekt domino”. Në këtë kontekst, merkatoja e verës po tërheq vëmendjen jo vetëm për emrat e njohur, por edhe për alternativat që mund të bëhen aktive në momentin kur një objektiv kryesor nuk arrihet.

Në një analizë të publikuar nga Goal.com, Barcelona renditet ndër klubet që pritet të preken më shumë nga kjo situatë. Për katalanasit, lista e alternativave përfshin emra të ndryshëm, ndërsa në qendër të skenarit që po ndërtohet nga klubet e mëdha qëndron një garë që përfshin shtatë skuadra: Real Madrid, Barcelona, Atlético Madrid, RB Leipzig, Manchester United, Arsenal dhe Paris Saint-Germain. Këto klube po kërkojnë përforcime në nivele të larta, duke e bërë çdo vendim të rëndësishëm edhe për ekipet e tjera në afatin kalimtar.

Analiza i sheh si pjesë të garës për transferime edhe disa lojtarë që mund të lëvizin këtë verë. Në listën e përmendur figurojnë Vinícius Júnior, Julián Álvarez, Rodri, Yan Diomande, Fisnik Asllani, Aurélien Tchouaméni, Bradley Barcola, Junior Kroupi dhe Ferran Torres. Interesimi për ta nuk është i izoluar: në varësi të asaj që arrihet apo dështon, klubet mund të ndryshojnë prioritetet brenda së njëjtës merkato, duke rritur konkurrencën për emrat kryesorë.

Barcelona synon Julián Álvarez, por Fisnik Asllani është alternativa

Objektivi kryesor i Barcelonës mbetet Julián Álvarez. Sipas analizës, trajneri Hansi Flick e sheh sulmuesin argjentinas si zëvendësuesin ideal të Robert Lewandowskit, një rol që do të kërkonte menjëherë ndikim në sulm. Megjithatë, Atlético Madrid nuk duket i gatshëm ta lejojë largimin e tij me lehtësi, çka e bën marrëveshjen të vështirë dhe e lë Barcelonën të përgatitet edhe për skenarët alternative.

Në rast se transferimi i Álvarezit dështon, Barcelona mund të kthejë vëmendjen te sulmuesi kosovar Fisnik Asllani. Ai është në pronësi të Hoffenheimit, por interesimi për të nuk është i kufizuar vetëm nga katalanasit: në analizë përmendet se RB Leipzig ka shfaqur gjithashtu interes, gjë që pritet ta bëjë garën financiare shumë më të vështirë për klubin nga Barcelona. Një emër tjetër që lidhet me planet e Barcelonës është Junior Kroupi. Edhe për këtë rast, Goal.com thekson se drejtuesit e klubit nuk janë plotësisht të bindur për transferimin, edhe pse Hansi Flick e ka miratuar këtë opsion si alternativë.

Kuartetin e plotëson Ferran Torres. Sulmuesi spanjoll ende nuk e ka rinovuar kontratën, ndonëse ka hyrë në vitin e fundit të saj. Për të, e ardhmja mund të varet nga fakti nëse Barcelona arrin apo jo ta transferojë Julián Álvarezin. Në analizë thuhet se shumica e klubeve të mëdha po kërkojnë përforcime për të rritur konkurrencën në skuadër, më shumë sesa për të mbuluar nevoja emergjente, duke e bërë merkatoja më të ndërlikuar dhe më të lidhur me strategjitë afatgjata të çdo ekipi.

Ndërkohë, analiza sjell edhe shembuj të tjerë: Paris Saint-Germain, për shembull, nuk do të pësonte goditje të madhe nëse dështon transferimi i Yan Diomandes. Po ashtu, edhe nëse Ferran Torres nuk do të transferohej në fund të merkatos, trajneri Luis Enrique ka alternativa të mjaftueshme për të luftuar për titullin në Ligue 1 dhe Ligën e Kampionëve. Real Madridi ndodhet në një situatë të ngjashme: edhe pse Rodri do të ishte një përforcim i madh, madrilenët kanë në dispozicion Aurélien Tchouaménin dhe Eduardo Camavingan, të cilët mund të mbulojnë të njëjtin rol.

Te ArsenaI, gara për Julián Álvarez është e drejtpërdrejtë me Barcelonën, por në repartin ofensiv londinezët tashmë kanë emra si Viktor Gyökeres, Kai Havertz dhe Gabriel Jesus. Barcelona, sipas analizës nga Goal.com, ndodhet në një pozitë më të veçantë: i duhet një përforcim që të bëjë menjëherë diferencën në formacion, në mënyrë që të mbetet konkurruese në La Liga dhe të rikthehet në garën për trofeun e Ligës së Kampionëve. Për më tepër, situata financiare nuk i lejon katalanasit të rivalizojnë me ofertat e klubeve të Premier League.

Sipas Goal.com, nga lista e Barcelonës, Julián Álvarez është i vetmi futbollist që do të siguronte menjëherë një vend në formacionin titullar. Ndërsa Fisnik Asllani dhe Junior Kroupi do të duhej ta fitonin gradualisht besimin e stafit teknik, pasi asnjëri prej tyre nuk ka krijuar ende përvojë të madhe në një klub elitar, as në nivelin e lartë me kombëtaren. Analiza shkon edhe më tej duke theksuar se Real Madridi po ndikon indirekt në planet e Barcelonës: thuhet se “Los Blancos” kanë paraqitur një ofertë prej 150 milionë eurosh për Julián Álvarezin. Në raportim përmendet se presidenti Florentino Pérez ishte i vetëdijshëm se oferta do të refuzohej, por synimi ishte të shtyhej Atlético Madrid që të mos pranonte asnjë ofertë më të ulët se 150 milionë euro, përfshirë edhe atë të Barcelonës.

Në këtë mënyrë, marrëveshja e mundshme për Álvarezin lidhet edhe me të ardhmen e Vinícius Júniorit: nëse braziliani do të transferohej te Arsenali, klubi anglez do të hiqte dorë nga gara për Álvarezin, duke i lënë Barcelonës më shumë hapësirë për ta transferuar. Megjithatë, vlerësimi nga Goal.com është se largimi i Vinícius Júniorit nga Real Madridi gjatë kësaj vere mbetet një skenar shumë i vështirë për t’u imagjinuar. Nëse ai qëndron në “Santiago Bernabéu”, Arsenali vazhdon të jetë një rival i fortë i Barcelonës në garën financiare për Julián Álvarezin.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version